Lajme

Shembulli “Nuhu”/ Pse u zbyth policia nga Rrajat e Krujës

Vetëm pas publikimit të pamjeve të rënda të dhunës në Krujë, Policia e Shtetit ka reaguar duke arrestuar 4 shtetas si të përfshirë në ngjarje. Por sic mëson Lapsi.al vëllezërit e deputetit të PS-së, Rrahman Rraja, Xhelali e Flamuri, nuk janë vënë në pranga ende. Ata shfaqen me pistoletë në dorë teksa kërcënojnë një prej anëtarëve të fisit Maja.

Për ta kuptuar më mirë zbythjen e policëve duhet kujtuar historia e Emiljano Nuhut, polici i vetëm i Krujës që pranoi të regjistrojë denoncimin e Xhisiela Malokut, ish e dashura e rrahur dhe kërcënuar nga Rexhepi, djali i deputetit të zonës, Rrahman Rraja.

Kur sapo kishte marrë kallëzimin e Xhisielës, Emiljanon e ndoqën kushërinjtë e Rexhepit nga Kruja në Tiranë. Njëri prej tyre, Ramazan Rraja ia tha troç: “Ligjin në Krujë e bëjmë ne. Nëse duam mund të shkrijmë edhe Komisariatin e Krujës”.

Mosbesues për këto fjalë, polici Emiljano Nuhu i shkruajti një letër të gjatë eprorit të tij Ardi Veliut. Në letrën që Lapsi.al e ka publikuar të plotë në të cilën i përshkruante djemtë e fisit Rraja si “të pushtetshëm, impulsivë, që lëvizin gjithmonë të armatosur dhe që nuk goditen nga strukturat e Policisë lokale”.

Lexo edhe: LETRA E PLOTE/ Emiljano Nuhu informoi Ardi Veliun për kērcënimet e Rrahjave

Lexo më shumë  Media italiane: Ish-avokati i trafikantëve të drogës, Engjëll Agaçi, njeriu kyç në marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët

Çfarë bëri Ardi Veliu? I çoi informacionin Taulant Ballës. Sepse Rrajat, duke qenë fis i madh në Krujë janë një aset i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Siç tregoi më vonë polici Emiljano Nuhu, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i shkoi në komisariat bashkë me deputetin e PS, Rrahman Rrajën, me kryetarin e bashkisë Artur Bushin dhe vëllain e deputetit, Xhelal Rrajën. Ky i fundit ishte i armatosur dhe në nerva e sipër i vuri pistoletën në kokë për t’i thënë të mos regjistronte denoncimin e Xhisiela Malokut.

“Ata kanë qenë në komisariat dhe detaji që unë kam nga zyra ime janë fjalët e tyre që ata më kanë thënë me ironi, që janë shprehur nga deputeti Taulant Balla dhe Artur Bushi që: ‘hiqe pistoletën nga koka e oficerit se nuk i bën oficeri këto gabime’ dhe kam qenë nën trysninë e armës së zjarrit brenda zyrës time” tregoi Emiljano Nuhu, pasi u arratis nga Shqipëria me gjithë familjen.

Nuhu ishte një agjent policie dosido. Ai kishte marrë pjesë në disa operacione të rëndësishme si i infiltruar dhe për të ishte investuar për vite me radhë në disa trajnime. Nuhu kishte çertifikatën e sigurisë të lëshuar Drejtoria e Sigurisë dhe Informacionit të Klasifikuar, kualifikime nga OSBE, PAMECA, nga Departamenti Amerikan i Shtetit, diplomën në juridik etj dhe kurset e tjera të organizuara nga policia e shtetit.

Lexo më shumë  Rohde: Thirrja e Listës Serbe për bojkotin e votimit në veri është për keqardhje

Megjithatë, pasi denoncoi publikisht Rrajat dhe manipulimin që kishte bërë Taulant Balla në komisariat u përball me artilerinë e rëndë të presionit qeveritar. Kryeministri Rama doli dhe e quajti “horr“, “shpifës me uniformë”, një njeri “në shërbim të opozitës” apo një polic që “kishte sabotuar hetimet” për të përfituar azilin politik.

Kur Ramës i thonin se Xhelal Rraja i kishte vënë pistoletën në kokë policit, kryeministri bërtiste: Unë kam parë kamerat! Në fakt, filmimet e komisariatit të Krujës nuk dolën kurrë. Sot doli se si fisi Rraja dhunon një njeri në mes të ditës me shkopa bejzbolli duke i mbajtur pistoletën mbi kokë dhe pa iu trembur policisë.

Dhe policia nuk ka se si të veprojë. Sepse Edi Rama e bëri shembull Emiljano Nuhun duke i dhënë një mesazh të qartë kujtdo që do të marrë përsipër t’i arrestojë apo të regjistrojë kallëzim Rrajave. Në fillim duhet t’i bëjë hesapet me Edi Ramën. /Lapsi.al/

Rruga Press

YouTube player