Opinion/Aktualitet

SHBA-të duhet të ndryshojnë kursin në Ballkan

Nga Agim Nesho

Ballkani gjithmonë ka qenë një rajon që ka gjeneruar kriza dhe destabilitet. Lufta e Parë Botërore ka filluar në Ballkan. Problemet e pazgjidhura dhe tensionet etnike, nacionalizmi i ri dhe lufta për dominimin rajonal, influencat e huaja dhe përpjekjet e tyre për t’a shkëputur perspektivën perëndimore këtij rajoni, janë prezente gjithmonë e më tepër. Ballkani mund të mos jetë më një ‘fuci baruti’ por mbetet një rajon problematik. Termi ‘ballkanizim’ sot ka hyrë në cdo fjalor politik dhe përdoret për të karakterizuar të gjitha situatat e komplikuara dhe problematike kudo në botë.

Problematika e Ballkanit Perëndimor duket që akoma nuk ka sensibilizuar Perëndimin për tu angazhuar me seriozitet për kontrollin dhe integrimin e këtij rajoni. Për një kohë të gjatë, dhe sidomos pas vitit 2016, Ballkani u la në dorë të lirë të iniciativave të vetë-ofruara të liderëve ballkanikë. Dhe kjo erdhi për dy arsye: – mungesa e vëmendjes për rajonin nga Perëndimi dhe përpjekja për të afruar Serbinë drejt familjes perëndimore.

Kjo situatë e shtyn nacionalistin e ri Vuçiç, tashmë një satelit i vogël i Rusisë dhe Kinës, në një rol primar në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai tentoi fillimisht të revizionojë politikën perëndimore në Ballkan, të zhdukë zgjidhjen e BE-së për shtete të lira demokratike dhe multi-etnike në Ballkan, duke propozuar ndarjen e shteteve në linja të pastra etnike. Kjo do të conte në një zgjidhje të re gjeopolitike të Ballkanit si dhe do të rriste influencën ruse në rajon. Projekti u bllokua fatmirësisht nga Kancelarja Merkel dhe Gjermania, por toleranca ndaj Vucic dhe Ramës, si protagonistë të kësaj inisiative, zgjoi frikën në Ballkan, për projekte të rrezikshme që mund të shkatërronin status quo-në dhe mund të rimodelonin Ballkanin. Projekti zgjoi frikën e zhbërjes së Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, dhe Maqedonisë së Veriut, në favor të krijimit të shteteve të mëdha në Ballkan.

Psikologjia e frikës e ushqyer nga ky projekt revizionist, ka rritur ndjenjën e vetëmbrojtjes në të gjitha vendet ballkanike. Shembulli më klasik është reagimi në Maqedoninë e Veriut, ndaj batutave sharlataneske të kryeministrit Shqiptar Rama, që iu kujtoi maqedonasve që vendi i tyre mund të shikohet si Bullgaria Perëndimore. Projekti famëkeq i ndryshimit të kufijve ka ngritur jo vetëm shqetësim në Maqedoninë e Veriut, ku shakaxhiu i Ballkanit ka luajtur rolin e një patronazhisti të partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por ndan të njëjtën strategji si Vucic, që ‘kur luftohet për hapësirën serbe nuk duhet t’ju mohohet vetë-vendosja’; por edhe në Bullgari ku politikanët e saj pas 25 viteve kujtohen të bllokojnë procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut pa realizuar kompromisin që maqedonasit të njohin rrënjët bullgare në historinë dhe gjuhën e tyre.

Por jo vetëm projekti për ndarjen e kufijve por edhe ai i Ballkanit të Hapur po ngre tensione të panevojshme në Ballkan. Ballkani i Hapur është një iniciativë paralele që shmang Procesin e Berlinit, nuk njeh realitetin historik të Kosovës dhe kërkon ta kthejë atë në favor të një zgjidhje preferenciale për Serbinë.

Dhe sot, për ironi të fatit, i kërkohet Kosovës të jetë bashkëpunuese ndërsa Vucic që betohet mbi Kushtetutë se do të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë me Kosovën e Metohinë përfshirë, e shikojnë si një lojtar që kërkon progres dhe integrim. Retorika e butë dhe mosveprimi i Perëndimit ndaj vlerave dhe parimeve demokratike në rajon, e ka kthyer Ballkanin në një circus politik, ku autokratët e Ballkanit – Rama e Vuçiç – po luajnë solo duke i rënë fyellit vetëm në një vrimë: Ne jemi garantorët dhe stabilizuesit e Ballkanit.

Por mosveprimi në këto momente do të cojë në një pikë që rivendosja e ekuilibrave do të ketë kosto të mëdha. Eshtë e nevojshme që politika e jashtme e SHBA-së të shkundet dhe t’i rikthehet linjave të saj realiste. Mund të ndjehesh komfort me një autokrat klientelist që të shërben në momente te caktuara, por humb influencën tënde afatgjatë në këtë rajon. Përkrahja pa kushte për dy autokratët që kanë kapur shtetin e së drejtës, manipulojnë zgjedhjet e lira, gdhendin në rrugët e Beogradit portretin e Milosevic dhe trembin kosovarët dhe malazezët me raketat kineze e shërbimet informative ruse, duket se është tejkaluar.

Ka ardhur koha kur vizioni i Presidentit Biden për rikthim të demokracisë dhe luftë kundër autokracisë të korruptuar të bëhet realitet. Sa për sugjerimet e organizatave për projekte të hapura në Ballkan, dua t’ju sugjeroj se eksperimenti i tyre me Sakashvilin ishte një katastrofë dhe ai e tregoi veten kur desh të hidhej nga kati i dhjetë i një pallati. Mos prisni që zoti Rama ti verë flakën Ballkanit për të mbetur në histori, për të kuptuar se projektet nuk bazohen në individë, por në popull dhe institucione./syri/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *