KryesoreSport

SHQIPËRIA NË EURO 2024 – Kuqezinjtë barazojnë në Moldavi, festa shqiptare fillon

Kombëtarja e Shqipërisë ka siguruar biletën e kualifikimit për në Kampionatin Evropian që do të mbahet në Gjermani vitin e ardhshëm, pas barazimit 1-1 ndaj Moldavisë në udhëtim.

Shqipëria ishte pothuajse gjatë tërë kohës më e mirë se kundërshtari duke pasur posedimin dhe rastet në anën e saj.

Fillimi i ndeshjes ishte i zbehtë pa raste të mira shënimi, teksa të dy ekipet po prisnin ndonjë gabim eventual të njëra tjetrës për të rrezikuar.

Vendasit mundësinë më të mirë për gol e patën në minutën e 16-të, por goditja e Nicolaescut u ndal me sukses nga Etrit Berisha.

Lexo më shumë  NPB-ja dhe Njësia Speciale me aksion në lokalet e uzurpuara

Kuqezinjtë kaluan në avantazh në minutën e 25-të, me Sokol Cikalleshin që realizoi për 1-0 pasi u tregua i saktë nga penalltia të cilën e fitoi Taulant Seferi.

Me epërsinë minimale të Shqipërisë përfunduan 45 minutat e parë të përballjes.

Në pjesën e dytë vendasit morën kontrollin e ndeshjes por pa arritur të shënojnë pasi hasën në rezistencë të fortë nga mbrojtja e Shqipërisë.

Nicolaescu pati mundësinë e artë për të barazuar shifrat në minutën e 55-të, por Berisha nuk lejoi që të mposhtej.

Lexo më shumë  “Mora Fjalë” ndalohet të këndohet në 'Air Albania', reagojnë Shkurte Fejza dhe Lorik Cana

Shqipëria në anën tjetër rrezikoi seriozisht në minutën e 73-të por goditja e Taulant Seferit u ndal nga shtylla.

Moldavia arriti të barazojë shifrat në minutën e 87-të pas një tollovie brenda zonës ku autor i golit ishte mbrojtësi Vladislav Baboglo.

Deri në fund nuk kishte më raste të mira shënimi dhe Shqipëria siguroi kualifikimin për herë të dytë në historinë e saj në Evropian pasi paraprakisht kishin qenë pjesëmarrës në vitin 2016.

YouTube player