SHBA: Disa njësi të ushtrisë izraelite kanë shkelur të drejtat e njeriut
Departamenti Amerikan i Shtetit i ka akuzuar pesë njësi të ushtrisë izraelite si përgjegjëse për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në incidente individuale, por thotë se ato do të vazhdojnë të marrin mbështetjen ushtarake të SHBA.
Të gjitha incidentet e përfshira ndodhën jashtë Gazës para luftës aktuale.
Izraeli ndërmori veprime korrigjuese në katër njësi, duke dhënë “informacion shtesë” për të pestën, thotë departamenti.
Kjo do të thotë që të gjitha njësitë mbeten të pranueshme për të marrë ndihmën ushtarake të SHBA.
Uashingtoni është mbështetësi kryesor ushtarak i Izraelit, duke e furnizuar atë me armë dhe sisteme mbrojtëse me vlerë 3.8 miliardë dollarë në vit.
Njoftimi është përcaktimi i parë i këtij lloji për një njësi izraelite të çdo lloji nga qeveria amerikane.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel tha se pesë njësi të forcave të sigurisë kryen shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
“Katër nga këto njësi kanë korrigjuar në mënyrë efektive këto shkelje, kjo ishte ajo që ne prisnim të bënin partnerët,” tha ai.
“Për një njësi të mbetur, ne vazhdojmë të jemi në konsultime dhe angazhime me qeverinë e Izraelit; ata kanë dorëzuar informacione shtesë sa i përket asaj njësie,” shtoi ai.
Departamenti i mohoi pretendimet se ishte tërhequr prej presionit politik për të vazhduar ndihmën ushtarake për njësinë, pavarësisht se nuk ishte në gjendje të thoshte nëse kishte pasur apo jo ndonjë përgjegjësi në këtë rast.
“Ne jemi duke u angazhuar me ta në një proces dhe do të marrim një vendim përfundimtar për atë njësi kur procesi të përfundojë,” tha z. Patel.
Të gjitha incidentet besohet se kanë ndodhur vitet e fundit në Bregun Perëndimor të okupuar dhe Jerusalem.
Sipas “Ligjit Leahy” të Amerikës, i sponsorizuar në 1997 nga Senatori i atëhershëm Patrick Leahy, një konstatim se një njësi ushtarake e huaj ka kryer shkelje të rënda të të drejtave të njeriut do të thotë se ajo mund të ndalohet nga marrja e ndihmës ushtarake të SHBA.
Qeveria amerikane thotë se e konsideron torturën, vrasjen pa gjyq, zhdukjen me forcë dhe përdhunimin si shkelje të tilla kur zbaton ligjin Leahy.
Edhe kur ka një konstatim të tillë, ka një përjashtim për prerjen e ndihmës ushtarake nëse Departamenti i Shtetit është i kënaqur që rastet janë hetuar dhe është vënë drejtësia prej qeverisë.
Rruga Press