KryesoreLajme

Serbia vazhdon të armatoset nga Rusia, Vuçiqi prezanton sistemin e ri antidron

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka prezantuar të mërkurën një sistem rus për mbrojtje ndaj dronëve, të quajtur Repellent, të cilin Serbia e bleu kohë më parë nga aleatja e vet, Rusia.

Ky sistem ka për qëllim pengimin e kontrollit të dronëve dhe e mbulon një sipërfaqe prej 30 kilometrash, u tha gjatë shfaqjes së armëve dhe pajisjeve ushtarake në qytetin jugor të Serbisë, Nish, gjatë një feste Kombëtare të Serbisë.

Në fund të janarit, Vuçiqi paralajmëroi për prezantimin e një sistemi të tillë antidron, por ai nuk tregoi se kur e mori Serbia saktësisht sistemin e ri, përveç se shtoi se “Serbia ka paguar për të shumë kohë më parë”.

Lexo më shumë  Osmani takon kongresmenin Self, e falënderon për mbështetjen ndaj Kosovës

Më 14 shkurt, gjatë shfaqjes së armëve në Nish, lideri serb paralajmëroi për investime shtesë në pajisje për Forcat e Armatosura të Serbisë, posaçërisht në artileri.

Ai tha se 300 milionë euro janë duke u investuar në prodhimet e industrisë vendore, raporton rel.

Vuçiq njoftoi gjithashtu se dronë shtesë, CH-95, do të blihen nga Kina, njoftoi agjencia e lajmeve Beta.

Për shkak të bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën në fushën e mbrojtjes, Serbia, si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), është kritikuar vazhdimisht nga Brukseli.

Ajo ka blerë vazhdimisht pajisje ushtarake dhe armë nga Rusia prej vitit 2016.

Lexo më shumë  Rohde: Gjermania do të katërfishojë numrin e ushtarëve në Kosovë

Megjithatë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, asnjë kontratë e re për prokurimin e armëve nuk është lidhur. Vuçiq deklaroi në mesin e shtatorit 2022 se një pjesë e dërgesave të mëparshme nuk kishin mbërritur për shkak të luftës në Ukrainë.

Në mesin e atyre dërgesave të mëparshme, në atë kohë u përmend edhe sistemi antidron, Repellent.

Për shkak të pushtimit të Ukrainës, Rusia është nën sanksione nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera perëndimore.

Serbia refuzon t’i respektojë këto sanksione.

YouTube player