Lajme

Shfrytëzoi parkingun e ministrisë për biznes privat, pezullohet nga puna zyrtari i lartë MPB-së dhe pesë kolegët e tij

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është pezulluar nga puna zyrtari i kësaj ministrie Riza Alshiqi dhe pesë zyrtarë të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Riza Alshiqi, ishte raportuar se po e shfrytëzonte parkingun e pronës së këtij institucioni për dhënien e veturave me qira “Rent a car” me qëllim të përfitimeve personale.

“Referuar rastit të keqpërdorimit të detyrës nga zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme Riza Alshiqi, për përfitimet e biznesit të tij “Rent a car” në dëm të aseteve shtetërore, përveç inicimit të rastit për hetime në Policinë e Kosovës, i njëjti bashkë me 5 zyrtarë të të njëjtit departament sot janë pezulluar nga detyra”, ka shkruar ministri Sveçla në një postim në Facebook.

Me tëj Sveçla ka thënë se “do të vazhdojmë me përpjekjet tona që të gjithë keqpërdoruesit t’i ballafaqojmë me drejtësi teksa zyrtarët e përkushtuar për punë me profesionalizëm e përkushtim do të jenë në nivelin më të lartë të detyrës e në shërbim të qytetarëve tanë”.

Lexo më shumë  Muja: Kontratat njëburimore janë përgjysmuar, propaganda e opozitës është e pabazë

Duke iu referuar rastit të keqpërdorimit të pronës së ministrisë, ministri Sveçla një ditë më parë ka bërë të ditur se do të iniciojë auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu.

“Pas një pune të shkëlqyeshme të gazetarëve në demaskimin dhe shpërfaqjen e keqpërdorimit të aseteve shtetërore nga një zyrtar përgjegjës që do të duhej të siguronte mbarëvajtjen e punëve të transportit dhe parkingut të objektit të Qeverisë, menjëherë kam kërkuar nga Policia e Kosovës të fillojë hetimet për të gjitha shkeljet ligjore.

Po ashtu, nga dita e parë e punës do të inicioj auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu. Në të njëjtën kohë edhe Komisioni Disiplinor pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, duhet të angazhohet për të identifikuar të gjitha shkeljet dhe të ndërmarrë masat e parapara me ligj”, ka pohuar ministri.

Lexo më shumë  DOSJA/ Gjyqtarja Pajtime Fetahu kërkoi nga bandat të goditej gazetari Saimir Kodra pasi ai ka denoncuar lidhjet e gjyqtares me krimin

Riza Alshiqi punonte si zyrtar i lartë për monitorimin e transportit qeveritar prej pesë vjetësh në Ministri të Punëve të Brendshme, ndërsa si zyrtar i transportit që nga nëntori i vitit 2001. Krahas punës primare në ministri, si punë sekondare brenda po asaj ministrie dhe brenda orarit zyrtar ka zgjedhur të bëjë biznes me dhënien e veturave me qira, kishte bërë të ditur “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë, ai kishte gjetur një variant për ta shfrytëzuar pronën e ministrisë.

Meqë, punën e zhvillon në objektin e ish-Rilindjes, ai ka shfrytëzuar parkingun e këtij objekti ku gjenden pesë ministri, për t’i lënë veturat të cilat i posedon për t’i dhënë me qira.

Biznesi i tij në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve është i emëruar si “Riza rent a car”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *