Opinion/Aktualitet

Shkruan Garry Kasparov: Basti i një diktatori, çfarë kërkon Putin në Ukrainë?

Nga Garry Kasparov “New York Daily News

Sot ka shumë lajme në lidhje me “krizën ukrainase”, dhe ndërsa jam i lumtur teksa shoh se ndaj këtij kërcënimi të madh për rendin botëror po i kushtohet më në fund vëmendja e duhur, emërtimi i saj është i gabuar. Ukraina nuk po përjeton një luftë civile, një kryengritje apo një lëvizje separatiste.

Kriza e Ukrainës, është gjithashtu një krizë e Evropës, e Amerikës dhe tani e mbarë botës. Ajo është gjithashtu një krizë e Rusisë, ose më saktë një krizë e Vladimir Putinit. SHBA-ja dhe pjesa tjetër e botës duhet ta kenë parasysh këtë gjë, pasi nuk mund të kurosh dot një sëmundje, në rast se nisesh nga diagnoza e gabuar.

Nëse ndodh kjo e fundit, përfundon duke trajtuar vetëm simptomat ndërsa ato përkeqësohen vazhdimisht, deri në pikën që pacienti ndërron jetë. Ajo që na duhet në vend të kësaj qasje, është një kurë, apo nëse doni një “vaksinë”.

Presidenti aktual i SHBA-së Joe Biden dhe paraardhësit e tij, kanë dalluar midis tyre në retorikën e përdorur ndaj Putin. Por kur bëhet fjalë për veprimin apo mosveprimin, kanë pasur një histori patetike të ngjashme.

Në vend se të merren me “ariun në dhomë”, regjimin autoritar dhe mafioz të Putinit, presidentët amerikanë dhe kolegët e tyre në Evropë, preferojnë që të shmangin simptomat, edhe pse ato përkeqësohen vit pas viti. Unë kam paralajmëruar prej 2 dekadash mbi rrezikun e lejimit të përhapjes së “kancerit Putin”.

Për mua ishte e qartë, se herët a vonë Putini do ta drejtonte agresionin e tij jashtë vendit, sapo të përfundonte shkatërrimin e demokracisë dhe shoqërisë civile ruse. Ky është rrugëtimi i zakonshëm i çdo diktatori, që i kanë mbaruar “fajtorët” brenda vendit, të cilët mund t’i bëjë përgjegjës për kufizimin e skajshëm të lirive, por dhe rënien e standardit të jetesës.

Pushtimet e Putinit në Gjeorgji në vitin 2008 dhe Ukrainë në vitin 2014, ishin sulme ndaj demokracive të tyre të sapolindura, të cilat ai i pa si shembuj të këqij për popullin e Rusisë. Nga vrasjet e kryera në Evropë me izotope bërthamore dhe agjentë nervorë, deri tek ndërhyrjet në zgjedhje në favor të Brexit, Trump dhe kandidatëve ekstremistë në mbarë  Evropën, Putini nuk është ndalur në asnjë moment në planin e tij për rikrijimin e sferës ruse të ndikimit, të ngjashme me atë që ekzistonte në epokën sovjetike.

Kjo është ajo që desh të thosha kur shkrova në vitin 2007 se “Putini është vërtet problemi ynë, rusëve, por nëse nuk ndalet, ai do jetë shpejti një problem rajonal, dhe më pas problemi i të gjithëve”. Dhe këto i thashë në një kohë kur udhëheqësit e botës së lirë, ishin ende të lumtur të pozonin në foto me “presidentin Putin”, disa vite përpara se ta pranonin se ai nuk e meritonte më atë titull demokratik.

Lexo më shumë  Serbia - deep state: Kultura e dhunës kundër kulturës së paqes

Pasi ia hodhi paq për pushtimin e një pjesë të Gjeorgjisë, për shkak të strategjisë së Obamës për “rivendosjen” e raporteve të bashkëpunimit midis 2 vendeve, u deshën 6 vite të tjera, sulmi i tij ndaj Ukrainës dhe aneksimi i paligjshëm i Krimesë, për ta zgjuar botën ndaj faktin që ai ishte bërë tashmë “Diktatori Putin”, dhe se nuk kishte më kthim prapa.

Më pas erdhi Trump, zilia dhe admirimi i të cilit për liderët autoritarë, ishte ndoshta ndjenja e tij e vetme e sinqertë dhe e qëndrueshme. Fitorja e Joe Biden, supozohej të lajmëronte një rikthim në vlerat më tradicionale të politikës së jashtme amerikane, pas 4 viteve përpjekje nga Trump për ta tërhequr SHBA-në në nivelin amoral të regjimeve autokratike.

Por në vend të kësaj, Biden përsëriti përpjekjet e ish-shefit të tij Obama, duke shpallur në mënyrë të njëanshme paqen me njeriun që Biden e quajti shprehimisht “vrasës” në një intervistë për mediat në marsin e vitit të kaluar.

Në vend të qasjes frenuese, ai forcoi pozitat e Putinit gjatë një samit të përbashkët, duke mos shpjeguar kurrë se çfarë kërkonte saktësisht SHBA-së nga Rusia, përveç ndalimit të fushatës të saj të agresionit.

Pastaj administrata Biden u rreshtua në anën e Putinit mbi çështjen e gazsjellësit “Nord Stream 2” midis Rusisë dhe Gjermanisë. Një “kamardare” shpëtimi për Putinin, dhe njëherazi një mjet që e rrit më tej varësinë energjitike të Evropës ndaj Rusisë.

Biden supozohet se është më i shqetësuar për Kinën, një konkurrente aktuale serioze. Por Putin ka treguar sërish se do të bëjë gjithçka, derisa të marrë vëmendjen që dëshiron. Tani ai po përgatit një luftë, e cila e ka detyruar Evropën dhe SHBA-në t’i japin fund politikës së tyre bazuar në moton “Ne nuk flasim për Vladimirin!”.

Ai ka grumbulluar një forcë të madhe pushtuese në të gjitha anët e Ukrainës, një komb sovran demokratik, dhe gjeografikisht vendi më i madh në Evropë (pas Rusinë), pjesë të të cilës janë pushtuar nga Rusia, që kur e pushtoi për herë të parë në vitin 2014.

Ukraina është një vend me 44 milionë banorë, të cilët shpesh harrohen gjatë bisedimeve që po zhvillohen, pikërisht siç synon Putin. Ai dëshiron të shihet si bosi i madh që bën kërcënime dhe arrin marrëveshje, ndërsa Ukraina, të cilën ai as që e njeh si një vend i pavarur, është pak më shumë sesa një zonë tampon, një fishë në lojën e pokerit gjeopolitik.

Fakti që Rusia duhet të përdorë forcën brutale për të blerë një vend në tryezën e negociatave, tregon se sa larg ka shkuar Rusia nën keqqeverisjen e Putinit. Dhe kërcënimi i Putinit nuk është vetëm për Ukrainën. Në vend se të negociojë për atë që dëshiron Putin, bota e lirë duhet të bashkohet dhe të luftojë fort, për të siguruar që ai të mos marrë asgjë që nga ato që kërkon. Mos prisni që të hakmerreni për pushtimin e tij të ardhshëm. Ndiqni penalisht atë dhe mafien e tij oligarke, për t’i treguar se këtë herë ai nuk do të jetë në gjendje t’i shmanget përgjegjësive. Zvogëlojeni ndikimin e Putinit, duke e zëvendësuar me një burim alternativ energjinë që ai e përdor si shantazh. Dëbojeni shtetin mafioz të Putinit nga institucionet ndërkombëtare, të cilat ai i përdor dhe i keqpërdor për të përhapur korrupsionin.

Lexo më shumë  “Kosova në KiE vendim historik”, Goncharenko: Era e perandorive ka mbaruar, nuk ka vend për perandori ruse, serbe apo tjetër në evropë

Sekuestroni qindra miliarda dollarë që fshehin në Perëndim ai dhe miqtë e tij, dhe dëbojini prej andej oligarkët dhe familjet e tyre. Ata i përdorin paratë e tyre të grabitura për të blerë miq dhe për të ndikuar mbi polikë-bërjen perëndimore, sidomos në Britaninë e Madhe.

Putini, një lojtar i thekur i bixhozit dhe blofeve, po vë bast se Perëndimi nuk do të reagojë fortë ndaj tij. Tek e fundit, ai ka pasur shumë herë të drejtë në të kaluarën. Por kjo nuk do të thotë se Putin është një strateg mjeshtëror. Ai nuk është shahist, siç jam i kualifikuar ta pohoj me shumë besim.

Ai lexon njerëzit, jo tabelën e shahut, dhe nuk do të lëvizë derisa të jetë i sigurt se do të jetë në gjendje të arrijë fitoren falë kundërshtarëve të tij të pamend, që e shpërdorojnë pozicionin dhe gurët e tyre më të mirë. Kjo është arsyeja pse Putin vazhdon të mbajë të pushtuar Krimenë dhe Ukrainën Lindore, për të mos përmendur disa pjesë të Gjeorgjisë.

Zakonisht Putin përdor fillimisht forcën, pastaj kalon në thirrjet për diplomaci dhe negociata për të çimentuar arritjet e tij. Mund ta quani “gllabërim territoresh, pastaj paqe”, një taktikë tipike e diktatorëve të shekullit XX-të. Por mos harroni që Putini është një njeri i KGB-së, një bullizues dhe një spiun që vepron përmes kërcënimeve por jo luftës së hapur.

Siç ka bërë në Siri, Moldavi dhe shumë vende të tjera, ai dëshiron ndikim dhe kaos, dhe jo një konflikt të hapur që mund ta humbasë. Sepse siç e di shumë mirë, kështu bien diktaturat, kur duken të gabueshme dhe të brishta.

Ukraina ka paguar tashmë një çmim të lartë, dhe çdo gjë është e mundur në ditët në vijim. E vetmja gjë për të cilën mund të jemi të sigurt, është që nëse dështojmë t’i rezistojmë Putinit tani, ky çmim do të vazhdojë të rritet. /abcnews.al/

Marrë me shkurtime

Shënim: Garry Kasparov ish-kampion i botës në shah, si përfaqësues i Bashkimit Sovjetik dhe më pas Rusisë. Sot banon në SHBA, dhe është kryetar i Nismës për Ripërtëritjen e Demokracisë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *