Shkencëtarët amerikanë njoftojnë për eksperimentin e suksesshëm të energjisë me bashkim të atomeve
Shkencëtarët amerikanë kanë njoftuar për një të arritur të madhe në garën për të rikrijuar fuzion bërthamor, raporton BBC.
Fizikanët kanë ndjekur këtë teknologji për dekada, pasi ajo premton një burim potencial të një energjie të pastër pothuajse të pakufishme.
Të martën, shkencëtarët kanë konfirmuar se e kanë tejkaluar një barrierë të madhe – duke prodhuar më tepër energji nga eksperimenti i fuzionit sesa që ishte parashikuar.
Por, ekspertët thonë se ende ka rrugë derisa të arrijnë plotësisht fuqinë e fuzionit.
Eksperimenti u bë në Laboratorin Nacional Lawrence Livermore në Kaliforni.
Fuzioni bërthamor njihet ndryshe si “grali i shenjtë” i prodhimit të energjisë.
Ai funksionon duke marrë çifte të atomeve të lehta dhe duke i detyruar të bashkohen – ky “bashkim” çliron shumë energji.
Është e kundërta e ndarjes bërthamore, ku atomet e rënda ndahen. Ndarja është teknologji që përdoret aktualisht në termocentrale bërthamore, por procesi gjithashtu prodhon shumë mbetje që vazhdojnë të japin rrezatim për një kohë të gjatë. Mund të jetë i rrezikshëm dhe duhet të ruhet në mënyrë të sigurt.
Kurse fuzioni nuklear prodhon dukshëm më tepër energji, me vetëm sasi të vogla të mbetjeve radioaktive që qëndrojnë për një periudhë të shkurtër. Më e rëndësishmja, procesi nuk prodhon emetime të gazrave serrë dhe nuk ndikon në ndryshime klimatike.
Por, një nga sfidat është se detyrimi dhe mbajtja e elementeve së bashku në fuzion kërkon sasi shumë të mëdha të temperaturës dhe presionit. Deri më tani, asnjë eksperiment nuk ka arritur të prodhojë më shumë energji sesa sasia që ishte përdorur për ta prodhuar atë.
Impianti Nacional i Ndezjes në Kaliforni është eksperiment 3.5 miliardë dollarësh.
Ai vendos sasi të vogla hidrogjeni në një kapsulë të përmasës së një kokrre biberi.
Pastaj një laser i fuqishëm me 192 rreze përdoret për ta ngrohur dhe kompresuar karburantin e hidrogjenit.
Laseri është aq i fuqishëm sa që mund ta ngrohë kapsulën në 100 milionë gradë Celsius – që është më nxehtë sesa qendra e Diellit.
Nën këto forca kapsula fillon të shpërthejë në vetvete, duke i detyruar atomet e hidrogjenit të shkojnë drejt bashkimit dhe të lëshojnë energji.
Rruga Press