KryesoreLajme

Shpopullimi nga rilindja/ Në 10 vite, qarqet e mëdha të Veriut humbën një të katërtën e popullsisë në Shqipëri

Qarqet e mëdha të Veriut të Shqipërisë po përjetojnë një zbrazje të fortë të popullsisë në dekadën e fundit për shkak të përshpejtimit të një cikli të emigracionit jashtë vendit.

Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se gjatë dhjetë-vjeçarit të fundit 2016–2026, Shkodra shënoi rënien më drastike në rang kombëtar me një humbje prej 25.58% të banorëve të saj, me mbi 50 mijë persona më pak në këtë qark.

Pas saj renditet Kukësi, i cili ka humbur 24.78% të popullsisë gjatë dekadës së fundit nga emigracionin i fortë i të rinjve në Britaninë e Madhe. Lezha gjithashtu paraqet një situatë thuajse identike me një tkurrje prej 24.11%, duke dëshmuar se i gjithë brezi verior bregdetar dhe fushor po përballet me ikje masive.

Në të njëjtën linjë shqetësuese ndodhet edhe qarku i Dibrës, i cili ka regjistruar një rënie prej 22.49% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së tij.

Lexo më shumë  “Rama ki kujdes, kjo rini tund malet”/ Fjalimi rrëqethës i mjekut që u bë viral: Duam Shqipërinë, Europa do të na presë! Nëse jemi të zotët e vetes s’ka derë që na mbyllen

Të dhënat zyrtare tregojnë se katër qarqet kryesore të veriut po humbasin me shpejtësi popullsinë në krahasim me te tjerat.

Në rang kombëtar, popullsia e përgjithshme e Shqipërisë ka pësuar një tkurrje neto prej 14.23%, duke u pakësuar me saktësisht 387,462 banorë ndërmjet 2016-2026 ku edhe qarqet e tjera të vendit janë të ekspozuara. Fieri, për shembull, ka humbur në dekadën e fundit 68,089 banorë, që korrespondon me një rënie prej 23.02% të popullsisë së vitit 2026.

Elbasani gjithashtu shënoi rënie relative prej 21.06% të popullsisë në të njëjtën periudhe. Në juglindje, Korça regjistron një tkurrje prej 22.63%, e barabartë me afërsisht 48 mijë banorë më pak në periudhën10-vjeçare.

Popullsia e Gjirokastrës u tkurr me 21.86%, duke vështirësuar ruajtjen e shërbimeve bazë në një qark që përveç tkurrjes vuan edhe plakjen e shpejtë.

Ndërkohë, Vlora ka pësuar një rënie prej 18.46%, duke u pakësuar me mbi 32 mijë banorë, kurse popullsia e Beratit u tkurr me 9.44%. Madje edhe Durrësi, një qendër e madhe ekonomike, për shkak të portit dhe turizmit ka pësuar tkurrje me 12.08%, ose mbi 30 mijë banorë në një dekadë.

Lexo më shumë  Dokumentet e Sazanit dhe Zvërnecit: Gazetari amerikan publikon tenderin e plotë dhe masterplanin

Kryeqyteti është qarku i vetëm që ka shënuar një rritje modeste prej 1.25% të popullsisë, duke shtuar në total rreth 9,428 banorë të rinj përgjatë kësaj dekade, si rrjedhojë e emigracionit te brendshëm.

Shqipëria po polarizohet me shpejtësi rreth një pike të vetme urbane, teksa Tirana zgjerohet lehtë, të gjitha rajonet e tjera po përballen me plakje dhe tkurrje te popullsisë.

Të dhënat e vitit 2026 tregojnë e balancat demografike kanë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme, por veriu i Shqipërisë mbetet vatra më e prekur, ku braktisja po ndodh me ritmet më të shpejta dhe më shqetësuese./Monitor/

Rruga Press

YouTube player