Shqipëria dhe Izraeli nënshkruajnë memorandum të ri bashkëpunimi në bujqësi
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Sigurisë Ushqimore është dhënë lajmi se Shqipëria dhe Izraeli kanë nënshkruar një memorandium bashkëpunimi në fushën e bujqësisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe Sigurisë Ushqimore të Izraelit, Oren Lavi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në kuadër të përpjekjeve për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorin e bujqësisë, sigurisë ushqimore dhe inovacionit.
Gjatë vizitës, Oren Lavi u takua edhe me zëvendësministrin e Bujqësisë, Fatmir Guri, me të cilin nënshkroi një marrëveshje të re bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit.
Oren Lavi, Drejtor i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë dhe Sigurisë Ushqimore tha se : “Marrëveshja shpreh angazhimin e përbashkët të Izraelit dhe Shqipërisë për të zgjeruar bashkëpunimin në fushat e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, dhe krijon një infrastrukturë të gjerë për promovimin e inovacionit, kërkimit dhe zhvillimit, transferimit të njohurive dhe krijimin e mundësive të reja për të dy vendet. Në dritën e sfidave globale në fushën e ushqimit dhe klimës, bashkëpunime të tilla nuk janë vetëm një mundësi profesionale, por edhe një komponent thelbësor në ndërtimin e sistemeve të forta dhe të përparuara ushqimore, të cilat janë më elastike për të ardhmen.”
Delegacioni izraelit mori pjesë gjithashtu në Konferencën “AgriNext 2026 – Forumi Izrael-Shqipëri për Sigurinë Ushqimore dhe Inovacionin Ekonomik”, ku u nënshkrua një memorandum i ri mirëkuptimi në fushën e bujqësisë. Marrëveshja konsiderohet historike, pasi rinovon bashkëpunimin institucional pas marrëveshjes së mëparshme të nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2001.
Memorandumi parashikon bashkëpunim në fushat e teknologjisë dhe inovacionit bujqësor, sigurisë ushqimore, mbrojtjes së bimëve, ujitjes, plehërimit, mirëqenies së kafshëve, shërbimeve veterinare, si dhe trajnimin e ekipeve profesionale. Po ashtu, ai synon të nxisë shkëmbimin e njohurive, kërkimin shkencor dhe transferimin e teknologjive moderne në sektorin bujqësor.
Një nga pikat kryesore të bashkëpunimit është edhe promovimi i marrëveshjes së parë dypalëshe për angazhimin e punëtorëve sezonalë shqiptarë në bujqësinë izraelite. Sipas autoriteteve izraelite, ky model do të mundësojë punësimin e punëtorëve nga Shqipëria gjatë periudhave kur sektori bujqësor në Izrael ka nevoja më të mëdha për fuqi punëtore.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, delegacioni izraelit zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave të agrobiznesit dhe kompanive të sektorit bujqësor, me synim forcimin e bashkëpunimit profesional, tregtar dhe teknologjik mes dy vendeve.
Sipas autoriteteve izraelite, Shqipëria konsiderohet një partner me potencial të rëndësishëm në bujqësi, një sektor që ka shënuar rritje të qëndrueshme vitet e fundit dhe që mbështetet kryesisht në fermat familjare të vogla.



Rruga Press

