Shefi i NATO-s do të bëhet guvernator i Bankës Qendrore të Norvegjisë
Jens Stoltenberg do të bëhet guvernator në Bankën Qendrore Norvegjeze pasi të përfundojë mandatin e tij në organizatën ushtarake.
Autoritetet norvegjeze emëruan Jens Stoltenbergun, sekretarin aktual të përgjithshëm të NATO-s, si guvernator të ri të Bankës Qendrore. Shefi aktual, Oystein Olsen, do të japë dorëheqjen më 1 mars dhe Stoltenberg do të marrë detyrën vetëm pasi mandati i tij si shef i NATO-s të përfundojë këtë shtator.
Një tjetër kandidat për këtë pozicion, zëvendës-shefja e Norges Bank, Ida Wolden Bache, e cila ishte rivalja kryesore e Stoltenberg, do të marrë drejtimin nga marsi deri në shtator.
Kreu i Bankës Qendrore të Norvegjisë do të udhëheqë punën për përcaktimin e normave të interesit dhe ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit. Ai do të jetë gjithashtu në krye të fondit të pasurisë sovrane të Norvegjisë, i cili vlerësohet në 1.4 trilionë dollarë dhe është më i madhi në botë.
Kandidatura e Stoltenbergut ka ngjallur më parë kritika nga ekspertët norvegjezë të ekonomisë, të cilët janë të shqetësuar se ky emërim mund të dobësojë pavarësinë e Bankës Qendrore, pavarësisht trajnimit dhe përvojës së tij.
Jens Stoltenberg, një ekonomist nga arsimi, veproi si kryeministër norvegjez nga viti 2000 deri në 2001 dhe në 2005-2013, përpara se të emërohej Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Ai do të jetë politikani i parë që do të marrë këtë post që nga vitet 1990.
Rruga Press