Gjeopolitikë

Serbët e Malit të Zi, votë dërrmuese në favor të Vuçiçit! Ndërkombëtarët të shqetësuar për manipulimin e procesit

Serbët e Malit të Zi votuan masivisht në favor të partisë SNS të Aleksandër Vuçiçit.

Në katër qendrat e votimit në Mal të Zi, ku qytetarët e Serbisë kishin të drejtën e votimit si pjesë e zgjedhjeve të së dielës në atë vend, Partia Progresive Serbe e Aleksandër Vuçiçit dominoi tre prej tyre. Përjashtim bëri  Herceg Novi, ku zgjedhësit mbështetën aleancën opozitare “Serbia kundër dhunës”.

Lajmi vjen në një kohë kur brenda kufijve fitorja absolute e Vuçiçit ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha si dhe akuza për manipulim të procesit zgjedhor.

Akuzat vijnë si nga opozita serbe, ashtu edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Mijëra vetë u mblodhën edhe mbrëmjen e djeshme përpara godinës së Komisionit qendror zgjedhor me thirrje kundër qeverisë. Tubimit iu bashkuan edhe shumë studentë.

“Jam këtu sonte për të shprehur zemërimin tim për mashtrimet me votën, jo vetëm në Beograd por në të gjithë Serbinë”, u shpreh Marko Radicevic.

Departamenti Amerikan i Shtetit i bëri më herët edhe ai thirrje autoriteteve në Serbi të punojnë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve që vëzhguesit kishin identifikuar gjatë procesit zgjedhor të fundjavës.

YouTube player