Shitëm energji në krizë, INSTAT: Shqipëria eksportoi më shumë energji gjatë tetor-dhjetorit 2021 se sa në 2020
“Vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, kësaj radhe e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare, po vjen drejt Shqipërisë.Nuk është as tërmet, as virus, as përmbytje dhe lavdi Zotit, nuk kërcënon jetë njerëzish. Por në aspektin ekonomik e social ka një energji negative që mund të ketë efekte gjithaq tronditëse, mbi jetën e familjeve, bizneseve, shoqërisë. Kjo, është kriza e jashtëzakonshme energjitike, e cila vetëm sapo ka nisur, të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës, duke nisur nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Europian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia”.
Edhe pse kryeministri Edi Rama kishte deklaruar me 3 tetor 2021 se kriza që ndodhej në horizont do të përfshinte vendin shumë shpejt, digat u zbrazën dhe Shqipëria eksporti sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike.
Kështu rezulton nga të dhënat e ofruara nga INSTAT për tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Për periudhën tetor-dhjetor, Shqipëria rezulton se ka prodhuar rreth 1.6 mln megavat energji ose 287 mijë megavat më shumë se i njëjti tremujor i vitit 2020.
Të dhënat tregojnë se janë 950 mijë megavat të importuara në tremujorin e fundit të 2021 kundrejt 974 mijë megavat në 2020.
Ndërsa eksportet kanë një rritje me 153 mijë megavat.
Këto shifra ngrejnë pikëpyetje mbi menaxhimin e këtij tregu nga institucionet shtetërore dhe pse qeveria justifikohet me situatën në tregjet ndërkombëtare.
Ndërkohë sa i përket çmimit të energjisë elektrike, sipas Eurostat, pas Malit të Zi, shqiptarët paguajnë më shumë se qytetarët e vendeve të rajonit.
Në Shqipëri familjarët paguajnë 9.5 lekë për kilovat ndërsa bizneset 14 lekë për kilovat.
Pas vendit tonë renditet Bosnje Hercegovina dhe Serbia me rreth 8 cent.
Çmimin më të ulët në rajonin e Ballkanit e paguajnë qytetarët e Kosovës, rreth 6 cent.
Rruga Press