Bota

Serbia e konfirmon edhe me shkrim se nuk mendon ta zbatojë Marrëveshjen e Brukselit

Duke paraqitur rezerva ndaj deklaratës së miratuar në samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Serbia ka konfirmuar se nuk e ka ndërmend ta zbatojë Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve me Kosovën dhe aneksin e implementimit të saj të dakorduar në Ohër.

Ndonëse në Deklaratën e Samitit BE – Ballkan Perëndimor thuhet se asaj deklarate i janë bashkangjitur edhe vendet e rajonit, burimet diplomatike të KOHËS thonë se Serbia ka paraqitur rezerva përmes së cilave ka bërë të qartë se pranimi i tekstit të deklaratës nga ana e saj nuk nënkupton edhe pranimin de facto apo de jure të Kosovës.

Lexo më shumë  Kabineti i luftës së Izraelit miraton zgjerimin e operacionit në Rafah, pavarësisht kundërshtimit të SHBA-së

“Republika e Serbisë thekson se kjo mbështetje nuk nënkupton pranimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së dhe as të ashtuquajturin integritetin territorial të Kosovës”, thuhet në letrën që e ka paraqitur Serbia.

Në BE thonë se ky ka qenë një “pozicion nacional i Serbisë”, por ata insistojnë se “edhe Serbia është pajtuar me tekstin e deklaratës”.

Bashkimi Evropian vazhdimisht bën ftesë që Kosova dhe Serbia “në tërësi, pa vonesa dhe pa parakushte” ta zbatojnë Marrëveshjen. Kjo është përsëritur edhe në deklaratën e Samitit BE – Ballkan Perëndimor.

“U bëjmë thirrje të dyja palëve që në tërësi ta zbatojnë Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve dhe Aneksin e tij si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet në deklaratë.

Por, Serbia vazhdimisht ka thënë se nuk do ta zbatojë asnjë pikë e cila “tejkalon vijat e kuqe të saj”.

E BE-ja s’ka reaguar asnjëherë ndaj deklaratave të tilla të Serbisë. E tash Serbia e ka shprehur këtë qëndrime dhe me shkrim.

Rruga Press

YouTube player