Lajme

Shqiptarët “dynden” drejt bankave/ Kredia për shtëpi vendos rekord të ri, 38.5 milionë euro në qershor

Kredia për shtëpi ka thyer një rekord të ri në muajin qershor. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bankat disbursuan 4.7 miliardë lekë, ose rreth 38.5 milionë euro me qëllim financimin dhe blerjen e banesave nga individët. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kredia e re për banesa është rritur me 135%.

Shuma e kredisë së re në fakt mund të përfshijë edhe rifinancimet, apo zhvendosjet e kredive ekzistuese nga njëra bankë te tjetra, por, pavarësisht kësaj, tendenca e kreditimit për këtë produkt është dukshëm në rritje shumë të fortë krahasuar me vitin e kaluar, edhe me vitet e mëparshme. Për 6-mujorin 2021, sektori bankar në vend ka disbursuar 19 miliardë lekë, ose rreth 155 milionë euro kredi të reja për shtëpi. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vlera e disbursimeve të reja është rritur me 88%.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për gjysmën e parë të këtij viti, rritja e kredisë së re për ekonominë është mbështetur e gjitha tek individët. Kredia për individë është rritur me 83% me bazë vjetore dhe kontributi kryesor ka ardhur pikërisht nga kredia për blerjen e banesave. Tregu i pronave duket se po përjeton një bum të ri, me rritje të shitjeve dhe shtrenjtim dyshifror të çmimeve me bazë vjetore. Sipas Bankës së Shqipërisë, çmimet e pronave në Shqipëri u rritën mesatarisht me 11.3% vitin e kaluar. Rritja e çmimeve po bën që shumë familje t’i shohin pronat si një investim me leverdi. Normat e ulëta të interesit dhe oferta e lartë e sektorit bankar po japin patjetër një kontribut të rëndësishëm në rritjen e tregut të pronave.

Lexo më shumë  Gërvalla: Kosova e përkushtuar për rritjen e bashkëpunimit me Greqinë, fokus tregtia e investimet

Prej disa tremujorësh radhazi, bankat deklarojnë lehtësim të vazhdueshëm në standardet e kreditimit për individët, si pasojë e shtimit të konkurrencës në sistemin bankar, por edhe prej perceptimit të bankave për rrezik më të ulët lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësve. Kredia në shtëpi siguron volume të kënaqshme huadhënieje, por paralelisht edhe një shpërndarje të mirë të rrezikut në shumë huamarrës. Nga ana tjetër, edhe rritja e çmimeve po ndikon në vlera më të mëdha të kredive të marra nga individët për të blerë banesa.

Në fund të muajit qershor, portofoli i kredisë bankare për blerje banesash arriti vlerën e 137 miliardë lekëve, ose pothuajse 1.12 miliardë eurove. Në një vit, portofoli i kredisë për shtëpi është rritur me 13.3%. Kjo rritje është rreth 2.3 herë më e lartë se zgjerimi mesatar i portofolit të kredisë për ekonominë për të njëjtën periudhë.

Rritja  e tregut të pronave po bën që bankat të mbështesin jo vetëm kërkesën për pasuri të paluajtshme, por edhe ofertën, duke financuar ndërtimin e njësive të reja.

Statistikat tregojnë se për 6-mujorin 2021, kredia e re për sektorin e ndërtimit arriti në pothuajse 14 miliardë lekë, në rritje me 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kredia e re për ndërtimin përbënte 20.3% të kredisë së re dhënë për kompanitë private, duke arritur peshën më të lartë në të paktën pesë vitet e fundit. /Monitor

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *