Bota

SHBA-ja donte ta përfshinte Navalnyn në këmbimin e të burgosurve

Këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara kishin punuar për ta përfshirë liderin opozitar rus, Alexei Navalny, në këmbimin e të burgosurve, para se ai të vdiste në burg.

Pak pasi Navanly vdiq, aleatët e tij thanë se Moska ishte përfshirë në bisedime me Perëndimin për një këmbim të të burgosurve ku do të përfshihej edhe politikani. Disa javë më vonë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha gjithashtu se ishte i gatshëm ta lironte Navalnyn në një këmbim të burgosurish, me kusht që ai të mos kthehej kurrë më në Rusi.

Sullivan, duke folur për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë pas njoftimit për lirimin e 16 të burgosurve nga burgjet e Rusisë dhe Bjellorusisë në këmbim të lirimit të tetë rusëve, tha se në kohën e vdekjes së Navalnyt, zyrtarët po bisedonin për një këmbim të mundshëm që do ta përfshinte Vadim Krasikovin.

Lexo më shumë  Administrata Biden njofton paketën më të fundit të ndihmës për Ukrainën

Krasikov, njëri nga tetë rusët e liruar në këmbimin e të burgosurve më 1 gusht, ishte dënuar për vrasjen e një ish-militanti çeçen në Berlin më 2019.

Pasi Navalny vdiq në një burg në Arktik në rrethana të dyshimta më 16 shkurt, zyrtarët e lartë amerikanë bënë përpjekje edhe më të mëdha për ta nxitur Gjermaninë ta lirojë Krasikovin.

Disa prej bashkëpunëtorëve të Navalnyt u liruan, përfshirë Lilia Chanysheva, Ksenia Fadeyeva, dhe Vadim Ostanin. Në këmbim u përfshi edhe politikani opozitar rus, Ilya Yashin, një kritik i madh i Kremlinit.

Aleati më i ngushtë i Navalnyt, Leonid Volkov, tha se këmbimi historik i të burgosurve ndodhi shumë vonë për mikun e tij.

“Sot, ne po e festojmë lirimin e të burgosurve politikë, pengjeve të Putinit të cilët po vuanin në gulagun e Putinit. Por, prapëseprapë do të jetë gëzim me lot në sytë e tonë. ‘Këmbimi i Navalnyt’ ka ndodhur… por pa Navalnyn. Dhemb shumë”, shkroi ai në X.

Lexo më shumë  ‘Dexit’? E djathta ekstreme, AfD do që Gjermania të dalë nga BE

E veja e Navalnyt, Yulia Navalnaya, reagoi gjithashtu për këmbimin e të burgosurve, duke thënë se është “e lumtur” që gati dhjetëra aktivistë dhe politikanë opozitarë rusë janë liruar.

“Lirimi i çdo të burgosuri politik është fitore e madhe dhe arsye për të festuar”, shkroi Navalnaya në X, duke shtuar se të liruarit janë “shpëtuar nga regjimi i Putinit”.

Navalnaya bisedoi me telefon me nënpresidenten Kamal Harris, tha zëdhënësja e Navalnayas.

Harris i telefonoi asaj “për t’i shprehur mbështetjen, duke e nënvizuar kontributin e Alexeit dhe Yulias për të luftuar për një Rusi demokratike”, shkroi Kira Yarmysh në X.

Rruga Press

YouTube player