SHBA/ Popullariteti i Presidentit Biden, i lidhur me gjendjen e pandemisë
Presidenti Joe Biden shprehu optimizëm të enjten në lidhje me përparimin që kanë bërë Shtetet e Bashkuara kundër COVID-19. Sondazhet e fundit kanë treguar se opinioni i publikut amerikan për të është i ndërthurur me gjendjen e pandemisë në vend.
Ndërsa programi i tij legjislativ mbi infrastrukturën dhe shpenzimet sociale ka ngecur, të enjten Presidenti Joe Biden foli për përparim në luftën kundër pandemisë.
“Në shkallë vendi, rastet ditore kanë rënë me 47%. Shtrimet në spitale gjatë gjashtë javëve të fundit.janë ulur 38% dhe gjatë dy javëve të fundit, gjendja në pjesën më të madhe të vendit është përmirësuar. Ritmi i rasteve është në rënie në 39 shtete dhe normat e spitaleve janë në rënie në 38 shtete”, tha presidenti Biden.
Bindja e amerikanëve se administrata e tij po arrin sukses në luftën kundër pandemisë , është e rëndësishme për pozitën politike të zotit Biden.
“Gjatë suksesit të fushatës së vaksinimit në pranverë, mbështetja ndaj tij ishte mjaft e lartë. Por me mbizotërimin e variantit delta, rritjen e konsiderueshme të rasteve dhe rigjallërimin e COVID-it gjatë dy muajve të fundit, kemi parë që zoti Biden ka humbur terren”, thotë për Zërin e Amerikës Chris Johnson i kompanisë së sondazheve Ipsus.
Tërheqja nga Afganistani, rritja e çmimeve të gazit, inflacioni, si edhe rritja e fluksit të imigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë të gjitha kontribuojnë në rënien e mbështetjes për zotin Biden.
Por sipas të anketuarve, pandemia është faktori kryesor; 49.7 për qind e amerikanëve nuk e miratojnë punën që po bën zoti Biden, krahasuar me 44.7 për qind që e mbështesin, sipas organizatës “FiveThirtyEight” që monitoron anketat për presidentin. Mbështetja për të ka qenë nën 50% për një farë kohe: Që nga 30 gushti, numri i amerikanëve që nuk e kanë miratuar punën e tij është më i madh, sesa i atyre që e miratojnë.
Ky është një sinjal negativ për demokratët ndërsa afrohen zgjedhjet për Kongresin në vitin 2022.
“Këto zgjedhje që përkojnë me mesin e mandatit të presidentit, janë zakonisht një referendum mbi administratën aktuale. Për republikanët ka një ndryshim të madh nëse mbështetja për presidentin është 55 apo 35 për qind”, thotë anketuesi republikan Whit Ayres.
Shtëpia e Bardhë ka bërë përgjegjëse pjesërisht rezistencën e republikanëve ndaj masave të shëndetit publik për rritjen e rasteve me COVID-19, përfshirë refuzimin e guvernatorëve republikanë për të zbatuar urdhrat për vaksinimin e detyruar, ose testim javor për punonjësit e kompanive të mëdha dhe për punonjësit e qeverisë federale.
“Urdhri ekzekutiv i Guvernatorit (të Teksasit) Abbott që ndalon vaksinimin e detyruar, si edhe vendimin e Guvernatorit (të Floridës) DeSantis që në thelb ndalon të njëjtën gjë, ndjekin një model që tashmë është i ditur, për të vënë politikën përpara shëndetit publik “, tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Anketuesit thonë se votuesve nuk u intereson se kush e ka fajin.
“Shumë amerikanë nuk mendojnë se COVID është nën kontroll. Arsyeja nuk është domosdoshmërisht e rëndësishme – Biden është presidenti, Biden është përgjegjës, në fund të fundit”, thotë zoti Jackson.
Presidenti Biden u bëri përsëri thirrje të enjten 66 milionë amerikanëve të pavaksinuar që të vaksinohen, si edhe bizneseve që të mbështesin udhëzimet e tij për vaksinim të detyruar. /VOA/
Rruga Press