Shaip Kamberi: Albin Kurti nuk e solli përçarjen, e gjeti në Luginë të Preshevës
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi thotë se në Luginë të Preshevës nuk ka asnjë gjykatës e prokuror shqiptar. Ai thekson se pozita e shqiptarëve në të tri komunat duhet të përmirësohet me ligj, për çka edhe premton se do të jetë zë i tyre. Teksa komenton raportet me institucionet vendore, ai shprehet se pa ndihmën e Kosovës e Shqipërisë e kanë të vështirë të mbijetojnë nga diskriminimi. Sipas tij, Albin Kurti nuk e solli përçarjen në Luginë, por që lufta politike ka nisur kohë më parë.
“Vetëvrasje për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, e quan Kamberi tendencën për luftë politike me institucionet e Kosovës.
Në intervistën për KosovaPress, ai shpreh kundërshtinë për deklarimet e kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi, e që ky i fundit kishte thënë se kryeministri Kurti ka përçarë Luginën.
Gjatë vitit të kaluar, kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për keqpërdorim të mjeteve të qeverisë nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Kuvend të Serbisë thotë se do të ishte më i lumtur që të ketë padi ndaj Beogradit diskriminues.
Sulmi terrorist serb i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Kamberi thekson se ka ndikuar edhe në Luginë të Preshevës. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare nuk e ka fokusin e duhur në tri komunat me shumicë shqiptare.
Si deputeti i vetëm shqiptar i rizgjedhur më 17 dhjetor të vitit të kaluar, ai zotohet për angazhim maksimal për të drejtat e shqiptarëve. Tregon edhe pse shqiptarët garuan në dy lista të ndara për zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Ai shton se koncepti elementar i listës, në të cilën ka qenë bartës, është për integrim në institucione të shtetit.
Edhe në këtë mandat si përfaqësues i qytetarëve të Luginës së Preshevës thotë se do të vazhdojë me iniciativat ligjore, që për qëllim kanë eliminimin e diskriminimit ndaj shqiptarëve.
Ai shprehet se sfida kryesore në këtë mandat si deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë do të jetë luftimi i qasjes diskriminuese të Beogradit. Po ashtu, konsideron se nuk ka normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, nëse kjo e fundit vazhdon me diskriminimin e saj ndaj shqiptarëve të Luginës.
Rruga Press