Lajme

Shasha: Zgjedhjet në Shqipëri po duken si ato të Lukashenkos dhe të Vuçiqit

Zgjedhjet lokale në Shqipëri po konsiderohen ligjërisht të drejta nga drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha. Por, sipas tij ato po e minojnë frymën e demokracisë dhe të garës së drejtë politike.

Ai deklaroi se zgjedhjet lokale në Shqipëri janë treguesi i fundit për ekzistimin e demokracisë hibride, ndërsa tha se ato çdo ditë e më shumë po duken si zgjedhjet në Bjellorusi dhe Serbi.

“Në një sfond të tillë politik gara e drejtë politike është e pamundur. Në këto zgjedhje fiton më i forti, jo më i miri. Prandaj, këto zgjedhje janë tregues i fundit i ekzistencës së një demokracie hibride e cila ndonëse respekton kërkesat ligjore zgjedhore, ajo minon frymën e demokracisë dhe garës së drejtë politike. Thënë ndryshe, zgjedhjet në Ballkan dhe në këtë rast konkret në Shqipëri, çdo ditë e më shumë duken si ato të Lukashenkos dhe Vuçiqit, e më pak si ato të Bidenit dhe Scholzit”, tha Shasha për koha.net.

Ai shtoi se Shqipëria dhe Serbia ndajnë karakteristika të njëjta politike, duke thënë se në të dyja shtetet janë kapur kapilarët e shoqërisë. Shasha u shpreh se nëpërmjet dobësimit të opozitave, Rama e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e kanë siguruar pushtetin dhe sjelljet e tyre tolerohen pasi “perceptohen nga fuqitë e mëdha si faktor stabiliteti në rajon”.

Lexo më shumë  Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës për përkushtimin e saj

“Rama ka kuptuar saktë se për të qëndruar në pushtet nuk duhet t’u ofrosh qytetarëve qeverisjen më të mirë të mundshme, por vetëm të sigurohesh se opozita është më e dobët se ti. Prandaj, përpjekjet kryesore të tij politike kohëve të fundit nuk kanë qenë t’i mbrojë sukseset e qeverisë së tij dhjetëvjeçare, por ta degradojë perceptimin e opozitës së sotme. Dhe PS-ja nën Ramën tani ka arritur në një pikë të monopolit të pushtetit politik, saqë ajo ka siguruar fitoren e zgjedhjeve shumë para mbajtjes së tyre”, deklaroi drejtori i EPIK-ut, duke shtuar se nisur nga kjo, debati me opozitën është i pakuptimtë.

Lidhjet e politikes mes Shqipërisë, Serbisë e të Bjellorusisë, ku kjo e fundit konsiderohet autoritare në aspektin e mbajtjes së zgjedhjeve, sipas Shashës, kanë të bëjnë edhe me makinerinë e fuqishme politike të pushtetit. Ai u shpreh se opozita shqiptare e ka të pamundur të reformohet në këtë hapësirë publike.

Lexo më shumë  “Kosova në KiE vendim historik”, Goncharenko: Era e perandorive ka mbaruar, nuk ka vend për perandori ruse, serbe apo tjetër në evropë

I pyetur për gjendjen e sotme politike në Shqipëri, Shasha tha se është reflektim i interesave perëndimore, e aktualisht, sipas tij, interes është që Rama të jetë akter stabil politik në rajon.

“…Një shtyllë politike në të cilën ata mund të llogarisin. Dhe derisa Rama luan këtë rol, ata do të janë të gatshëm të mbyllin sytë para degradimit demokratik që ndodh në Shqipëri. Unë fuqimisht besoj se rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është reflektim i kënaqshmërisë së qytetarëve me qeverisjen e PS-së. Në këtë drejtim besoj se partitë opozitare duhet të intensifikojnë aktivitetet e tyre politike me qëllim të kanalizimit të pakënaqësisë së qytetarëve në protestat dhe sheshe. Vetëm një shprehje e vendosur e pakënaqësisë publike mund të kthej shpresën e qytetarëve në ndryshimin e pushtetit në Shqipëri”, theksoi ai.

Në rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale aktualisht prin bindshëm partia e kryeministrit Edi Rama, derisa opozita e ka të siguruar vetëm Bashkinë e Pukës dhe Himarës.

Kreu i opozitës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh të dielën mbrëma se procesi zgjedhor u manipulua në Kamëz.

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *