Bota

SHBA-ja e pezullon furnizimin e Izraelit me bomba, shkaku i Rafahut

Shtetet e Bashkuara e pezulluan furnizimin e Izraelit me bomba javën e kaluar, për shkak të shqetësimeve se Izraeli kishte vendosur ta pushtonte qytetin jugor të Rripit të Gazës, Rafah, tha një zyrtar i lartë amerikan të martën vonë.

Dërgesa e pezulluar përmbante bomba prej 900 dhe 225 kilogramësh, sipas zyrtarit, i cili foli në kushte anonime. Shqetësimi i SHBA-së ishin këto bomba të mëdha dhe se si Izraeli do t’i përdorte ato në vendbanime me popullsi të dendur.

Izraeli nuk i ka “adresuar plotësisht” shqetësimet e SHBA-së për nevojat humanitare të civilëve në Gazë, sipas zyrtarit amerikan.

Lexo më shumë  “I famshëm” për qëndrimet kundër NATO-s/ Zgjedhjet presidenciale në Rumani, kandidati pro rus është favorit

Më shumë se 1 milion civilë janë strehuar në Rafah, pasi kanë ikur nga pjesë të tjera të Gazës në luftën që Izraeli po e zhvillon kundër Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

SHBA-ja i ka dhënë Izraeli ndihmë jashtëzakonisht të madhe ushtarake historikisht. Kjo ndihmë është rritur dukshëm pas sulmit që Hamasi e kreu në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer rreth 250 të tjerë.

Pezullimi i furnizimit me bomba është treguesi më i madh deri tani i rritjes së mospajtimeve mes Qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, e cila i ka bërë thirrje Izraelit të bëjë shumë më shumë për t’i mbrojtur jetët e civilëve të pafajshëm në Gazë.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Të martën, trupat izraelite e morën nën kontroll pikëkalimin kufitar kryesor në Rafah.

SHBA-ja e përshkroi këtë si një operacion të kufizuar që nuk ishte pushtim i plotë i Rafahut nga Izraeli, pasi Bideni vazhdimisht i ka bërë thirrje Netanyahut të mos e bëjë një gjë të tillë.

Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej së Izraeli e nisi luftën në enklavën palestineze tetorin e kaluar, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Rruga Press

YouTube player