Shiu të hyn në shtëpi, por nuk i hyn në xhep qeverisë
Përmbytjet e shumta ditën e djeshme të cilat vazhduan edhe sot, kanë vështirësuar kalimin e makinave dhe jo vetëm. Shumë qytete mbetën edhe pa energji elektrike përveçse të bllokuara. I ftohti erdhi edhe pse me vonesë për shkak të çrregullimeve klimatike, dëmtimit ekologjik që njeriu po i bën mjedisit.
Për Shqipërinë nuk është hera e parë që gjendet e papërgatitur në raste të tilla bllokimesh, lumenjë që dalin nga shtrati apo bora që shkakton edhe ngrica.
Shumë do ia fillonin me krahasimet e ndryshme të tipit: këto janë punë të natyrës dhe ndodhin në shumë vende të botës.
Në rastet e katastofave natyrore, qytetarët shqiptarë ,sidomos ata të cilët kanë toka, bagëti etj, dëmtohen shumë dhe rikuperimi vjen ose jo me paterica. Përveç se qeveria nuk i ndihmon bujqit me subvencione, por as në momente kritike si këto nuk ka ndërhyrje. Ata gjenden përballë dy fatesh, ose të përpiqen vetë të rimëkëmben ose të emigrojnë, se opsioni i ndihmës shtetërore nuk është më te pritshmëritë.
Çfarë ndodh kur një fermer, blegtor, bujk etj largohet nga vendi? Kemi ulje të prodhimit vendor dhe shtim të prodhimit të jashtëm. Këtë ide, siç edhe është parë, kryeministri Rama kërkon ta zgjerojë me Open Ballkan, në marrëveshje me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.
Kategoria tjetër që i pëson këto përmbytje dhe ngrica, janë banorët nëpër fshatëra. Sa më thellë që ata jetojnë aq më në braktisje lihen nga organet përkatëse. Banorët nëpër fshatëra përballen me vështirësi si mospasja e rrugëve, energjisë elektrike, ujit, spitaleve, shkollave, etj. Rrugët e bllokuara i mësojnë banorët t’ia dalin vetë me aq sa munden, përndryshe situata mund të shkojë deri aty sa të ketë viktima prej të ftohtit, mungesës së ushqimit dhe ilaçeve.
Pyetja rreth këtyre problemeve humb në çinteresim, në moskokëçarjen e qeverisë ndaj qytetarëve dhe sidomos atyre më të pambrojturve. Një qeveri ka për detyrë që të parashikojë dëmet e mundëshme që vijnë nga këto katastrofa natyrore. Ekipe shpëtimi, mjete ndihmuese,rrugë të shtruara, me kanalizime të pasturara etj janë disa nga detyrat minimale që duhen kryer dhe garantuar nga një shtet.
Nuk është detyrë që buron nga një premtim elektoral, por është kusht jetese, kushti që çdo shtet të funksionojë. Bie fjala, çdo parti në qytetin e Shkodrës bën të njëjtin premtim, “nuk do ketë më përmbytje”. Kjo është formula e gatshme për të hequr qafe të menduarin më shumë se për çfarë ka nevojë qytetari, përveç se ujë dhe energji elektrike. Formulat e gatshme vlejnë veç për ta groposur barrën dhe për të treguar prani, pavarësisht se prani bosh, shoqëruar me fotografi çasti të menduara paraprakisht prej nja dhjetë ekpertësh imazhi.
©Rruga Press