Lajme

Shkarkohet drejtori i Radio Kosovës

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka shkarkuar Ernest Lumën nga pozita e drejtorit të Radio Kosovës. Kjo sipas njoftimit ka ardhur pas propozimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

“Çdo i punësuar në RTK duhet ta ketë të qartë natyrën e funksionimit të transmetuesit publik, duke u kujdesur që të mos mbajë qëndrime politike, pasi kjo mund të dëmtojë imazhin e RTK-së si transmetues i pavarur publik”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e U.D Drejtorit të Përgjithshëm për shkarkim që e ka aprovuar Bordi i RTK-së

Sipas njoftimit, propozim vendimi për shkarkimin e Luma nga pozita e drejtorit të Radio Kosovës bazohet në nenin 33 paragrafi 1.2, nenin 31 paragrafi 2 nënparagrafi 2.2 dhe nëparagrafi 2.3, si dhe nenin18, paragrafi 8 të Ligjit 04/L-046 për Radiotelevizionin e Kosovës (G.Z. nr. 7, 27 prill 2012), nenin 8 paragrafi 2, nenin 19 paragrafi 9, nenin 20 paragrafi 12 dhe 14, nenin 22 paragrafi 1 dhe 2 të Statutit të Radiotelevizionit të Kosovës (nr. 0001/22 të datës 16.01.2022), nenin 7 paragrafi 1.1, 1.4 të Rregullores për Përgjegjësitë Materiale dhe Disiplinore të RTK-së (nr.0736/18 të datës 05.06.2018).

Lexo më shumë  Kryeziu: Shtensionimi ka ndodhur, masat e BE-së duhet të hiqen

“Në këtë takim Bordi i RTK-së, gjithashtu miratoi propozimin e u.d. Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së për shpalljen e konkurseve për rekrutimin e stafit esencial në RTK 1 dhe RTK 2. Në RTK 2 – kanali në gjuhën serbe, janë miratuar 30 pozita për staf esencial për funksionimit e këtij kanali., ndërsa në RTK 1 janë miratuar nëntë (9) pozita, gjashtë (6) prej tyre për staf esencial për komunitetet ashkali, egjiptian dhe goran. Ky vendim vije në vazhdën e vendimeve dhe kërkesave të Bordit të RTK-së për vënien e ligjshmërisë në RTK, veçanërisht sa i përket rekrutimit të stafit”, thuhet në komunikatën e dërguar mediave nga Bordi i RTK-së.

Gjithashtu njoftohet se bordi mori vendim që në përputhje me një analizë financiare dhe në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik, të fillojë përgatitjet e dokumentacionit të nevojshëm për tenderimin me procedura të rregullta të prokurimit publik për shërbimin e mbrojtjes dhe sigurimit fizik të pronave dhe hapësirave të RTK-së.

Lexo më shumë  Ola Xama: Gazetaria në Shqipëri është shumë e vështirë! Të respektohet liria jonë!

“Deri tash, ky shërbim është ofruar nga punonjës të angazhuar me kontrata për shërbime, të cilat nuk kanë ofruar asnjë beneficion sipas Ligjit të Punës për të angazhuarit në fjalë”, thuhet në njoftim.

Përmes një postimi në Facebook, vetë Luma e ka konfirmuar shkarkimin.

“Kjo është arsyeja e shkarkimit tim. Mosarsyet i tregoj në ditët ne vijim. Në Korenë e Kim Jong Un-it, për këtë arsye të kishin ekzekutuar me top. Këtu, me shkarkim. Kam shpëtuar lehtë! Përndryshe, jam mësuar m’u çu e m’u rrëzu që 100 vjet, me e pa arsye. Pa merak. Shihemi prapë”, ka shkruar ai, derisa ka postuar një video të një interviste të tij.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *