Shtëpia e re e Ovidio Guzman – imazhe të Altiplanos, burgu i sigurisë maksimale ku po mbahet djali i El Chapo-s
Qendra Federale për Riadaptimin Social (Ceferoso) numër 1, e njohur më mirë si “El Altiplano”, është burgu i sigurisë së lartë ku po mbahet Ovidio Guzman, djali i Joaquin ‘El Chapo’ Guzman, i cili do të mbrohet pas arrestimit të tij.
Autoritetet meksikane të enjten njoftuan se e kishin arrestuar Ovidio Guzman në një operacion herët në mëngjes në Culiacan, një qytet veriperëndimor që ka qenë prej kohësh baza e kartelit Sinaloa.
Por si është burgu i sigurisë maksimale në Meksikë?
Burgu ndodhet në qytetin Santa Juana, komuna e “Almoloya-s de Juarez”, në shtetin e Meksikës.
Objekti konsiderohet me sigurinë më të madhe në Meksikë dhe është ndërtuar midis viteve 1988 dhe 1990 me urdhër presidentit të atëhershëm Carlos Salinas de Gortari.
Burgu Almoloya, që quhet edhe kështu, ka një sipërfaqe prej 260 mijë metrash katrorë dhe ka një kapacitet për të strehuar deri në 724 të burgosur.
Si është burgu i Altiplanos?
Sipas raportit të titulluar ‘Vlerësimi i proceseve. Programi buxhetor; Administrimi i Sistemit Federal Penitenciar’, i paraqitur nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare (CNS) dhe i bërë në bashkëpunim me Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikës (UNAM) dhe Institutin e Kërkimeve Sociale (IIS), burgu ka karakteristika të ndryshme që e bëjnë atë pothuajse të padepërtueshëm.
Për shembull, ka mure të përforcuara me trashësi një metër. Përveç kësaj, hapësira ajrore është kufizuar si dhe komunikimet, të cilat janë të kufizuara në një rreze prej 10 kilometrash.
Gjithashtu ka sisteme dhe pajisje sigurie elektromekanike dhe elektronike si: televizion me qark të mbyllur, kontroll aksesi, alarme, detektorë metali, eksplozivë, komunikim radio, zë dhe të dhëna, sensorë prezence dhe telefoni.
Sa i përket personelit të sigurisë që ruan burgun e sigurisë maksimale , ata janë gjithmonë të armatosur rëndë dhe të përgatitur për çdo eventualitet të mundshëm.
Megjithatë, sipas raportit, burgu i Almoloya-s ka edhe mangësi të caktuara si mungesa e personelit në të gjitha fushat për shkak të numrit të lartë të të burgosurve, si dhe instrumenteve dhe pajisjeve mjekësore të vjetruara.
Ndërsa Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut (CNDH) bën edhe disa vëzhgime në lidhje me burgun, si: personeli i pamjaftueshëm i sigurisë dhe i paraburgimit, ndarja e dobët mes të pandehurve dhe të dënuarve, aktivitetet e pamjaftueshme ose inekzistente, arsimore, punë dhe trajnime, si dhe mangësi në kujdesin për të moshuarit dhe programe të pamjaftueshme për parandalimin e varësive.
“Cefereso numër 1” , duke u konsideruar si një burg i sigurisë maksimale, ka qenë shtëpia e bosëve dhe kriminelëve më të kërkuar në vend, siç është rasti i El Chapo Guzman , Oscar Omar Trevino Morales, i njohur si ‘El Z-42’, Miguel Angel. Trevino Morales i njohur si ‘El Z-40’, Daniel Arizmendi Lopez, ‘El mochaorejas’, Miguel Angel Felix Gallardo, Jose Antonio Yepez Ortiz, ‘El Marro’, ndër shumë të tjerë.
Rruga Press