Shqipëria reale i përket Evropës – pa hezitime

Advertisement
Advertisement

BE-ja duhet të eksportojë e garantoj stabilitet dhe jo të importojë destabilitet. Prandaj qëndrimi ndaj Serbisë duhet të ndryshojë rrënjësisht.
Shqipëria reale mund të jetë makthi i Serbisë, por për Evropën ajo do të ishte de fakto hap i shndërrimit të saj si tërësi në një Federatë a Konfederatë e ngritur mbi parimet e federalizmit alias konfederalizmit demokratik.

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Të shtunën që lamë pas, në 7 maj, në Vlorë është promovuar shtatorja e Hasan Prishtinës, njërit prej tre ideologëve të Shtetit Shqiptar. Fjalën e kam për etërit real të Shqipërisë moderne – Ismail Qemailin, Hasan Prishtinën e Luigj Gurakuqin – “triumviratin e ‘Romës’ me shqiponjën me dy krerë”, siç i cilëson një mik imi.
Kjo shtatore e përfaqësuesit më të denjë të irridentës shqiptare, që ju imponua asaj pas vendimeve të Konferencës së Londërës (1913), vije në Vlorë me shumë vonesë, madje e imponuar disi nga kriptoelita jonë dhe familjarët.
Një shtatore në Parkun e Pavarësisë në Vlorë e Hasan Prishtinës, aty ku ka vendin panteoni i Kombit, sikur ua kujton brezave aksiomën e tij të njohur se, nuk mund të ketë “Shqipëri reale pa Kosovën”.
Këtë fakt, po, e dëshmoi shekulli që lamë pas, ndërkaq lufta në Ukrainë vetëm sa e sforcon nevojën e përshpejtimit të krijimit të “Shqipërisë reale”, fillimisht në trajtën e Federatës Shqiptare.
Shqipëria reale mund të jetë makthi i Serbisë, por për Evropën ajo do të ishte de fakto hap i shndërrimit të saj si tërësi në një Federatë a Konfederatë e ngritur mbi parimet e federalizmit alias konfederalizmit demokratik. Ndërkaq në rrafshin e funksionalizimit të saj të mirëfilltë si strukturë suigeneris tej mase e byrokratizuar, ajo duhet të marrë masa për deburokratizim.

                    ***

Rajoni i Ballkanit është në një fazë vendimtare për të ardhmen e tij.
Ndikimi në rritje i aktorëve joperëndimorë si Rusia, do të duhej t’i kishte alarmuar me kohë shtetet e BE-së. Kjo vonesë ka koston e vet.
Lufta në Ukrainë që po hynë në muajin e tretë , ka bashkuar edhe më shumë 27 vendet e BE-së. Këtij bashkimi i mungon Evropa Juglindore si asnjëherë më parë.
Kjo luftë ka injektuar gjithashtu edhe “një jetë të re në aleancën e NATO-s dhe marrëdhënie më të gjera transatlantike”.[1]
Akti i deklaratës së Robert Schuman, që i dha impuls historisë së kontinentit tonë 72 vjet më parë, duke i hedhur themelet për Bashkimin Evropian si strukturë e vullnetit politik, që buroi nga elita evropiane, ndërkohë qëndron më i fortë se kurrë, por si i tillë, ai nuk mund të cilësohet si i përmbyllur, pa integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Politika udhëhiqet nga interesat. Edhe në kohë lufte. Rusia vzhdon të investoj për realizimin e strategjisë së saj që bien ndesh me interesat e Evropës. Ndërkohë ka shkaktuar të çarat e para serioze brenda tij (rasti i Hungarisë dhe qëndrimi i saj në raport me sanksionet e vendosura të Brukselit ndaj Rusisë, është evident). Në këtë kuadër, t’i shtosh Serbinë BE-së, para se t’i tregohen kufijtë te thana, do të thotë t’i fusësh zjarrin shtëpisë me vetëdëshirë e paramendim. Ky nuk është interesi i anëtarëve aktual, por as edhe i pretendentëve për aderim në BE. Aderimi i Serbisë dhe Malit të Zi, siç dëshmon procesi aktual, nuk mbështetet njësoj në të gjitha kryeqytetet. Edhe më të përçarë janë në Brukselë rreth procesit të aderimit të Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë. Kjo e fundit, duket se po pëson të famshmin “dëm kolateral” të përplasjeve historike mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut që ndërlidhen me vet identitetin e kësaj të fundit.

Brukseli para ndryshimit të kursit
Në raport me të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës gjendja është edhe më e rëndë, meqë vetëm 22 nga 27 vendet e BE-së e kanë njohur atë si shtet të pavarur. Në krejt këtë peisash intresash politike të shteteve-kombe të BE-së, Bosnjë-Hercegovina konsiderohet tutje “shtet në dështim e sipër” – e pasigurtë, rrjedhimisht as që bëhet fjalë për aderimin e saj në BE në këtë trajtë që ajo ka sot. Megjithatë, Brukseli, siç po potencohet gjithnjë e më zëshëm në Berlin e Paris, nuk heq dorë nga integrimi i Ballkanit Perendimor si tërësi në BE, duke e konsideruar me të drejtë atë si burim potencial konflikti të forcave të jashtme.
Deklaratën e para ca ditëve të Presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, se BE-ja po t’i ofronte Ukrainës një proces të përshpejtuar të anëtarësimit, “kërcënon të lindë shpresa të rreme”, [2] duhet analizuar me shumë vëmendje. Diçka të ngjashme, pra ndjesi që kishte lindur “shpresa të rreme”, kishte ndjellur edhe Konferenca e Selanikut (2003) në raport me të ardhmen e Ballkanit Perendimor, prandaj jemi ku jemi si Ballkan Perendimor në përgjithësi.

Në takimin e nivelit të lartë të BE-së në Selanik atbotë (2003), BE-ja kishte hapur përspektivën konkrete për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në deklaratën e lëshuar nga Brukseli atbotë thuhej: “BE-ja përsërit mbështetjen e saj të parezervë për orientimin evropian të Ballkanit Perëndimor. E ardhmja e Ballkanit qëndron në Bashkimin Evropian”. Për kohën kjo deklaratë ishte vërtet shpresëdhnëse, sidomos për forcat progresive të rajonit. Por, tani po përmbyllen dy dekada, nga koha kur u bë kjo deklaratë, e Brukseli vazhdon ta mbajë tutje këtë pjesë të Evropës Juglindore “me shpresa të rreme”. Prandaj kërkohet veprim urgjent. Ndryshim i kursit.
Anëtarësimi në BE nuk ka ndodhur e nuk ndodhë me nxitim, meqë ai bazohet në procedura jo pak të ndërlikuara dhe me kritere të përcaktuara qartë që u vendosën në vitin 1993 në samitin e BE-së, në Kopenhagë, në prag të zgjerimit të BE-së drejt lindjes.[3]
Këto kritere kanë të bëjnë me institucione stabiliteti, prosperim e garantim të rendit demokratik e etablim të shtetit të së drejtës, respektim të të drejtave të njeriut, mbrojtje të mirëfilltë të pakicave dhe ekonomi tregu funksionale.
Kryetarja e Senatit të Holandës, Ankie Broekeres-Knol gjatë një vizite dyditore në Shqipëri, në korrik 2018, përveç se konfirmoi mbështetjen e Holandës për çeljen e negociatave, pohoi: “Shqipëria është vend europian, i përket Europës, i përket familjes europiane. Deri qershorin e vitit 2019 ju do i keni mbushur detyrimet për të hapur negociatat dhe për tu bërë anëtarë të BE. Do jetë një vit i vështirë, por është një mundësi e madhe në mënyrë që verën tjetër Shqipëria t’i hapë rrugën integrimit në BE. Jam e bindur që në qershor do të hapni kapitujt e negociatave për tu bërë anëtarë të përhershëm të BE. I përkasim Europës dhe duhet të përqafojmë njëri-tjetrin”[4], tha ajo.
Në këtë linjë ishin edhe konkluzat e raportit përfundimtar mbi rezultatet e konferencës së Komitetit Ekzekutiv të Konferencës që u mbajt më 9 maj në Strasburg. Ky raport është produkt i një rrugëtimi të paprecedentë njëvjeçar të diskutimit, debatit dhe bashkëpunimit mes qytetarëve dhe politikanëve europian, që kulmoi me 49 propozime që përmbanin objektiva konkrete dhe më shumë se 320 veprime për t’i zbatuar nga institucionet e BE-së. Konferenca ishte gjithashtu produkt i ushtrimit të demokracisë së hapur e të papresedan, që shpërfaqë gjakimin e qytetarëve për të adhmen e Europës transnacionale.
Gjatë verës së vitit 2014, Fondacioni Friedrich-Ebert kishte ftuar ekspertë të BE-së për të zhvilluar së bashku skenarë për të ardhmen e Evropës, respektivisht për në vitin 2030.
Atbotë ky ekip ekspertësh nga dymbëdhjetë vende europiane kishte parashtruar katër skenar të mundshëm. Skenarët duhej të ofronin sugjerime për një debat rreth opsioneve të Ostpolitikës gjermane dhe përgjithësisht evropiane – 40 vjet pas Aktit Përfundimtar të KSBE-së të Helsinkit dhe 25 vjet pas Kartës së Parisit, e cila do të hidhte themelet për Shtëpinë Evropiane.
Tek tashti pas agresionit rus në Ukrainë konkluzionet janë të qarta: Ostpolitika gjermane në themel ishte e dështuar. Në realitet jemi duke jetuar skenarin nr 3 – që parashihte aktin e rrënimit të mundshëm të Shtëpisë europiane. Sipas këtij skenari Europa na rezulton në vitin 2030 e ndarë: vendet e “Partneritetit Lindor” janë bërë objekt i një konfrontimi të vazhdueshëm midis BE-së dhe Rusisë. Një zonë paqëndrueshmërie është shfaqur përgjatë vijës ndarëse nga Deti Baltik në Detin e Zi.[5]Varësia e Europës nga Rusia (varësia në lëmin e energjisisë) ka shkuar duke u thelluar… Ndërkaq lufta në Ukrainë e bën BE-në të rrëshqasë drejt skenarit të katërt, që i përshruan të ardhme të zymtë kontinentit të vjetër. Sipas tij BE-ja, e me këtë edhe Europa si tërësi bëhet e papërfillshme, mbetet shumë prapa qendrave të reja globale të fuqisë në Azi dhe Amerikë.
A mjafton vetëm guximi i ukrainasve, qoftë ky edhe në aleancë me kombet evropiane, si masë për shpëtimin e kontinentit?
Europa është duke jetuar ende në interregnum.[6] Brukseli duhet të mësohet të regojë konformë rrethanave të jashtëzakonshme që po jetojmë. Përgjegjia europiane ndaj agresionit rus nu I ipet vetëm duke u përqëndruar rreth luftës në Ukrainë, ajo munnd e duhet të bëhet edhe duke I hapur rrugë integrimit të përshpejtuar ët Ballkanit Perendimor në BE.
Ka ardhur koha që Brukseli ta kuptojë edhe më qartë forcën e vet Unionit, që sipas CHARLES MICHEL, ai buron tek filozofia e tij dhe aftësia për prosperim të përhershëm. Prandaj ai konsiderohet “mbi të gjitha si një projekt transformimi”.[7]

Advertisement

Rikthimi i gjeopolitikës si parim qensor i integrimit

Shqipëria, pas njohjes si një vend kandidat potencial në samitin e Zagrebit në 24 nëntor të vitit 2000, ka bërë një rrugëtim të gjatë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Mbyllja e negociatave dhe nënshkrimi i Marrëveshjes të Stabilizim Asociimit (MSA), të nisura në 31 janar 2003, midis Republikës së Shqipërisë nga njëra anë dhe Komunitetit Europian dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian, nga ana tjetër në qershor 2006, shënon fillimin e një epoke të re për zhvillimin e politikave institucionale, ligjore, ekonomike dhe sociale të Shqipërisë, me qëllim harmonizimin e tyre me standardet europiane.
Ky proces ndërkohë mund të precipitojë drejt hapjes së bisedimeve.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vendet e Ballkanit Perendimor që kishin shpresa të mëdha për fillimin e negociatave të anëtarësimit që në vitin 2020.
Por le t’i kthehemi paksa historisë së këtij procesi.
Në prill 2009, Shqipëria paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në Këshillin Evropian. Pas konsultimit me Këshillin e BE-së, Komisioni Evropian i hapë rrugë këtij procesi përmes një opinioni pozitiv.
Në nëntor 2010, Komisioni Evropian arriti në përfundimin se Shqipërisë së pari, i duhej të përmbushte kriteret e anëtarësimit në masën e kërkuar përpara se të hapeshin negociatat e anëtarësimit. Por, pavarësisht dyhamendësimeve në tetor 2012, Komisioni nxori një opinion duke rekomanduar që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat, me kusht që të kishte përfunduar masat në fusha të caktuara.
Në rastin e Shqipërisë, Komisioni Evropian rekomandoi fillimin e negociatave të anëtarësimit për herë të parë në prill 2018. Këshilli miratoi konkluzionet në qershor 2018, në të cilat ra dakord t’i përgjigjet pozitivisht progresit të deritanishëm të Shqipërisë. Sidomos në disa fusha kyçe, si p.sh shteti ligjor, lufta kundër krimit të organiuar, korrupsionit etj. Megjithatë, pritet përparim i mëtejshëm në fusha të tilla si reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Holanda, Franca dhe Danimarka kundërshtuan fillimin e negociatave të anëtarësimit.
Në mars 2020, ministrat e BE-së përgjegjës për çështjet evropiane dhanë dritën e gjelbërt për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Pritej fillimi i negociatave në fushat përkatëse si politika ekonomike, politika e jashtme, sundimi i ligjit etj, që përbëjnë tërësinë e 35 kapitujve specifik gjatë disa viteve të ardhshme.
Negociatat vazhdojnë të zhvillohen në konferencat e anëtarësimit ndërmjet qeverive të vendeve të BE-së dhe qeverisë së Shqipërisë në nivel ministror. Qllimi është sa i natyërs politike, po aq edhe i asaj ligjore i korpusit të së drejtës europiane që duhet t’i përmbushë vendi kandidat për aderim në BE.
Nga ana e saj, BE-ja i mbështet shtetet kandidatë për përmirësimin e infrastrukturës dhe ekonomisë së tyre, duke i ndihmuar ata të miratojnë këtë korpus të së drejtës së BE-së, duke shoqëruar këtë me mbështetje financiare.[8]
Një periudhë ishte potencuar se viti 2025, mund të ishte viti kur disa nga vendet e Ballkanit Perendimor, në mesin e tyre edhe Shqipëria, do të mund të anëtarësohej në BE. Për samitin BE-së Ballkani Perëndimor në tetor 2021, ishte krijuar bindja, jo vetm te drejtues të vendeve mike që avokoni pro aderimit të Shqipërisë në BE, që viti 2030 do të mund të zihej në gojë si datë për anëtarësimet e ardhshme. Megjithatë, as ai samit nuk ra dakord për një orar specifik. Në qarqet politike të Brukselit, Ballkani Perëndimor megjithëse trajtohet në parim pjesë e familjes europiane, portat i mbahen tutje të mbyllura. Sërish në skenë dalin interesat dhe përplasjet e natyrës gjeopolitike. Ashtu si në rastin e aderimit të Rumanisë dhe Bullgarisë, edhe në këtë të Shqipërisë dhe Bullgarisë, por edhe Ballkanit Perendimor në tërësi, vije në shprehje rikthimi i gjeopolitikës si parim qensor i integrimit.
“Ose Evropa do të shtrijë dorën ose do ta bëjnë të tjerët,” tha kryeministri letonez Krisjanis Karins.
Deklarata e ministrit serb pa portofol Nenad Popoviç. pikërisht në ditën e Europës, se “Serbia dhe Rusia kanë qenë përherë në anën e duhur të historisë”, këtë lloj përplasjeje të karakterit gjeopolitik e mbanë në jetë edhe sot e kësaj dite.[9]
Me gjithë vullnetin politik të Shqipërisë dhe shqiptarëve, përpjekjeve të bëra nga presidencat gjermane dhe portugeze, Këshilli i BE-së, e shtyu çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Presidenca franceze as që e vuri tiganin në zjarrë. Shkas për këtë vendnumrim u bë qëndrimi bullgar në raport me Maqedoninë e Veriut. Kjo u bë e qartë pas takimit të Këshillit të Ministrave për çështje të përgjithshme, që u zhvillua më 22.06.21, në Luksemburg.
Ndërkohë presidenti i Francës, Emanuel Makron, më 9 maj e bëri publike idenë e tij për krijimin e një organizate të re paneuropiane me emrin “Komuniteti Politik Europian”.
Ai këtë ide e sheh si alterantivë për anëtarësim të shteteve europiane, të cilat kanë shprehur aspiratën e tyre për ederim në BE, por edhe si mundësi për riafrimin e Britanisë së Madhe.
Reagimet ndaj idesë së Makronit ishin të matura, por gjithësesi në linjë me interesat e boshtit Berlin-Paris, që ka vite që kanë projektuar edhe mundësinë e thellimit të procesit integrues brenda BE-së duke aplikuar dy shpejtësi.
Ky fakt dhe gjasat që integrimi i Ballkanit Perendimr të shtyhet për kalendrat greke, që duket se ka qenë jo vetëm i parashikueshëm, por edhe i parapëlqyeshëm për disa prej liderëve autoritar të rajonit, bëri që kryeministri i Shqipërisë t’i futet një aventure të rrezikshme, duke e pozicionuar Shqipërinë si palë në projektin ruso-serb për ringjalljen e Jugosllavisë, që fillimisht qe pagëzuar si Iniciativa e Novisadit, pastaj u quajt “Mini-Shengeni Ballkanik” dhe së fundmi “Ballkani i Hapur”.
Rrjedhimisht na rezulton se asgjë në epokën tonë nuk mund të mirret më si e mirëqenë dhe e vetëkuptueshme, as liria e rrjedhmisht as demokracia.
Si rezultat i luftës dhe agresionit rus në Ukrainë, qendrat vendimmarrëse të Europës, para së gjithash Berlini e Parisi, sërish kanë rikthyer vëmendjen nga Ballkani Perendimor. Madje jo vetëm edhe shtetet tej Ballkanit Perednimor kanë shprehur dëshirën e tyre për t’u anëtarësuar në BE. Ukraina aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE në fillim të marsit 2022. Pak ditë më vonë, Gjeorgjia dhe Moldavia gjithashtu paraqitën një kërkesë për anëtarësim në BE.
Në këtë rikthim të gjeopolitikës, Berlini e Parisi kanë hedhur vëmendjen edhe drejt Ballkanit Perendimor dhe rrjedhimisht edhe drejt Kosovës. Pavarësisht se a i është rezervuar lokomotiva e shpetë e ecjes drejt Brukselit trenit që njihej me emrin “Express”, që dikur përshkonte këto hapësira duke filluar nga Selaniku drejt Mynihut, apo një lokomotivë tjetër që e paskërka ideuar Franca e Makronit për ecje të ngadaltë, Kosova në deklaratat e zyrtarëve të Brukselit, po vazhdon të llogaritet si njëri ndër “vendet potenciale kandidate” për aderim në BE.

Advertisement

Pozicioni serb – i hamendësuar
Por në ç’pozicione ndodhet ndërkohë Serbia në raport me procesin përafrues me Brukselin?
Nga gjithsej 35 kapituj të negociatave, 18 janë ndërkohë të hapur për negociata, nga të cilët 2 kapituj tashmë janë mbyllur përkohësisht. Konferencat e mëtejshme të anëtarësimit do të planifikohen konform progresit të procesit.
Në raportin e progresit të vitit 2021, Parlamenti i BE-së shprehu, ndër të tjera, shqetësimet e tij për “një fushatë reale [në Serbi] për të delegjitimuar pavarësinë e Kosovës”. Kjo gjuhë tepër e matur e aplikuar edhe në këtë lloj komunikimi me Serbinë, nuk ka arritur ta shkëpusë dot klasën politike që drejton ndërkohë Serbinë nga iluzionet për riokupimin e Kosovës, respektivisht shkëputjes së veriut si “kompenzim real”, respektivisht “përfundim logjik i një kompromisi”!
Serbia tutje është e hamendësuar se si të rreshtohet: pro axhendës gjeopolitike ruse të “ringjalljes sllave” edhe për Ballkanin [10], siç e formulon ideologu rus Aleksandër Dugin, apo ecjes drejt Brukselit. Për Duginin Serbia mbetet “e dashura e tij”, po aq sa për Vuçiqin Rusia trajtohet si “e dashura” e tij.

Shqipëria reale e Hasan Prishtinës vs BE-së
Në ceremonin e përurimit të shtatores së Hasan Prishtinës në Vlorë mungonte niveli i byrokratëve të lartë të Tiranës zyrtare. Por, aty ishte ministri i Mbrojtjes i FSK dhe një grusht idealistësh, që me kohë kanë përvetësuar aksiomën e Hasan Prishtinës mbi Shqipërinë reale dhe vendin që duhet të ketë Kosova brenda saj.
BE-ja është bashkim vullnetar i shteteve-kombe. Shqipëria reale mund të cilësohet shtet-komb kur brenda saj është edhe Kosova. Viti 2008 ishte hapi i madhë që bëri Kosova drejt “Shqipërisë reale”. Këtë fakt duket ta kenë kuptuar drejt byrokratët e Brukselit.
Ballkani Perendimor i përket si tërësi Evropës. Shqipëria reale e Hasan Prishtinës krejt natyrshëm I përket pa hezitime BE-së. Në këtë kuadër hyn gjithësesi edhe Serbia. Ajo nuk mundet tutje të shërbejë si satelit i Rusisë, nëse pretendon tutje të jetë pjesë e demokracive liberale, respektivisht anëtare e BE-së.
Serbia me këtë klasë politike në krye, për Brukselin është e qartë, mbetet tutje një bombë me sahat. Prandaj qëndrimi i Brukselit ndaj Serbisë duhet të ndryshojë rrënjësisht.
Nëse për Brukselin dhe demokracitë liberale përgjithësisht, Kosova trajtohet si një vend që për të mbijetuar duhet t’i bashkohet Shqipërisë, atëherë nuk ka pse të pengohet tutje duke e kushtëzuar me vendimet që dikur i ishte imponuar faktorit shqiptar nga Grupi i Kontaktit (2007).
Ndërkaq Shqipëria reale për BE-në, tashmë është e qartë, garanton stabilitet e prosperitet. Si e tillë ajo nuk guxon të përdoret si një gogol vs Brukselit.
Shqipëria reale, si nga drejtuesit e politikës sonë në Tiranë e Prishtinë, edhe nga Brukseli, ka ardhur koha që duhet të konsiderohet si një realitet politik në ardhje, i pashmangshëm; ajo është si sistem që automatizon veprimet, i përqëndron energjitë dhe duke i seleksionuar vlerat brenda kombit shqiptar, u jep atyre vendin meritor, ndërkaq forcave gjithëpërfshirëse të shoqërisë u shton gamën e ndikimit pozitiv maksimalist edhe në fushën e mendimit politik përbashkues me Europën dhe vet ripozicionimit të plotë gjeopolitik të rajonit.


Fusnotat

  1. https://www.atlanticcouncil.org/blogs/new-atlanticist/putin-and-xi-are-accelerating-their-push-against-democracy-heres-how-the-us-can-fight-back/
  2. Michael J. Reinprecht: https://www.wienerzeitung.at/meinung/gastkommentare/2146610-Die-Ukraine-gehoert-zu-Europa-aber-mit-Bedacht.html
  3. Po aty
  4. https://sot.com.al/politike/kryesenatorja-e-holandes-negociatat-ne-qershor-shqiperia-i-perket-familjes-europiane
  5. https://www.fes.de/aus-der-traum-vier-szenarien-fuer-die-zukunft-europas
  6. Le Grand Continent, Politiques de l’interrègne, Gallimard, 2022
  7. https://legrandcontinent.eu/de/2022/04/01/europa-macht-im-werden/
  8. Më gjerësisht shih burimin: Europäischer Rat: Erweiterung der EU – Albanien https://osteuropa.lpb-bw.de/albanien-eu-beitritt
  9. https://www.danas.rs/vesti/drustvo/popovic-na-manifestaciji-besmrtnoi-puk-srbija-i-rusija-uvek-bile-na-pravoj-strani-istorije/
  10. https://www.facebook.com/watch?v=716853162683839

© Rruga Press

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.