Lajme

Shoqëria civile: BE-ja të ketë qëndrim të prerë karshi veprimeve në veri

Gjashtë organizata të shoqërisë civile në Kosovë, kanë reaguar pas tërheqjes së përfaqësuesve të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës.

Sipas tyre me këtë veprim bien poshtë të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut.

“Tërheqja e tyre nga jeta institucionale minon çdo arritje të dialogut deri më tani, dhe veprimet e një pjese të përfaqësuesve të komunitetit serb të dirigjuara nga Beogradi zhvlerësojnë çdo arritje në dialog. Me këto veprime bien poshtë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani, garantues i zbatimit të së cilave është Bashkimi Evropian”, thuhet në reagim

Me këto veprime, që thuhet se janë të dirigjuara nga Serbia, këto organizata vlerësojnë se anulohet edhe marrëveshja e vitit 2013.

“Në periudhën kur palët me inkurajimin dhe ndërmjetësimin nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke biseduar për arritjen e një marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme, veprimet e fundit të Listës Serbe me dirigjim nga Serbia, anulojnë vet Marrëveshjen e vitit 2013 dhe marrëveshjet tjera të arritura, si dhe cenojnë çdo mundësi të arritjes së marrëveshjeve të tjera”, thuhet në reagim.

Sipas reagimit, pamundësia e komunitetit ndërkombëtar nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian dhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të garantuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura nëpërmjet dialogut, krijojnë një ambient të mos besimit në këtë proces.

“Bashkimi Evropian duhet të ketë një qëndrim të prerë karshi këtyre veprimeve, të mos lejojë që marrëveshjet e dialogut të jenë kaq të cenueshme nga politikat ditore të palëve në dialog, si dhe të garantojë që çdo marrëveshje e arritur deri më tani dhe marrëveshjet e reja janë obligative për palët”, thuhet në reagim.

Lexo më shumë  Serbi i arrestuar dje në Jarinjë dyshohet se sulmoi ushtarët e KFOR-it në maj të 2023-ës

Në reagim vlerësohet se parim i përgjithshëm i funksionit të shtetit ligjor është pavarësia e funksionimit të gjykatave, prokurorive, si dhe polica e orientuar drejt komunitetit.

“Tërheqja e një pjesë të përfaqësuesve Serb në Kosovë nga jeta institucionale, me theks në sektorin e Drejtësisë cenon pavarësinë e këtyre institucioneve. Tërheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga detyra e tyre bazuar në vendime politike pamundëson funksionimin e tyre të pavarur. Po ashtu pamundëson që mekanizmat relevant siç janë Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial të marrin vendime të pavarura dhe të bazuara në rregullativën në fuqi”, thuhet në reagim.

Sipas reagimit vendimet e këtyre institucioneve nuk janë subjekt i etnitetit apo edhe zonës gjeografike të Kosovës. “Veprimet e tyre në funksion të zbatimit të ligjit janë në funksion të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh komunitetin, komunën, fenë, gjuhën, etj. Prandaj, gjyqtarët dhe prokurorët e integruar në sistemin e drejtësisë duhet të mirëmbajnë këto parime dhe të mos ndikohen nga vendimet politike, qofshin ato të Kosovës apo edhe të Serbisë. Tërheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Gjykatat dhe Prokuroritë e Republikës së Kosovës, ka ndikime negative të pa-riparueshme për këto institucione dhe si pasojë edhe për qytetarët”, thuhet në reagim.

Lexo më shumë  Osmani takon kongresmenin Self, e falënderon për mbështetjen ndaj Kosovës

Nga ana tjetër, vlerësohet se parimi i përgjithshëm i dialogut i paraqitur në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara është përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. “Dialogu deri më tani ka arritur, edhe pse me zvarritje të madhe, të përmirësojë jetën e qytetarëve në shumë sfera. Si Qeveria e Kosovës e ashtu edhe ajo në Serbi duhet të jenë më të përkushtuara në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani pa dallim, dhe të shmangin retorikën dhe veprimet që cenojnë sigurinë dhe stabilitetin e arritur me shumë mund”, thuhet në reagim.

Sipas tyre BE-ja dhe SHBA-ja duhet të jenë më kategorike në qëndrimet e tyre, duke kërkuar prerazi që serbët të kthehen pa asnjë kusht në pozitat e tyre në institucion.

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë më kategorik në qëndrimet e tyre duke kërkuar prerazi që serbët të kthehen pa asnjë kusht në pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, për të vazhduar pastaj me kërkesat për zbatimin e obligimeve të dy palëve ndaj marrëveshjeve të Brukselit, si dhe përkushtim në dialog për arritjen e marrëveshjes finale”, thuhet në reagim.

Organizatat e shoqërisë civile që mbështesin këtë reagim janë, Organizata Çohu, Grupi për Studime Juridike dhe Politika, Iniciativa për Progres, Instituti Columbus, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizja Fol.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *