Bota

SHBA: Rusia do të përballet me trysni në OKB lidhur me Ukrainën

Shtetet e Bashkuara u përpoqën të dielën të rrisin trysninë ndaj Rusisë lidhur me Ukrainën, duke thënë se do ta shtrojnë këtë çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ndërsa ligjvënësit amerikanë thanë se janë pranë një marrëveshjeje për sanksione të ashpra.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield tha se Këshilli i Sigurimit do të bëjë presion ndaj Rusisë në një seancë të hënën që t’u përgjigjet shqetësimeve për grumbullimin e trupave pranë Ukrainës dhe mundësisë së një ndërhyrjeje tek vendi fqinj.

Këshilli nuk ka pothuajse asnjë gjasë që të miratojë ndonjë qëndrim zyrtar, duke pasur parasysh se Rusia ka të drejtë vetoje si edhe lidhjet e saj me vende të tjera në këshill, përfshirë Kinën.

Por ngritja nga Shtetet e Bashkuara e çështjes së grumbullimit të trupave ruse në forumin më të lartë të Kombeve të Bashkuara, u jep mundësi të dyja palëve të përballen në një skenë globale në betejën mes tyre për opinionin ndërkombëtar.

“Ne jemi të bashkuar në thirrjen që rusët të japin shpjegime për veprimet e tyre,” tha ambasadorja Thomas-Greenfield në një intervistë për emisionin “This Week” të televizionit ABC të dielën, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në Këshillin e Sigurimit.

“Ne po shkojmë në seancë të përgatitur për të dëgjuar (palën ruse), por nuk do të shpërqendrohemi nga propaganda e tyre.”

Grumbullimi i mbi 100,000 trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën ka nxitur paralajmërime gjithnjë e më të forta nga Perëndimi se Moska mund të jetë duke u përgatitur të ndërhyjë.

Rusia ka kërkuar që NATO-ja të mos lejojë asnjëherë Ukrainën të anëtarësohet në aleancë, të ndalë vendosjen e armatimeve të NATO-s pranë kufijve rusë dhe të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore.

Lexo më shumë  Nuk munguan as goditjet – detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në Parlamentin e Serbisë

Kreu i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev, hodhi poshtë të dielën paralajmërimet perëndimore për një pushtim të mundshëm,

“Ata po thonë se Rusia po kërcënon Ukrainën – kjo është krejtësisht qesharake,” u citua ai të thoshte nga agjencia shtetërore e lajmeve Tass. “Ne nuk duam luftë dhe nuk na nevojitet aspak lufta.”

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian thonë se do të vendosin sanksione të ashpra në rast të një pushtimi rus. Të dielën, kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, senatori Bob Menendez, parashtroi mundësinë e ndërmarrjes së disa masave parandaluese.

“Disa sanksione mund të vendosen që më parë, në përgjigje të veprimeve që Rusia i ka ndërmarrë tashmë si sulmet kibernetike ndaj Ukrainës, operacionet provokuese, përpjekjet për të minuar qeverinë ukrainase brenda,” tha senatori Menendez për televizionin CNN.

Në rast të një pushtimi, tha demokrati nga Nju Xhersi, Rusia do të përballet me “sanksione masive”, përfshirë veprime kundër bankave ruse gjë që mund të minojë rëndë ekonominë ruse, si edhe rritje të ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Gjasat janë që sanksionet të jenë shumë më të ashpra se ato të imponuara pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014. Masat ndëshkuese të atëherëshme janë vlerësuar joefektive.

Rusia prej kohësh e ka shprehur pakënaqësinë e saj me anëtarësimin në NATO të vendeve që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik ose ishin në sferën e saj të ndikimit si anëtarë të Paktit të Varshavës.

NATO “i është afruar tashmë Ukrainës. Tani duan edhe ta fusin (në aleancë),” tha të dielën Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, “ndonëse të gjithë e kuptojnë se Ukraina nuk është gati dhe nuk mund të japë asnjë kontribut për forcimin e sigurisë së NATO-s. ”

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Ukraina ka kërkuar anëtarësimin në NATO prej vitesh, por perspektiva e anëtarësimit duket e largët, duke pasur parasysh vështirësitë e saj për vendosjen e stabilitetit politik dhe në luftën kundër korrupsionit.

Senatori demokrat Dick Durbin dhe anëtar i grupit të Senatit për çështjet e Ukrainës, sugjeroi se tërheqja e Ukrainës nga aspiratat e saj për anëtarësim në NATO mund të përshpejtojë një zgjidhje diplomatike për krizën aktuale.

Nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy “vendos që një anëtarësim i ardhshëm në NATO, nëse do të ketë një të tillë për Ukrainën, dhe çështja e ndërhyrjes ruse në Ukrainë, mund të diskutohen në tryezën e bisedimeve, mendoj se mund të shkojmë drejt një zgjidhjeje,” tha zoti Durbin për televizionin NBC.

Ukraina nuk ka dhënë shenja se mund të jetë e hapur të bëjë lëshime lidhur me perspektivën e anëtarësimit në aleancë.

Zoti Lavrov përsëriti gjithashtu se Rusia e sheh zgjerimin e NATO-s si një kërcënim.

“Është vështirë t’i shohësh veprimet e aleancës si mbrojtëse. Nuk duhet të harrojmë se ata bombarduan Jugosllavinë për gati tre muaj, ndërhynë në Libi, duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe atë që bënë në Afganistan,” tha ai.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë hedhur poshtë zyrtarisht kërkesat e Rusisë që të ndalet zgjerimi i NATO-s, megjithëse Uashingtoni ka paraqitur fusha ku janë të mundshme diskutimet, duke ofruar shpresë se mund të ketë një mënyrë për të shmangur luftën.//VOA

YouTube player