Lajme

SHBA dhe BE të shqetësuara për kërcënimet ndaj zyrtarëve të drejtësisë në Shqipëri

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë shprehur shqetësimet e tyre të mërkurën pas raportimeve se zyrtarë të drejtësisë shqiptare kanë marrë kërcënime me jetë.

Reagimi i tyre vjen pas raportimeve në media shqiptare se një bashkëpunëtor i drejtësisë ka rrëfyer se një “prej bandave kriminale që vepron në Lushnje ka bërë plane për të vrarë dy prokurore dhe një avokat.”

Ambasada e SHBA-së në Tiranë tha të mërkurën në një reagim se “një sistem drejtësie që funksionon pa frikë dhe kërcënime është kërkesë legjitime e popullit shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për kërcënimet për dhunë ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit që po punojnë për ta bërë Shqipërinë të sigurt, të begatë dhe më demokratikë amerikane në Tiranë”.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë së Shqipërisë thirri një mbledhje urgjente këtë javë, ku vendosi ta riorganizojë mbrojtjen e prokurorëve. Ambasada amerikane kërkon që “hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcënime apo kanosje”.

Edhe zyra e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë kërkoi angazhimin e autoriteteve shqiptare për t’i hetuar me shpejtësi këto kërcënime dhe për t’ië mbajtur përgjegjës autorët. Ndërkaq, ambasada britanike theksoi se “të gjithë ata që punojnë në sistemin e drejtësisë duhet të jenë të lirë ta kryejnë punën e tyre, pa frikë apo favore”.

Lexo më shumë  Dosja e SPAK/ Banda e Suel Çelës shoqëroi Edi Ramën në Elbasan

Të hënën, pas mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kreu i këtij institucioni, Alfred Balla, tha se do të kërkohet ndryshimi i disa vendime të Këshillit të Ministrave për të ofruar më shumë mbrojtje për prokurorët. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, u zotua se Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës “do të rrisin masat e sigurisë për zyrtarët e drejtësisë.”

Personi që pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, Artan Tafani, u arrestua më 28 shtator dhe rrëfeu për 16 ngjarje kriminale, mes të cilave gjashtë vrasje. Policia tha se katër vrasje janë kryer në Shqipëri, ndërsa dy të tjera në Greqi. Tafani pretendon se ekzekutimet janë kryer me urdhër të Laert Haxhiut, kreu të bandës pjesë e së cilës ishte edhe ai vetë.

Ai pretendon se Haxhiu kishte kërkuar vrasjen e prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu dhe prokurores së Lushnjës, Mirela Selimi, për shkak të hetimeve që kishin kryer ndaj tij dhe bandës që drejtonte.

Lexo më shumë  Konjufca priti në takim Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi

Haxhiu u arrestua më 23 maj të këtij viti në Greqi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale. Gjykata e Janinës ka refuzuar kërkesën për ekstradim, ndërsa prokuroria ka bërë ankesë. Autoritetet në Shqipëri kanë deklaruar se do t’i vazhdojnë përpjekjet për ekstradimin e tij për ta sjellë para drejtësisë për të gjitha krimet që dyshohet se i ka kryer.

Rruga Press

YouTube player