KryesoreLajme

Shoqata Shqiptare e Turizmit kundërshton rritjen e TVSH-së në akomodim: Goditje për turizmin shqiptar

Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) kundërshton projektvendimin e qeverisë për rritjen e TVSH-së në shërbimet e akomodimit nga 6% në 10%, duke e cilësuar një goditje të drejtpërdrejtë për konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar. Në një deklaratë për shtyp, ATA thekson se masa është propozuar pa konsultim me grupet e interesit dhe pa një analizë të mirëfilltë të ndikimit te bizneset e sektorit.

Shoqata paralajmëron se rritja e taksës do të rëndojë më tej sipërmarrjet formale, të cilat po përballen me rritjen e kostove dhe zhvlerësimin e euros, ndërsa kërkon që qeveria të përqendrohet te lufta kundër informalitetit. Sipas ATA-s, formalizimi i tregut të akomodimit është rruga për rritjen e të ardhurave në buxhet dhe garantimin e konkurrencës së ndershme, ndaj i bën thirrje qeverisë të pezullojë projektvendimin dhe të nisë konsultimet me përfaqësuesit e sektorit.

Reagimi i plotë në Facebook:

DEKLARATË PËR SHTYP

Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA)

Propozimi për rritjen e TVSH-së në akomodim godet drejtpërdrejt konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar

Shoqata Shqiptare e Turizmit ATA, shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me Projekt-Vendimin e Qeverisë për rritjen e TVSH-së në shërbimin e akomodimit nga 6% në 10%.

Ky projekt vendim, i ndërmarrë pa asnjë konsultim paraprak me grupet e interesit dhe pa një analizë të mirëfilltë ndikimi, përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj qëndrueshmërisë dhe konkurrueshmërisë së turizmit shqiptar në rajon.

Kjo masë vjen në një moment kritik, kur bizneset formale të sektorit po përballen me sfida të rënda mbijetese, të shkaktuara nga:

Lexo më shumë  Një muaj paraburgim ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt

-Rënia drastike e Euros prej 40%, çka ka dëmtuar rëndë të ardhurat nga turistët e huaj;

-Dyfishimi i pagave në sektor për të mbajtur fuqinë punëtore;

-Rritja e çmimeve të lëndëve të para si pasojë e krizave globale.

Pritshmëritë dhe rritja historike e turizmit shqiptar, ku numri i vizitorëve u rrit nga 6 milionë në 12.6 milionë, duke e çuar kontributin e sektorit në 1/4 e PPB-së dhe 44% të eksporteve – ka qenë pikërisht produkt i shkallës së reduktuar të TVSH-së prej 6%.

Duhet rikujtuar se zbatimi i TVSH-së 6% nuk ishte një dhuratë, por rezultat i një rruge të gjatë avokimi nga Shoqata jonë, e cila bindi FMN-në dhe Qeverinë Shqiptare. Vetë Kryeministri angazhoi një grup ekspertësh nga Universiteti i Harvardit, të cilët në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Turizmit hartuan raportin për ringritjen e sektorit, ku masa kryesore e rekomanduar ishte ulja e TVSH-së – sipas modelit të suksesshëm të Këshillit Evropian (Direktiva 2006/112/EC). Sot, Evropa mban 52% të turizmit botëror me vetëm 6.8% të sipërfaqes së globit, falë pikërisht këtyre politikave nxitëse fiskale.

Zgjidhja nuk është taksimi i biznesit formal, por formalizimi i tregut. Në vend që të ndëshkohen sipërmarrjet që paguajnë rregullisht taksat, vëmendja e qeverisë duhet të orientohet drejt informalitetit.

Sipas vetë Strategjisë së Turizmit 2026–2030, sot 78% e kapaciteteve akomoduese në Shqipëri përbëhen nga apartamente me qira ditore që operojnë kryesisht në informalitet, ndërsa vetëm 22% janë hotele.

Lexo më shumë  Vijon bojkoti i studentëve të universitetit ‘Fan Noli’ në Korçë

Shqipëria posedon vetëm 1% hotele me 4–5 yje, ndërsa vendet e rajonit si Mali i Zi dhe Kroacia numërojnë 7% deri në 10%.

Statistikat zyrtare të INSTAT tregojnë se me 12.4 milionë turistë raportohen vetëm 10 milionë netë fjetje. Për krahasim, Mali i Zi me 2.7 milionë turistë raporton 15.6 milionë netë fjetje, ndërsa Kroacia kalon 110 milionë netë fjetje me 21 milionë turistë.

Këto shifra dëshmojnë qartë se zgjidhja për rritjen e të ardhurave në buxhet nuk është rritja e taksave mbi sipërmarrësit e ndershëm, por formalizimi i tregut të pakontrolluar.

Thirrje Qeverisë Shqiptare

Shoqata Shqiptare e Turizmit i bën thirrje zyrtare Qeverisë Shqiptare:

  1. Të pezullojë Projekt-Vendimin për rritjen e TVSH-së në akomodim.
  2. Të nisë pa vonesë një proces gjithëpërfshirës konsultimi me grupet e interesit dhe me përfaqësuesit e sektorit.
  3. Të përqendrojë të gjitha kapacitetet në luftën kundër informalitetit për të krijuar një treg me konkurrencë të ndershme.

Rritja e kësaj takse do të na bëjë të humbasim tregun rajonal dhe të dëmtojmë me duart tona motorin kryesor të ekonomisë shqiptare.

Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA)

Rruga Press

YouTube player