Lajme

Serbët dorëzojnë kërkesë për peticion për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri

 Serbët në katër komunat në veri të Kosovës kanë formuar grupe nismëtare për të paraqitur një kërkesë për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri. Peticioni u depozitua te kryesuesit e kuvendeve komunale të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviçit. Lajmin e bëri të ditur kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanjin, i cili shtoi se serbët pretendojnë se kryetarët zbatojnë vendime të njëanshme, shkruan Koha.net.

Sipas Udhëzimit administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, këto grupe përveç kryesuesve të kuvendeve komunale, duhet të njoftojnë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili ende nuk ka konfirmuar nëse e ka pranuar një kërkesë të tillë.

Lexo më shumë  Fabrikat e propagandës serbe rrisin mbështetjen për Moskën

Sipas Udhëzimit pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar. Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.

Rruga Press

YouTube player