SHBA: Rusia dëshiron të blejë më shumë dronë nga Irani
Shtëpia e Bardhë tha se Rusia po synon që të blejë dronë shtesë sulmues nga Irani për t’i përdorur në luftën kundër Ukrainës, pasi Moska ka përdorur shumicën e 400 dronëve që paraprakisht kishte blerë nga Teherani.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, vitin e kaluar publikoi imazhe satelitore dhe gjetje të inteligjencës që thanë se tregojnë që Irani i kishte shitur Rusisë qindra dronë sulmues.
“Irani po ashtu vazhdon t’i ofrojë Rusisë dronët kamikazë. Që nga gushti, Irani i ka ofruar Rusisë mbi 400 dronë të llojit Shahed”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare amerikane, John Kirby.
“Rusia ka përdorur shumicën e këtyre dronëve, duke i përdorur për të shënjestruar infrastrukturën kritike ukrainase brenda Ukrainës. Duke i ofruar Rusisë këta dronë, Irani drejtpërdrejt ka mundësuar luftën e agresionit të Rusisë në Ukrainë”, shtoi më tej Kirby.
Për muaj të tërë, zyrtarët kanë thënë se SHBA-ja beson se Irani po e shqyrton mundësinë e shitjes të qindra raketave balistike te Rusia, por Uashingtoni nuk kishte dëshmi se një marrëveshje për këtë gjë ishte arritur.
Rruga Press