Opinion/Aktualitet

Shqiptarët nuk janë terroristë!

Shkruan Hana Mitrovica

Para se shqiptari ta quan tjetrin “terrorist” mirë është me u këshillu me faktet dhe me realitetin së pari. Sidomos kur akuzuesi shqiptar që i quan shqiptarët “terrorista” e ndanë pikërisht mbiemrin e njëjtë me një familje të masakruar gjatë luftës në Kosovë në emër të të njëjtit “terrorizëm” – akuzë kjo infamoze drejtuar nga makineria asgjësuese jo vetëm kah Ushtarët e Lirisë por kundrejt mbarë një kombi – atij: SHQIPTAR.

Për masakrën në fjalë referon edhe raporti në vijim:

“Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë. Në atë ditë u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh e deri në 94 vjeçare.

Nga 25 shtatori, familja Deliu ishte strehuar në mal, për t’i shpëtuar sulmeve shfarosëse serbe. Një ditë më vonë, më 26 shtator, rreth orës 10:00 paradite, aty kishte depërtuar këmbësoria serbe. Me këtë rast ishin dëgjuar të shtëna armësh e britma njerëzish.

Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia dhe ishin masakruar derisa po përpiqeshin të iknin nga sulmi. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta masakre.” 

Institucionet kanë rregullore, ligje, kode dhe masa disciplinore. Ne qytetarët që kemi vetëm fuqinë e votës për një Kuvend sa më të denjë dhe të nivelit të një populli të stërvuajtur presim procedura adekuate ligjore dhe asgjë më shumë. Indinjata dhe dhimbja nuk kanë sesi të përshkruhen në këtë moment. 

Lexo më shumë  Ministrja Haxhiu – opozitarëve: Jeni bërë milionerë veç duke qenë në qeveri

E tha edhe Kryeministri Kurti para pak kohe në një konferencë shtypi (citat i parafrazuar):

“…është ajo që një masë e madhe e popullit e ka përjetuar, dhe nuk bëhet fjalë për krime gjenocidale të një kohe të shkuar të shekullit XIX as të kohës së gjyshit a stërgjyshit; as libra të historisë nuk ka nevojë të konsultohen . . . ka sot masë të madhe njerëzish që e kanë përjetuar mbi lëkurë të vete atë periudhë dhe janë akoma këndej pari . . .” e kështu me radhë.

Prandaj, ne si qytetarë më së paku që presim prej të gjithë kuvendarëve pa përjashtime dhe ky është respekti ndaj vlerave të shtetkrijimit, luftës për liri, rezistencës shqiptare të të gjitha kohërave dhe trevave, dhe komplet vlerat historike kombëtare të respektohen, e mbi të gjitha kjo tash aktuale, Republika dhe shoqëria e saj në kohezion të ngushtë mbi vlerat historike që e lidhin atë. Kaq.

Lexo më shumë  Zgjedhjet në MV na rikthejnë tek epoka e Bogdanit

Nuk besoj që po kërkojmë më shumë sesa të respektohet dinjiteti dhe integriteti i: vlerave të luftës për liri, dëshmorëve, martirëve, të gjithë të rënëve të luftës, pra, viktimave, të zhdukurve me dhunë me anë të krimeve të luftës asgjësuese dhe gjenocidale, familjeve dhe anëtarëve familjarë të të gjitha kategorive të lartëpërmendura, invalidëve, veteranëve, të burgosurve politikë, të vrarëve politikë, personave të përdhunuar gjatë luftës, fëmijëve dhe studentave të helmuar në kohë rezistence kundrejt represionit dhe okupimit, dhe të gjithë të tjerëve që përbëjnë thelbin e shoqërisë së Republikës së Kosovës.

Nuk besoj që po kërkojmë më shumë sesa respekt për këto vlera vuajtjesh, përvuajtjesh dhe dhimbjesh kolektive.

Vetëm kaq na duhet neve. Nuk kemi nevojë për dhunë shtesë, qoftë ajo dhe vetëm me ofendime, akuza të pabaza dhe të rënda verbale.

Votuam, e votojmë dhe gjithmonë e votofshim vetëm demokracinë e cila na emancipon rreth shtetndërtimit të përbashkuar, me atë frymën me të cilën të parët u munduan të na rrisin: një komb, një gjuhë dhe një shtet të së drejtës. Kaq duan shqiptarët. Asgjë më shumë. Dhe, prandaj, shqiptarëve në asnjë teori dhe kontekst historik nuk mund t’iu mveshet cilido lloj epiteti që ka të bëjë me ndonjë gjë terroriste.

Pra, shqiptarët NUK janë terroristë!

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *