Opinion/Aktualitet

Shqiptarizmi, boshti i korpusit të veprave të Shaban Muratit

Nga Bashkim Hoxha

Korpusi i veprave të personalitetit të shquar, intelektualit Shaban Murati, sjell një vështrim të gjerë dhe kompleks të çështjeve shqetësuese të Shqipërisë në raport më fqinjët, botën, gjeopolitikat, historinë.

Por ndoshta vështrimi më i dhimbshëm është ai në librin “Vetvrasja diplomatike e Kosovës dhe Shqipërisë”. Në këtë analizë të thelluar analizohen me argumente bindëse politikat, që krijojnë hendeqe dhe dëmtojnë shqiptarët midis vetes.

Në këtë libër, shkruar jo thjesht me ftohtësinë e një analisti, por me ndjesinë e trishtë të moskuptimit, autori nënvizon se diplomacia e Kosovës dhe e Shqipërisë, qëndrimet ndaj gjithë dinamikës diplomatike të çështjes së normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës gjatë 3 viteve të fundit, kanë shkuar drejt një moskuptimi cinik.

Vihet re një farë hutimi dhe anashkalimi në vlerësimin e interesit shtetëror dhe kombëtar, i cili praktikisht mund të përkufizohet si një dëm i madh kombëtar. Marrja, përqafimi, adoptimi i tezave, qëndrimeve, politikave, e kushteve të diplomacisë serbe, ruse apo të një pjese të diplomacisë burokratike europiane, që nuk është në përputhje me interesat euro – atlantike perëndimore, autori i quan një vetëvrasje të diplomacisë shqiptare, duke dhënë përcaktimin e saktë të fenomenit.

Ne vetë, thotë autori, si shtete, dy shtete shqiptare, kemi ecur në gjurmë të gabuara në fushën diplomatike.
Shqiptarizmi është boshti përshkues i gjithë korpusit të veprave të Shaban Muratit. Në shqiptarizmin e tij, Shaban Murati është i pakompromis.

Në librin “Çështja e paqenë e detit: një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”, autori na qartëson situatën absurde mbi të cilën veprojnë qeveritë shqiptare dhe greke në marrëdhënien mes tyre, dhe më gjërë. demaskohet me argumente dhe fakte të pakontestueshme teatri absurd, që luhet nga qeveritë ballkanike, të cilat mbivendosin interesat pragmatiste mbi çështjet madhore kombëtare.

Autori nuk druhet t’i përcaktojë fenomenet me emrin e tyre të vërtetë, edhe pse në pamje të parë shumë përcaktime duket sikur nuk tingëllojnë politikisht korrekt, ato janë në përputhje të plotë me të vërtetat, me shqetësimin e sinqertë intelektual, që nuk i fsheh e zbukuron paudhësitë, por i vendos ato në lupën e analizës shkencore, profesionale, dhe të përgjegjshmërisë qytetare.

Ka disa karkteristika, që i gjen të pranishme në të githë librat e Shaban Muratit.

Ajo që përshkon të gjithë korpusin e veprës së Shaban Muratit është fakti se këndvështrimet e tij janë të plota, falë formimit dhe përkushtimit të tij profesional.

Në studimet e tij gërshetohen këndvështrimet e diplomatit, duke i dhënë zë, të pathënave, duke na çuar në anën e pandriçuar të konfliktit. Por jo vetëm kaq, si një publicist i mprehtë Shaban Murati ka meritën dhe arrin të kërkojë dhe të gjejë argumentet konkrete për t’i shpalosur pa ekuivoke para syve të politikbërjes, diplomacisë dhe lexuesit. Si një analist i thellë ai nuk hutohet nga cirku i politikave të ditës, por i gjykon ato në raport me zhvillimet historike dhe në përmasat e tyre të vërteta.

Kompleksiteti i këtyre këndvështrimeve të harmonizuara më së miri na sjell të plotë dhe shteruese temat e mprehta, antitabutë dhe qartëson lëvizjet e drejta apo të gabuara të diplomacisë dhe politikës.

Meritë e tij në të gjithë librat është studimi i plotë i çështjeve, për këtë ai udhëton thellë në kohë. Ky inkursion në kohë bën të mundur shpalosjen e problemit në të gjithë dimensionet. Analizat e tij lëvizin që nga zanafilla e çështjes, në to mëson pastaj të gjithë kthesat, që ka njohur konflikti në kohë të ndryshme, njihesh me qëndrimet e deklaratat, që e kanë fashitur, devijuar, zgjidhur apo thelluar problemin.

Te libri “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare”, përmes shkrimeve të shkurtëra, që shkojnë përtej konstatimit deri tek kontestimi apo stigmatizimi, zbërthehen të gjithë paradokset e mendësisë shqiptare veçanërisht asaj të politikës e diplomacisë, duke prekur tema të lëna në harresë apo për të cilat nuk flitet.

Ky libër është si një manual për të kuptuar Shqipërinë në anën e saj absurd, kur politika dhe diplomacia trukojnë ose fshehin realitete problematike, duke i lënë në heshtje dhe pa përgjigje.

Problemet, Shaban Murati nuk i sheh ngushtë, thjesht në hapësirën shqiptare apo vetëm aty ku shfaqet problemi, as në hapsirën e ngushtë të gadishullit ballkanik. Tabloja që ai sjell është e shtrirë në hapsirë. Kamerat këndvështrojnë realitetet nga shumë plane.

Problemi vendoset në raportet e tij reale me gjeopolitikën, me synimet e faktorëve jashtë rajonit, analiza e tij bëhet e lidhur me tërë zhvillimet madhore botërore, ndaj hapsira e librave të tij është shumë e gjerë dhe rrok të gjithë globin duke vizatuar kështu përmasën reale të problemeve të pazgjidhura, si dhe ofron opsionet si mund të zgjidhen problemet, duke sjellë në vëmendje synimet e palëve të përfshira në konflikte..

Librat, që unë lexova, janë shkruar në vite të ndryshme. Disa prej tyre një dekadë a më shumë më parë. Tani, që ka kaluar kohë nga analizat e Shaban Muratit, vëren se, po t’i kushtohej vëmendja e duhur nga politikbërja, sa të dobishme duhej të kishin qenë studime të tilla për të parashikuar se ku të na çonin zhvillimet, që vështirë të analizohen në vrapin e ditëve.

Analizat e tij për “Minishengenin” dhe më pas për “Ballkanin e hapur” nënvizojnë një cilësi paralajmëruese dhe parashikuese të autorit për zhvillimet e mëvonshme. Konkluzionet e këtyre nismave autori i ka nxjerrë që në fillimet e vet projekteve, shoqëruar me paralajmërimin për dëmet që mund të sillnin.

Ajo, që ndodhi më pas, ka qënë testi më i mirë i analizave të drejta dhe të sakta, që pak njerëz dinë t’i bëjnë si autori i këtyre librave. Këtë test të kohës librat e Shaban Muratit e kanë kapërcyer me sukses dhe dëshmojnë se intelektualë të shqetësuar kanë ngritur zerin, por edhe dëshmon në të njejtën kohë se politikat e mbrapshta nuk mbështeten tek intelektualët, tek dija, gjë që do të kishte sjellë zhvillime më të dobishme.

Dimensioni kulturor është një tjetër aspekt i dukshëm i krijimtarisë së Shaban Muratit, që e bën të “turpërohet” diplomacinë dhe politikën mediokre banale, që luajnë me gjëra të shenjta për interesa të ngushta të ditës. Politika, diplomacia, në thelb janë veprimtari kulturore. Ato bashkëveprojnë me kulturën dhe dijen, njësoj si edhe edhe tek ndershmëria dhe përkushtimi i qytetarit të shqetësuar. Këto analiza, shumë prej tyre, po të ishin trajtuar si një road map për politikën dhe diplomacinë shqiptare, ne nuk do të ishim me kaq shumë probleme të pazgjidhura, veçanërisht në çështjen kombëtare..

Eshtë e trishtueshme që me këtë road map nuk shohim që të orinetohen politikat e ditës dhe kjo është një tjetër dhimbje, që ndjen kur përfundon leximin e këtyre librave të papërsëritshëm.

Edhe një gjë tjetër.

Duke lexuar librat e Shaban Muratit, vura re se sa i rëndësishëm është institucioni i kujtesës. Problemet e ditës zgjidhen më lehtë dhe rrjedha e veprimeve të kohës është më e qartë se ku shkon, nëse e gjitha kjo ushqehet nga kujtesa.

Për fat të keq, institucionin e kujtesës kërkojnë ta shuajnë, ndonjëherë nga inferioriteti ndaj dijes dhe në shumicën e rasteve për qëllime të mbrapshta për t’i dhënë problemeve jozgjidhje historike, por koklavitje të mëtejshme nxitur nga interesa meskine individësh dhe grupimesh të papërgjegjshme.

Si përfundim, duke lexuar këto libra mund të them: Shaban Murati, funksionon si institucion kompleks, institucion i dijes, i ndershmërisë, i kujtesës, i përkushtimit qytetar dhe i dëshirave të mira.

Rruga Press

YouTube player