Opinion/Aktualitet

Shqiptarët e Serbisë druhen se fuqia e votës po u minohet sistematikisht

Shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës druhen se do të kenë edhe më pak votues me të drejtë vote në zgjedhjet e Serbisë të 3 prillit sesa më parë, pjesërisht falë një praktike të dyshuar çregjistrimi adresash.

Pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet e Serbisë më 3 prill duket se do të bjerë dhe nuk ka të bëjë fare me apatinë, thonë politikanët dhe studiuesit vendas. Arsyeja e vërtetë, thonë ata, është një politikë e çaktivizimit të adresave që ka bërë që mijëra shqiptarë të hiqen nga lista zgjedhore, me pasoja për përfaqësimin politik të komunitetit.

Në një praktikë të supozuar të përshkruar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi si “spastrim etnik me mjete administrative”, adresat e mijëra shqiptarëve në Luginën e Preshevës janë klasifikuar si joaktive në vitet e fundit, duke rrezikuar qasjen e tyre në një varg të shërbimeve publike dhe të drejtave të qytetarëve, përfshirë të drejtën e votës.

Flora Ferati Sachsenmaier, ligjëruese në Institutin e Sociologjisë në Universitetin Georg-August të Gottingen në Gjermani dhe me origjinë nga komuna e Medvegjës në Luginën e Preshevës, tha se 4,200 njerëz i kanë parë adresat e tyre të klasifikuara si joaktive vetëm në Medvegjë, dhe rreth 2,000 në Bujanoc.

“Por numri po rritet çdo ditë”, tha Ferati Sachsenmaier për BIRN. Informacionet paraprake, tha ajo, sugjerojnë se vetëm 700 shqiptarë etnikë do të kenë të drejtë të votojnë në Medvegjë në zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale të 3 prillit, krahasuar me rreth 1,900 në zgjedhjet e mëparshme parlamentare në 2020.

Serbia ka hedhur poshtë pretendimet se adresat e shqiptarëve etnikë po çaktivizohen qëllimisht dhe në korrik 2020 presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se vetëm 300 shqiptarë jetojnë në Medvegjë. Rënia e popullsisë etnike shqiptare është thjesht për arsye ekonomike, thotë Serbia.

Megjithatë, Komisioni Evropian, në raportin e tij më të fundit mbi progresin e Serbisë drejt anëtarësimit, u kërkoi autoriteteve serbe “të shpjegojnë më mirë për publikun se si po kryhen këto kontrolle të statusit rezident.”

Akuzat për standarde të dyfishta

Komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës – të njohura kolektivisht si Lugina e Preshevës  janë ndër më të varfrat në Serbi dhe janë ngjitur me Kosovën me shumicë shqiptare,  ish krahinë jugore e Serbisë që u nda në luftë në vitet 1998-1999 dhe shpalli pavarësinë më 2008.

Një kryengritje e shqiptareve në Luginën e Preshevës në vitin 2001 përfundoi me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga perëndimi për të drejta më të mëdha lokale, por zona vazhdon të vuajë nga mungesa e vëmendjes dhe investimeve, duke bërë që shumë të rinj të kërkojnë punë diku tjetër – shpesh vetëm përkohësisht – në rajonin e Ballkanit ose në Evropën Perëndimore.

Shumë prej tyre me pas zbuluan se adresat e tyre ishin deklaruar joaktive nga autoritetet kur nuk ishin në gjendje të gjenin emrat e tyre në listën zgjedhore në vitin 2016 dhe përsëri në vitin 2020.

Driton Hyseni, student 23-vjeçar i gazetarisë me origjinë nga Bujanoci, tha se shumë nga të afërmit e tij, që tani jetojnë në Kosovë, nuk ishin në gjendje të riperterinin dokumentet e tyre serbe.

“Ata kanë tentuar të marrin dokumente identifikimi në Bujanoc, por arsyetimi i zyrtarëve në Ministrinë e Punëve të Brendshme serbe ishte se nuk jetojnë më në Bujanoc,” tha Hyseni.

Për krahasim, kritikët theksojnë faktin se Serbia vazhdon të sigurojë që serbët e Kosovës të votojnë në zgjedhjet serbe, një reflektim i refuzimit të Serbisë për të njohur Kosovën si të pavarur.

Kosova ka refuzuar lejen për ngritjen e qendrave të votimit në territorin e saj, që do të thotë se serbët e Kosovës në vend të kësaj do të votojnë në qytetet në Serbinë qendrore dhe jugore, duke përfshirë Bujanocin.

Ndërkohë, disa politikanë serbë kanë qenë në Medvegjë për të marrë vota për Vuçiçin. Kur ministri i mbrojtjes Aleksandar Vulin bëri udhëtimin më 20 mars, ai u shoqërua nga mbështetësit me bluza me fjalët ‘Srpski Svet’, ose ‘Bota Serbe’, një koncept që Vulin e mbron rregullisht dhe që të kujton ideologjinë e “Serbisë së Madhe”, e cila nxiti luftërat e shpërbërjes së Jugosllavisë dhe që i bën jehonë gjithashtu thirrjes për një “Botë ruse” që ka karakterizuar sundimin e presidentit Vladimir Putin.

Ndikimi i përfaqësimit  shqiptar në parlament

Shaip Kamberi, kandidati kryesor për deputet nga Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, tha se kishte frikë se zgjedhjet e prillit do të “reflektojnë shumë më qartë shkallën e të ashtuquajturit pasivizim të adresave të shqiptarëve”. Kamberi tha për BIRN se koalicioni i tij kishte paralajmëruar vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve për “ndryshimin artificial në listën zgjedhore” si rezultat i praktikës.

Lirona Zuka, e cila po ashtu kandidon për parlament së bashku me Kamberin, tha se disa shqiptarë që jetonin përkohësisht diku tjetër kishin “frikë të kalonin kufirin” për të votuar në zgjedhje nga frika se mund t’i shtynte autoritetet të çaktivizonin adresën e tyre gjithashtu.

Lideri i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi tha për BIRN: “Për shkak të këtij fenomeni, një praktikë diskriminimi dhe mohimi që na lë të handikapuar kur bëhet fjalë për të drejtën e votës, na mungojnë të paktën 10,000 votues, që do mund të nënkuptonte më shumë deputetë shqiptarë në Parlamenti serb”.

Por Arifi dhe Kamberi akuzohen gjithashtu se kanë dëmtuar shpresat e komunitetit të tyre për të siguruar rezultatin më të mirë elektoral të mundshëm duke dështuar në riberjen e një aleance elektorale të ndërmjetësuar nga Shqipëria përpara zgjedhjeve të mëparshme parlamentare në 2020.

Secila parti akuzoi tjetrën se ka vënë në plan të parë interesat e veta, në dëm të disa votuesve shqiptarë e, të cilët mund të kenë qenë më të gatshëm të votojnë për një bllok të bashkuar.

“Ndarja në dy lista elektorale e bën të vështirë,” tha Kamberi, që shqiptarët të mbajnë katër vendet që fituan në parlamentin serb në vitin 2020./Reporter.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *