Shënohet rënie e shitjeve në fidanishte, lajmërohet reduktimi i prodhimit bujqësor me mbi 20%
Të gjithë njësitë e shitjes së fidanëve në zonën Këmishtaj dhe Rrupaj të Myzeqesë kanë rënie të shitjeve në këtë sezon me rreth 30%. Vështirësitë që nisën me humbjet e sezonit të kaluar u përkeqësuan me paketën fiskale dhe ngricat e ditëve të fundit. Fatmir Ndoja, i cili prej vitesh kultivonte 5 dynymë serë me investimet e krijuara nga emigracioni nuk ka e mbjellë serën këtë vit.
Si Fatmiri janë edhe shumë fermerë që në të 40-at e tyre, po zgjedhin emigracionin, për shkak të humbjeve që përjetuan vitet e fundit. Sipas tyre, prodhimi bujqësor si biznes dhe mjet jetese si kudo në botë, edhe në Shqipëri, mbështetet nga skema e subvencioneve. Sinjalet negative u dhanë gjatë vitit 2021.
Kalbja në sera e prodhimeve të dyta të sezonit 2021 për shkak të mungesës së kërkesës nga jashtë, farës së keqe dhe çmimeve të ulëta, çoi në rënie për herë të parë së paku në 16 vite, eksportet e prodhimeve të fushës në Shqipëri, zarzavatet. Sipas të dhënave të INSTAT, për tregtinë e jashtme, eksportet e zarzavateve arritën gjatë vitit të kaluar 8,830 milionë lekë, me rënie me 0.4% në raport me vitin e kaluar. Zarzavatet janë produkti më i eksportuar nga grupi i ushqimeve, me një rritje të shpejtë vitet e fundit, si rrjedhojë e investimeve në sera dhe shtimit të sipërfaqes së mbjellë. Nga viti 2010 deri në vitin 2021, eksportet e zarzavateve u shumëfishuan, duke arritur një vlerë prej 8,8 miliardë lekësh, nga 464 milionë lekë më 2010.
Rritja e të ardhurave nga eksporti rriti potencialet e bujqësisë në zonat më prodhuese të vendit, Fier dhe Berat. Eksportet ndikuan në rritjen e bizneseve në ferma, u bënë shkak për investime në teknologji, modernizim dhe ekspertizë. Mirëpo mungesa e subvencioneve në sektorin e prodhimit, çmimet e larta të inputeve, të kombinuara me mungesën e kërkesës në eksport në muajt e fundit 2020, i çuan në rënie të ardhurat për fermerët.
Situata nuk është aspak optimiste edhe këtë vit. Zinxhiri bujqësor që nga prodhimi, magazinimi, përpunimi dhe eksporti nuk pret rritje më 2022. Myftar Sharka, drejtor i financës te “Doni Fruits” pret rënie të prodhimit deri në nivelet 20% këtë vit, pasi kostot e lëndëve të para që nga farat, fidanët, plehrat dhe plastmasa dhe hekuri për serat janë rritur mbi 50%. “Doni Fruits” e cila furnizon me fara shumë fermerë në zonë thotë se, ka një rënie të ndjeshme të shitjes së farave dhe inputeve që tregojnë se, prodhimi do të jetë më i ulët në këtë sezon.
I vetmi avantazh që ka Shqipëria, në bujqësi në krahasim me rajonin, sipas zotit Sharka është klima. Për shkak të pozitës gjeografike mesdhetare, prodhimet shqiptare dalin në tregje dy muaj para vendeve të Ballkanit në muajt prill-maj, periudhë në të cilën nuk ka konkurrencë. Pjesa më e madhe e serave mbillen dy herë, por në sezonin e dytë, të ardhurat nga shitjet janë zakonisht më të dobëta, për shkak të çmimeve më të ulëta në tregjet e eksportit.
Efekti zinxhir
Bujqësia, në dukje një sektor i dorës së dytë, i anatemuar për vlerën e ulët të fitimeve nga këndvështrimi i biznesit, në realitet është një sektor i rëndësishëm për efektet zinxhir që ka në të gjithë ekonominë, sidomos në çmime dhe në punësim. Duke marrë në konsideratë se më shumë se e një e katërta e ekonomisë shqiptare dominohet nga bujqësia, institucionet poltikëbërëse në vend kanë shumë pak të dhëna dhe studime për ecurinë e kostove, çmimeve dhe të dhënave mbi bilancet e bizneseve fermere.
P.sh. shembull, sektori i ndërtimit që zë 11% të ekonomisë, matet nga INSTAT çdo tre muaj për kostot, lejet, teksa të dhëna vjetore të rregullta mbi të ardhurat dhe fitimet, çmimet etj. Mungesa e statistikave në bujqësi ka lënë pa diagnozë problematikën në sektor, e për pasojë, edhe zgjidhjet.
Prej vitit 2008, INSTAT ka nisur të publikojë indeksin e bujqësisë, por nuk ka një indeks për kostot, si për ndërtimin. Për çmimet bujqësore të vitit 2021, të dhënat dalin në korrik të këtij viti, ndërsa më 2020, në kulmin e pandemisë Covid-19 kur ushqimet patën nivele të larta konsumi, indeksi vjetor i çmimeve në bujqësi u rrit me 2.6%. Në këtë indeks, prodhimet bimore kishin peshë 56% dhe ato blegtorale, 44%. Perimet dhe frutat u përllogaritën me peshën më të lartë përkatësisht me 23.2 dhe 17.2%. Këto të dhëna tregojnë për rëndësinë e madhe që kanë prodhimet e serave për shportën e konsumit e për rrjedhojë inflacionin.
Shporta e konsumit të familjeve shqiptare ka aq shumë varësi nga ushqimet, sidomos frutat dhe perimet, sa luhatjet në çmimin e një artikulli të vetëm mund të çekuilibrojë një nga treguesit më të rëndësishëm makroekonomikë, inflacionin. Sipas INSTAT, grupi “ushqime, pije joalkoolike dhe duhan” zë 42% të totalit të shpenzimeve në një familje, nga 13% që është mesatarja europiane dhe 30-35% në vendet e tjera të rajonit.
Brishtësia e prodhimit vendas në disa kultura, sidomos frutat dhe zarzavatet, shënon goditje ekstreme në nivelin e përgjithshëm të çmimeve.
Për shembull, në vitin 2019, zona e Korçës mbolli më pak patate për arsye se një vit më parë, fermerët nuk kishin arritur të shisnin prodhimet e tyre, duke akumuluar humbje, teksa prodhimet u kalbën. Si rrjedhojë, duke menduar se situata do të përsëritej më 2019 fermerët braktisën kulturën e patates, duke bërë që çmimi i saj në tregje të dyfishohej në një vit.
Duke qenë se patatja bashkë me qepën konsumohen gjerësisht, ajo ndikoi në rritjen e inflacionit, në vitin 2019. Në janarin e vitit 2019, çmimi i perimeve dhe zavratëve u rrit me 36%, si pasojë e mungesës së furnizimit me qepë, patate dhe presh. Një kilogram nga këta artikuj kushtoi 120 lekë, gati dyfishin në raport me vitin 2018.
Rriten borxhet
Arben Sakollari i ka shtuar listat e borxheve të pashlyera nga fermerët. Qindra fermerë në zonë e kanë të shënuar dy-tre herë emrin në lista, pasi një herë kanë marrë plastmasë e nuk kanë paguar paratë, një herë fidanë e një herë plehra. Aktualisht borxhi në llogaritë e Arbenit ka arritur në 135 mijë euro, shumë prej të cilave pa shpresë arkëtimi. Arbeni e di që shumë nga fermerët kanë falimentuar dhe nuk i kanë mbjellë serat e për rrjedhojë, nuk kanë as nga t’i arkëtojë borxhet. Si Arbeni janë pothuajse të gjitha njësitë e shitjes së importeve në zonën e Myzeqesë dhe në atë të Beratit.
Në përgjithësi, bizneset në ferma nuk janë të larta. Në vitin më të mirë të biznesit të tij në serë, Fatmir Ndoja i kishte fituar 14 mijë për të gjithë vitin në 5 dynymë serë të mbjellë në të cilin ishin të punësuar e gjithë familja – gruaja, vëllai dhe prindërit. Këto të ardhura ishin të mjaftueshme për të shmangur emigracionin, por jo të mjaftueshme për angazhimin e të gjithë familjes prej 5 anëtarësh.
Në një studim, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë në Kombet e Bashkuara (FAO) ka vendosur disa standarde në Shqipëri, se kur një fermë mund të jetë vizibël për të siguruar të ardhurat për një familje me dy anëtarë dhe gjithashtu për të siguruar investime themelore që kërkon mirëmbajtja e fermës. Në Shqipëri, sipas statistikave, numërohen rreth 350 mijë ferma, nga të cilat 159,856 janë më pak se 1 hektar, 142,084 janë deri në 2 hektarë dhe vetëm 49 mijë janë mbi 2,1 hektarë.
Sipas FAO-s, që një fermë të sigurojë të ardhura për pagën minimale të dy personave dhe teprica për pak investime duhet të gjenerojë 5 mijë euro në vit, që nga viti i parë i investimit. Në analizën e FAO-s, në skenarin normal, një fermë me 1 ha tokë mund të sigurojë këtë të ardhur nëse përzgjidhet me kujdes produkti që ka shitje të siguruar. Ndërsa një fermë me 2 ha tokë ka potenciale për të qenë fitimprurëse nëse është serë dhe janë mbjellë perimet kryesore të konsumit.
Një fermë bagëtish është fizibël me jo më pak se 7 lopë dhe me një hektar tokë për lopë dhe një fermë me të imta nuk është fizibël në më pak se 100 krerë. Këto sipërfaqe fermash dhe numri i krerëve është llogaritur të mbulojnë me të ardhura vetëpunësimin e familjes që i zotëron. Por sipas FAO-s, fermat nën 1 ha janë shumë të vogla dhe jo fizibël në vijimësi, fermat midis 1 dhe 2 ha janë disi fizibël, por me shumë vështirësi, ndërsa fermat mbi 2 ha kanë një potencial të caktuar tregu. Duke qenë të vogla, fermat mund të përshtaten me kërkesën e tregut, por nën 1 hektar ato nuk janë fizibël as për pemishte e as për perime.
Studimi cilësoi se vetëm 25% e fermave gjenerojnë më shumë se 3000 euro dhe 5500 euro të ardhura në vit nga aktivitetet bujqësore. Më shumë se një e katërta (27%) gjenerojnë më pak se 750 euro dhe pothuajse gjysma e fermave gjeneron 750 deri në 3 000 euro, me një mesatare prej gati 1 700 euro për familje, ose rreth 500 euro për person në moshë pune (mbi 16 vjeç).
Kështu, tre të katërtat e familjeve gjenerojnë të ardhura shumë të ulëta nga bujqësia dhe shumë më poshtë se kufiri i fermës ekonomikisht e qëndrueshme. Kjo e bën të domosdoshme që fermat familjare të zhvillojnë strategji të reja të mbijetesës, duke zhvilluar diversifikimin e të ardhurave.
Perimet e serave që po rriten me borxhe
Klodian Gjeci nga fshati Lunas kultivoi 2 dynymë patate dhe 3 dynymë tranguj në sera në vitin 2021, ndërsa nuk i ka shlyer ende 400,000 lekët e blerjes së fidanëve për të mbjellat. “Nëse prodhimi nuk do të arrijë të më ecë siç duhet, duke llogaritur edhe shpenzimet për plehrat kimike, agronomët dhe koston e mbledhjes së produktit, automatikisht shuma e borxhit shkon 1,000,000 lekë. Nëse falimentoj këtë vit, kjo do të ishte katastrofike, pasi ende nuk kam shlyer edhe borxhet që kam marrë për ngritjen e serës”.
Efektet e krizës së rritjes së çmimeve janë shtrirë në gjithë zinxhirin e prodhimit të serave. Administratori i kompanisë AEI sh.p.k., Enis Kola, i cili operon në treg prej vitit 2000, pohon se prej 3 muajsh ka rënie të kërkesës për shkak të rritjes së çmimeve. “Para krizës së rritjes, çmimi për plastmasën ishte 84 lekë/m². Prej muajit qershor, çmimi i plastmasës është 115 lekë/m². Çmimi është rritur 27% më shumë. Nëse më parë, kostoja për mbulimin e një sere ishte 150,000 lekë, sot është 200,000 lekë. Kostoja për mbulimin e serës nga rritja e çmimeve në tregjet e huaja është rritur 25%.
Në magazinë kemi dy kontejnerë me mall të pashitur në vlerën e 140,000 eurove. Prej tre muajsh nuk kemi pasur shitje. Fermerët që vijnë të interesohen për blerje plastmase largohen sapo njihen me çmimin, pasi nuk mund ta përballojnë financiarisht. Shumë prej fermerëve në Lushnjë kanë braktisur investimet, pasi prej vitesh po shesin produktet nën kosto.
Kjo situatë ka krijuar efekte negative edhe për kompanitë e tregtimit të plastmasës, fidanëve apo plehrave kimikë. Fermerët po ikin. Nuk ka shitje. Ne jemi në prag të falimentimit”, pohon Enis Kola. Totali i borxheve të paarkëtuara të kompanisë nga shitjet e plastmasës për serat e fermerëve nga viti 2000 deri tani është 16 milionë lekë. 4 milionë lekë borxhe konsiderohen të humbura, pasi janë marrë nga fermerë që kanë falimentuar.
Për kompaninë është shqetësuese edhe pagesa prej 15 lekë/kg në doganë, si tarifë për ndotjen e mjedisit. Enis Kola thotë se në total, vjet kanë paguar 3,3 milionë lekë për tarifën e ndotjes së mjedisit, ndërkohë që plastmasa e serave është një produkt që riciklohet dhe nuk e ndot atë./Monitor
Rruga Press