Bota

Senatorët amerikanë paralajmërojnë Serbinë para varrimit të Mlladiqit: Ditët e ardhshme do të jenë test

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Chuck Grassley, si dhe kongresisti Keith Self, kanë reaguar në prag të varrimit të Ratko Mladiqit, duke i bërë thirrje Serbisë dhe Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë që të distancohen nga çdo formë nderimi ndaj ish-komandantit serb të dënuar për krime lufte.

Në një deklaratë të përbashkët, ligjvënësit amerikanë e kanë cilësuar Mladiqin si “kriminel lufte” dhe “arkitekt të gjenocidit në Srebrenicë”, ku në vitin 1995 u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.

“Ratko Mladiq ishte kriminel lufte dhe arkitekt i gjenocidit në Srebrenicë, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë. Forcat e tij ishin gjithashtu përgjegjëse për rrethimin gati katërvjeçar të Sarajevës, një nga më të gjatat në historinë moderne”, thuhet në deklaratë.

Lexo më shumë  Franca e shqetësuar nga fitorja e së djathtës ekstreme në Gjermani

Shaheen, Grassley dhe Self kanë shprehur shqetësim lidhur me paralajmërimet se Mladiqi mund të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake në Serbi.

Ata kanë kritikuar gjithashtu deklaratat e ish-presidentit të Republikës Srpska, Millorad Dodik, i cili e ka glorifikuar Mladiqin duke e cilësuar si “luftëtar për lirinë serbe”.

Ligjvënësit amerikanë i kanë bërë thirrje Qeverisë së Serbisë dhe autoriteteve të Republikës Srpska që të mos marrin pjesë në ceremonitë e planifikuara dhe të shmangin çdo deklaratë apo veprim zyrtar që mund të interpretohet si nderim për Mladiqin.

Sipas tyre, mënyra se si Serbia dhe Republika Srpska do të sillen në ditët në vijim do të jetë një tregues i rëndësishëm për orientimin e tyre politik dhe evropian.

Lexo më shumë  Trafiku detar në Hormuz bie në nivelin më të ulët që nga maji - Kalojnë vetëm 10 anije në ditë pas sulmeve ShBA-Iran

“Ditët e ardhshme do të jenë test nëse Serbia dhe Republika Serbe janë të gatshme të shkëputen nga e kaluara dhe të ecin drejt anëtarësimit në BE dhe integrimeve euroatlantike, apo do të lejojnë që kjo e kaluar të pengojë edhe një herë një të ardhme më të mirë për popullin e tyre”, kanë përfunduar senatorët dhe kongresisti amerikan.

Ratko Mladiqi, ish-komandant i Ushtrisë së Republika Srpska gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, u dënua me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Dënimi i tij u la në fuqi në vitin 2021./The GeoPost

Rruga Press

YouTube player