Lajme

“Serbia po frikëson dhe shantazhon qytetarët e Kosovës”- Qeveria shpalos detaje tjera nga biseda telefonike Kurti-Macron

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar dje një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi për media ka ndarë detaje nga kjo bisedë.

Sipas njoftimit thuhet se gjatë kësaj bisede, kryeministri Kurti falënderoi presidentin francez dhe Republikën e Francës për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës.

“Më tej, kryeministri shprehu besimin e tij se Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte shtesë, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votën historike të 16 prillit. Ai theksoi se Republika e Kosovës meriton anëtarësimin mbi bazën e performances dhe arritjeve në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe politikat perëndimore”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti në Davos me homologun lituanez, diskuton për mundësitë e rritjes së investimeve në sektorin e energjisë

Sa i përket temës së procesit të dialogut në Bruksel dhe raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kurti insistoi në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit.

“Në këtë telefonatë, kryeministri Kurti me presidentin Macron ngriti edhe çështjen e mungesës së dënimit të autorëve të sulmit paramilitar dhe terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, në krye me Millan Radoiçiq i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht dëshmive të qarta dhe pranimit të fajësisë për organizimin dhe përfshirjen në sulmin ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.

Lexo më shumë  Ngrihet aktakuzë ndaj një të dyshuari për sulmet ndaj Policisë dhe KFOR-it në Zveçan

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti gjithashtu e njoftoi presidentin Macron për presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme që Qeveria e Serbisë po i bën qytetarëve të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, gjë që u reflektua dhe me numër të ulët të pjesëmarrjes në procesin e votimit të 21 prillit në katër komunat në veri të vendit.

Rruga Press

YouTube player