Opinion/Aktualitet

Shijimi i filmave të Halil Budakovës, e bëri të pashijueshëm Bekim Fehmiun për publikun kosovar

Nga Lirim Gashi


“Ai ishte më i madhi ndër ne edhe pse nuk tregoi gjithçka që mundi, tha në një rast për Bekimin e famshëm dhe të papërsëritshëm, ndoshta aktori më i mirë i filmit jugosllav pas tij, Rade Šerbedžija”.

Koment:

Të paktë janë njerëzit si Bekimi që kanë jetuar për rolet e tyre, dhe për fëmijët e tyre.
Nuk ka datë apo ngjarje të rëndësishme nga jeta e fëmijëve të tij, si dhe tekst të veçantë me vlerë të pamatshme artistike nga ndonjë skenaristi i njohur, që nuk e mbante mend i madhi Bekim.

Lehtësia dhe eleganca me të cilën ai lëvizte nëpër skenë, pamja karakteristike e fytyrës së tij si ajo e perëndive mitologjike greke, ngjyra e veçantë e zërit të tij, si dhe theksi i pakrahasueshëm gjatë shqiptimit dhe intonimit të fjalive në skenë, i dhanë secilit rol të tij dorëshkrim autentik të pakopjueshëm.

Guximi i tij për të treguar kudo publikisht, që është krenar me origjinën, popullin dhe atdheun e tij, aftësia e tij për të krijuar lidhje më të sinqerta të mundura shpirtërore me të gjitha vlerat dhe arritjet e qytetërimit, pa mohuar asnjë herë dashurinë e tij të sinqertë për prindërit, vëllezërit, motrat, popullin dhe atdheun e tij, si dhe qëndrimi i tij burrëror përpara çdo përpjekjeje të armiqve të kombit të tij për t’ia shkelur atij dinjitetin personal dhe kombëtar, e bëjnë Bekim Fehmiun njeriun më të veçantë dhe aktorin më të madh që kemi pasur ndonjëherë.

Mospajtimi i tij me padrejtësitë dhe terrorin e regjimit të Millosheviqit ndaj bashkombasve të tij, e shtyri atë të revokonte për të gjitha kohërat të drejtën e tij për të ndjekur profesionin e aktorit në skenën e filmit dhe dramës jugosllave.

Ose, më saktë, e shtyri atë t’ia ndalojë vetes të përdorë fjalë dhe fjali artistike, që janë armët më të mëdha të një aktori në një skenë drame ose filmi.

Mjerisht as heshtja më dinjitoze, fisnike, patriotike dhe humane në historinë e njerëzimit, me të cilën ky aktor i famshëm e ndëshkoi veten, në tentimin e tij për t’i zvogëluar vuajtjet e bashkombasve të tij, nuk i mjaftoi kombit të tij që ta respektoi dhe pranoi atë si të vetin.

E madje as kur ia la amanet gruas së tij, që pluhuri i trupit dhe kockave të tij të hidhej në Lumbardhin e Prizrenit të tjj të shtrenjtë.

Me sa duket populli i tij, i cili vuan historikisht nga keqkuptimi dhe keqinterpretim i patriotizmit të vërtetë, nuk e ka kuptuar kurrë siç duhet trashëgiminë, vlerën, mesazhin dhe madhështinë e tij të vërtetë.

Ndaj e reduktoi vlerën e tij në dashurinë e tij të vërtetë për gruan e tij joshqiptare, ndonëse ai e takoi dhe njohu atë gjatë ditëve të studimit në Beograd, kur rrethohej vetëm nga gra të bukura serbe, kroate, boshnjake dhe hungareze, sepse gratë shqiptare asokohe nuk guxonin ta kalonin as pragun e shtëpisë, e lëre më të ecnin lirshëm rrugëve të fshatrave dhe qyteteve pa lejen e prindërve të tyre të prapambetur, që u bënë peng të trashëgimisë së prapambetur fetare dhe kulturore turko-arabe, nga koha e sundimit të Perandorisë Osmane.

Situata bëhej edhe më e sikletshme nga fakti se bashkëkombësit e Bekimit nuk arritën kurrë t’i heqnin qafe paragjykimet për martesën e tij me një serbe, pavarësisht faktit se ajo u përpoq vazhdimisht t’u dëshmonte atyre se ndante me të shoqin të gjitha vuajtjet nëpër të cilat kalonte ai, për shkak të situatës së mjerë të popullit të tij në Kosovë, të cilën ajo po ashtu e pasqyroi pafundësisht në mediat serbe.

Paradoksi bëhej edhe më hipokrit dhe i padurueshëm nga fakti se shqiptarët nga Kosova njëzet vjet rresht u pajtuan që me votat e tyre t’ua keqdrejtonin partitë dhe shtetin përfituesit e luftës, grabitësit e pronave publike dhe aseteve shtetërore, uzurpatorët e institucioneve më të rëndësishme të shtetit dhe tregtarët e paskrupullt me territorin e shtetit.

Çuditërisht ata asnjë herë nuk u pajtuan me dashurinë e sinqertë të Bekim Fehmiut ndaj gruas së tij serbe dhe fëmijëve të tij.

Dhe akoma më hipokrit është arsyetimi i tyre se Bekimi nuk është aktor shqiptar, sepse nuk ka luajtur në asnjë film në gjuhën shqipe.

Si duket ata nuk e kuptuan kurrë, se nuk kishin skenaristë dhe regjisorë që mund të përmbushnin kriteret profesionale të Bekimit për rolet dinjitoze, edhe pse shumë dyshoj se këto janë arsyetime të rreme të kolegëve e tij të kompleksuar shqiptarë nga Kosova, të cilët nuk guxuan kurrë të shfaqeshin në të njëjtin film me të, nga frika se mund të dukeshin të shëmtuar pranë tij, si retë e zeza pranë diellit.

Por mua nuk më intereson fare se çfarë mendojnë ata, e as çfarë mendoni ju lexues të dashur për Bekimin e Madh.

Për mua ai është jo vetëm aktori më i madh shqiptar, por edhe aktori më i madh europianolindor i të gjitha kohërave.

Dhe jo vetëm kaq, por edhe një nga njerëzit më të mëdhenj dhe patriotët më të vërtetë shqiptarë të të gjitha kohërave.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *