Bota

Shpërthim masiv afër qytetit rus, ku ndodhet fabrika për prodhimin e raketave

Një shpërthim i madh e ndriçoi qiellin mbrëmjen e 7 shkurtit pranë Votkinskut, një qytet rreth 1.000 kilometra në lindje të Moskës, vendndodhja e një fabrike ruse për prodhimin e raketave.

Banorët e Votkinskut raportuan se një shpërthim i fuqishëm ndodhi pranë qytetit dhe postuan video në rrjetet sociale ku shihej flakë e madhe dhe flakërim i verdhë lart në qiell.

Disa të tjerë thanë se shpërthimi ndodhi në fabrikën e makinerisë në Votkinsk, e cila prodhon disa prej raketave më të sofistikuara të ushtrisë ruse, përfshirë llojet që i ka përdorur kundër Ukrainës.

Lexo më shumë  Magyar: Hungaria do të ekzekutojë urdhër-arrestin ndërkombëtar për Netanyahun

Shpërthimi u raportua edhe nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, e cila e citoi agjencinë për shërbime emergjente duke thënë se ishte “caktuar një testim i motorëve raketorë” në fabrikë.

“Kjo nuk është emergjencë, [por] një [ngjarje] e planifikuar”, tha një zëdhënës i Ministrisë ruse për Situata Emergjente, sipas mediave shtetërore ruse.

Por, në uebsajtin e Ministrisë nuk kishte asnjë tregues për ndonjë testim të planifikuar.

Nuk ka të dhëna për viktima.

Në fund të vitit 2023, fabrika e Votkinskut i publikoi 19 kontrata qeveritare për prodhimin e komponentëve të armëve bërthamore. Presidenti rus Vladimir Putin e kishte vizituar këtë fabrikë më 2011, kur ishte kryeministër.

Lexo më shumë  BE zgjeron sanksionet ndaj Iranit për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit

Fabrika Volkinsk ndodhet rreth 50 kilometra larg Izhevskit, kryeqytetit të rajonit Udmurtia. Ajo prodhon pjesë dhe platforma për koka bërthamore për sistemet raketore Topol-M, Yars dhe Bulava, si dhe trupa për raketat Iskander, sipas Kremlinit.

Rruga Press

YouTube player