Lajme

Serbia po synon destabilizimin e Kosovës përmes kërkesave për referendumin

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se kërkesa e Serbisë për mbajtjen e referendumit ndryshe nga dy opsionet e ofruara nga Qeveria e Kosovës, është vetëm pretekst për destabilizim eventual të Kosovës dhe rajonit.

Ahmeti përmes një statusi në Facebook ka thënë se e drejta e votimit nuk i mohohet asnjë qytetari serb në Kosovë, mirëpo ajo nuk mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendit.

“E drejta e votimit nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Republikën e Kosovës. Por, kjo e drejtë nuk mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendin. Përderisa janë dy mundësi të lehta votimi për këta qytetarë, nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, çfarëdo kërkese shtesë nga Serbia është vetëm preteks për destabilizim eventual të vendit e rajonit. Si Republikë, jemi të barabartë mes fqinjëve tanë në rajon, prandaj duhet t’i shohim edhe praktikat e tyre në raport me pakicat serbe dhe me këtë proces votimi. Për më tepër, ne synojmë anëtarësimin në BE dhe duhet t’i shohim edhe praktikat e vendeve anëtare të cilat kanë pakica serbe”, ka shkruar Ahmeti.

Lexo më shumë  Kroacia nis në Kosovë kontingjentin e 41-të të ushtarëve

Ai ka shtuar se kërkesat e paarsyeshme të Serbisë nuk mund të legjitimohen nga praktikat e kaluara të cilat kanë shkelur sovranitetin e Kosovës.

“Njohja e së drejtës së dikujt, nuk duhet të bëhet në kurriz të së drejtës së tjetrit. Prandaj, këto kërkesa të paarsyeshme të Serbisë nuk mund të legjitimohen nga praktikat e kaluara të cilat kanë shkelur sovranitetin e vendit. Serbia nëpërmjet këtyre kërkesave ka si synim vetëm legjitimin e destabilizimit eventual të veriut të Republikës së Kosovës dhe të rajonit.”

Lexo më shumë  Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror

Rruga Press

YouTube player