Opinion/Aktualitet

Serbët e Bosnjës po e testojnë Marrëveshjen e Dejtonit

Nga Blerim Reka

Pas një çerekshekulli paqeje të brishtë në Bosnjë-Hercegovinë pas Marrëveshjes së Dejtonit, kompromisi i paqes në shtetin multietnik po testohet sërish. Udhëheqësit në Republika Srpska, një nga dy pjesët që e përbëjnë shtetin (tjetra është Federata Boshnjako-Kroate) po kërcënojnë ta tërheqin entitetin e mbizotëruar nga serbët. Duke shtyrë gjatë për pavarësinë e Republika Srpskas, Milorad Dodik flet për një afat kohor prej gjashtë muajve për daljen dhe do të pëlqente të krijonte një ushtri të ndarë të serbëve të Bosnjës. Po ashtu ai ka refuzuar autoritetin e përfaqësuesit të lartë të Bosnjë-Hercegovinës, Christian Schmidt, që mori detyrën më 1 gusht 2021.

Zyra e përfaqësuesit të lartë (OHR) mbikëqyr zbatimin civil të Marrëveshjes së Dejtonit dhe ka fuqi të rëndësishme mbi politikën boshnjake që nga fundi i Luftës së Bosnjës 1992-1995.

Qëndrimi nacionalisti dhe anti-OHR i Dodikut mbështetet nga Rusia dhe Serbia.

Më 1 dhjetor të vitit 2021, sipas gazetës ruse “Pravda”, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, priti Dodikun për të diskutuar mënyrat për të mbrojtur serbët në Republikë.

Dhe më 10 dhjetor Asambleja e serbëve të Bosnjës aprovoi një sërë dispozitash që përfundimisht do të lejonin entitetin të tërhiqej nga ushtria federale dhe institucionet kyç qendrore, përfshirë edhe nga sistemi tatimor dhe gjyqësor.

Paqëndrueshmëria nxitëse

E gjithë kjo ka alarmuar Perëndimin, veçanërisht SHBA-në, pasi duket se provokimet e fundit të liderëve serbë mund të jenë pjesë e një strategjie të sinkronizuar serbo-ruse për ta destabilizuar Ballkanin dhe, si rrjedhojë, edhe Bashkimin Evropian.

Manifestimet e mëhershme të këtij synimi u panë në Malin e Zi (kriza e “diplomacisë kishtare” e bërë nga serbët) dhe në Kosovë (kur, pas një provokimi të lehtë ushtria serbe u pozicionua në kufirin e saj verior).

Marrëveshja e Përgjithshme Kornizë për paqen në Bosnjë-Hercegovinë u arrit më 21 nëntor të vitit 1995 në bazën e forcave ajrore amerikane në afërsi të Dejtonit, Ohio në SHBA dhe u nënshkrua formalisht në Paris më 14 dhjetor të vitit të njëjtë.

Ajo i dha fund luftës së Bosnjës që zgjati tre vjet e gjysmë, një nga disa konflikte tragjike që e shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë. Në vend që të ishte një marrëveshje paqeje në vetvete, ishte një kompromis kompleks për t’u dhënë fund armiqësive mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve, ose siç e përshkroi ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, Charles Crawford, në një intervistë së fundi për “Albanian Post”, “një grumbull të kompromiseve etno-territoriale”.
Për një çerek shekulli nuk është arritur asnjë pajtim kuptimplotë mes ish-luftëtarëve. Një nga pasojat e marrëveshjes ishte shfaqja e Republika Srpskas, që nuk ekzistonte para luftës. Sot entiteti serb është në një shtet brenda shtetit, një prishës që bllokon rrugën euroatlantike për Federatën e Bosnjë-Hercegovinës dhe destabilizon vendin në shumë mënyra.

“Jemi të shqetësuar”, ka thënë këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet. “Ka shumë vëmendje në Washington për situatën e krijuar, shumë shqetësime në lidhje me trajektoren në të cilën gjendet Bosnja dhe frikë se për herë të parë në 26 vjet Marrëveshja e Paqes e Dejtonit është në momentin e saj më të rrezikshëm”.

Serbia po përballet me fqinjët e saj të lidhur me Perëndimin

Richard Holbrooke, arkitekti i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, priste qysh në fillim se ruajtja e armëpushimit të arritur me vështirësi në Bosnjë do të ishte e vështirë.

Dhe në të vërtetë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është i zënë këto ditë duke paralajmëruar serbët që Washingtoni nuk ka tolerancë për ata që minojnë paqen në Bosnjë.

Administrata e presidentit Joe Biden po sinjalizon qëndrimin e saj aktiv në rajon. Duke dëshmuar para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve në fund të tetorit të vitit 2021, Esobar u përpoq të siguronte Komitetin skeptik se SHBA-ja dhe BE-ja po punojnë së bashku për ta sanksionuar Dodikun për veprimet e tij të rrezikshme. (Udhëheqësi nacionalist ka qenë nën sanksione të limituara të SHBA-së që nga janari i vitit 2017). Si përgjigje zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ceku se një kornizë për masat kundër trazuesve si Dodik ka qenë në fuqi për gati një dekadë.

Lexo më shumë  Shteti bektashi ka planifikuar rrëmbimin e Mësonjëtores së Korçës

Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë dëbuar diplomatët rusë. Administrata Biden kërcënon për të marrë hapa të tjerë, bazuar në urdhrin ekzekutiv të presidentit kundër atyre që minojnë paqen në rajon. Sipas Radio Evropës së Lirë, një paralajmërim i tillë ishte në letrën që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ua dërgoi tre anëtarëve të Presidencës së përbashkët të Bosnjë-Hercegovinës, ku bën pjesë edhe Dodiku.

Më 5 shtator të vitit 2021, Manastiri historik i Cetinjës në Mal të Zi ishte skenë e një proteste të trazuar. Një turmë malazezësh u përpoqën të bllokonin rrugën në qytet për të parandaluar shugurimin e kreut të ri të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Kisha Ortodokse Serbe është kisha dominuese në shtetin e vogël, por kundërshtarët e akuzojnë se u shërben interesave të Beogradit. Kundërshtarët e shohin manastirin si pronë të Kishës Ortodokse Malazeze.

Mali i Zi u shkëput nga Serbia në vitin 2006. Rreth një e treta e qytetarëve atje identifikohen si serbë dhe disa e kundërshtojnë ndarjen nga shteti serb. Vendimi për ta shuguruar peshkopin Joanikije II si mitropolit të Malit të Zi solli tensionet etnike deri në pikën e vlimit. Në fund peshkopi u desh të dërgohej me helikopter në fushën e Manastirit, ndërsa policia po shpërndante protestuesit duke përdorur gaz lotsjellës.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i prirë për ta reduktuar rolin e Kishës Ortodokse Serbe dhe për ta ndërtuar një kishë ortodokse malazeze të pavarur, u rreshtua nga ana e protestuesve, duke akuzuar Serbinë se po e minon qëllimshëm unitetin në shtetin e tij. Sipas pikëpamjes së presidentit, Serbia dhe Rusia po e destabilizojnë Malin e Zi si pjesë të strategjisë së tyre “Bota serbe”, që synon bashkimin e të gjithë serbëve që jetojnë në rajon.

Zdravko Krivokapiq, që drejton Qeverinë e re të Malit të Zi, më miqësore me Serbinë, i hodhi poshtë akuzat dhe e akuzoi presidentin Gjukanoviq se qëllimisht po nxit tensione etnike e fetare për përfitime politike.

Mundësia e destabilizimit të Malit të Zi, një shteti anëtar të NATO-s, shtyu të dërguarin e SHBA-së, Escobar, ta vizitonte Sarajevën dhe Podgoricën. Sipas Ambasadës së SHBA-së në Podgoricë, Escobar ritheksoi mbështetjen e Washingtonit për sovranitetin e Malit të Zi dhe përpjekjet për të çuar përpara reformat e nevojshme për t’iu bashkuar BE-së.

Gjithashtu Fronti Demokratik i partive proserbe në Mal të Zi nuk është partner i SHBA-së.

Tensionet etnike shpërthyen në tetor, ishte radha e Kosovës për t’u shënjestruar nga Serbia. Kësaj radhe aeroplanët luftarakë MiG të Forcave Ajrore të Serbisë kaluan mbi pjesën veriore të Kosovës dhe tanket serbe T-72 u mblodhën në afërsi të kufirit. Kjo rritje e prezencës ushtarake, e monitoruar nga ministri i Mbrojtjes së Serbisë dhe po ashtu nga ambasadori i Rusisë në Beograd, u shkaktua pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme mes dy vendeve sa u përket targave të automjeteve. Gjendja e tensionuar zgjati për 12 ditë, duke alarmuar liderët ndërkombëtarë dhe duke shtyrë misionin paqeruajtëse të NATO-s, KFOR, që të intensifikojë patrullimin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha për gazetën “The Guardian” se “Serbia nuk i njeh fqinjët e saj që nuk janë në BE…Qëndrimi i Beogradit është se Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë shtete të përkohshme që Serbia duhet t’i kontrollojë apo t’i zhbëjë”.

Lëvizja kundër paqeruajtjes

Në nëntor konflikti i brendshëm në Bosnjë-Hercegovinë ishte temë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së: ku Rusia e Kina vepruan si avokatë ndërkombëtarë të Republika Srpskas. Dy anëtarët e përhershëm të Këshillit lëshuan një rezolutë për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë dhe për ta përfunduar mandatin e forcave paqeruajtëse në Bosnjë.

Rusia gjatë ka mbështetur kërkesat e Republika Srpskas për këtë. Sërish tentimi dështoi: Këshilli i Sigurimit zgjati autorizimin e forcës paqeruajtëse edhe për një vit tjetër. Megjithatë çdo pjesë ku përmendej Zyra e Përfaqësuesit të Lartë u fshi nga teksti i rezolutës për ta qetësuar Rusinë e Kinën.

Kjo erdhi pasi përfaqësuesi i lartë, Schmidt, tha në raportin e tij në Këshillin e Sigurimit se Bosnjë-Hercegovina përballet me “kërcënim ekzistencial” nga veprimet separatiste nga serbët e Bosnjës.

Lexo më shumë  Pozicionimi i Perëndimit ndaj Serbisë, qëndrimi i opozitës dhe  Sindromi i Fregolit

Kina i është bashkuar Rusisë si një zë i Republika Srpskas në Kombet e Bashkuara. Deri tash Pekini kishte qëndruar i heshtur. Nuk kishte qenë nënshkrues i Marrëveshjes së Dejtonit dhe në vitin 2000 u largua nga Këshilli i Zbatimit të Paqes, që përbëhet nga 55 shtete dhe organizata ndërkombëtare që kontribuojnë me para ose trupa ushtarake për misionin paqeruajtës në Bosnjë.

Pas votimit të nëntorit Rusia dhe Kina u zotuan se do të vazhdojnë të luftojnë kundër “ndërhyrjeve perëndimore” në shtetin e Ballkanit, duke harruar lehtësisht se gjatë dy dekadave ajo “ndërhyrje” i solli Bosnjë-Hercegovinës rreth 6 miliardë euro donacione nga BE-ja, SHBA-ja e Japonia.

Që nga themelimi i saj në vitin 1995, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë ka lëshuar 140 urdhra të detyrueshme dhe ka shkaktuar shkarkime të një numri të ngjashëm të zyrtarëve për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të Bosnjë-Hercegovinës.

Një nga vendimet e fundit të ish-përfaqësuesit të lartë, Valentin Inzko (2009-2021) ishte kriminalizimi i mohimit të gjenocidit të Srebrenicës dhe disa zyrtarë, përfshirë Dodikun, që e kishin mohuar publikisht atë gjenocid, e gjetën veten nën hetime të Prokurorisë së Bosnjës.

Skenarët

Dështimi i sulmit të përbashkët Rusi – Kinë mbi Marrëveshjen e Dejtonit është parashikim i mirë për ruajtjen e sistemit të sigurisë, së paku tash për tash. Edhe nëse dy fuqitë do t’ia dilnin t’i jepnin fund mandatit të Zyrës së Përfaqësuesit Special, misionit civil ndërkombëtar, pak do të ndryshonte nga këndvështrimi i sigurisë. EUFOR-i i BE-së (që zëvendësoi SFOR-in e NATO-s në vitin 2004) do të vazhdojë ta ruajë paqen në shtet dhe të parandalojë një vakum të sigurisë atje. Duke parë pasojat e mëdha të politikave destabilizuese të Moskës në vendet e tjera – në Ukrainë, Gjeorgji, Azerbajxhan dhe së fundi kufirin polako-bjellorus – Washingtoni nuk ka gjasa të rri e të shohë, ndërsa Rusia luan lojëra të ngjashme në Ballkan.

Nëse lind nevoja, SHBA-ja dhe NATO do të intervenojnë për ta parandaluar një përsëritje të historisë tragjike të rajonit. Siç u tregua gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, Evropa e vetme nuk do të arrinte ta stabilizonte Ballkanin.

Megjithatë, rajoni është i lëkundur.

Marrëveshjet e paqes u dhanë fund luftërave, por dështuan të sillnin stabilitet.

Pas dy dekadave të gjata, Ballkani Perëndimor përballet me rrezik të madh të ngecjes së vazhdueshme politike e ekonomike, që përfundimisht mund të krijojë një vakum gjeopolitik që do të tërhiqte lojtarët joperëndimorë.

Zbatimi i Marrëveshjes së Dejtonit po bllokohet nga rivalitetet etnike; Marrëveshja Kornizë e Ohrit në Maqedoni nuk është zbatuar plotësisht dhe nuk ka një traktat paqeje mes Kosovës dhe Serbisë. Mali i Zi po testohet nga Rusia dhe Maqedonia e Veriut po vazhdon pritjen e gjatë për t’u bërë anëtare e BE-së. Anëtarja e parë e NATO-s në rajon, Shqipëria, po ashtu ka mbetur me perspektivë të paqartë sa i përket pranimit në BE. Nga ana pozitive, Washingtoni ka të ngjarë që të përmbushë premtimet që ka dhënë për rifillim të një qëndrimi të fortë në rajon. Ashtu si në kohën e diplomacisë së Holbrookut, diplomacia pritet të mbështetet me forcë. Administrata e Bidenit është përcaktuar për një ekip të dëshmuar nga vitet 1990: disa nga diplomatët e saj të lartë ishin të angazhuar në rajon një çerekshekulli më parë. Përveç z. Escobar, katër ambasadorë tjerë të SHBA-së në Ballkan u emëruan së fundi nga presidenti Biden. Së bashku, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të jenë në gjendje të mbështesin stabilitetin në Ballkan me gjithë pranisë më të fortë të Rusisë dhe Kinës. Lufta mbetet pak e mundshme. Në vitet 1990 asnjëri nga shtetet që luftuan në luftërat ballkanike nuk ishte anëtar i NATO-s; aleanca ushtarake perëndimore ishte vetëm një forcë intervenimi. Sot, tri nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, janë anëtare të NATO-s, në dy të tjera, Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, NATO ka trupa ushtarake. Vetëm një shtet në Ballkan, Serbia, është kundër NATO-s.

(Autori, artikullin e ka shkruar për Geopolitical Intelligence Services) / Përktheu: Shkumbin Sekiraqa

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *