Lajme

Scholz: Është koha të veprohet për perspektivë evropiane të Ballkanit Perëndimor

Turneun e tij në shtetet e Ballkanit, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e ka vazhduar të shtunën në Maqedoninë e Veriut e në Bullgari. Nga Shkupi, ai ka premtuar përfshirje më të madhe në lëvizjen drejt hapjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut e po ashtu edhe për Shqipërinë. “Për rreth 20 vjet, vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane dhe tani është koha të veprohet”, ka thënë ai

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, të shtunën në Shkup, ka premtuar angazhim në hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin maqedonas, Scholz ka thënë se një proces i tillë nuk duhet të zvarritet edhe më tej, pasi të dyja shtetet e meritojnë nisjen e negociatave.

“Për rreth 20 vjet vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane dhe tani është koha të veprohet. Prandaj, qysh në fillim do të doja shumë qartë të theksoj se Gjermania është serioze për euro-integrimet e vendeve të rajonit, dhe kjo veçanërisht vlen për Maqedoninë e Veriut”, ka thënë në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

“Maqedonia e Veriut, si dhe Shqipëria kanë merituar konkretisht këto negociata të fillojnë dhe jo edhe më tutje të prolongohen, ne do të angazhohemi për këtë që të jetë e mundur kjo”, ka shtuar kancelari.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti në hapjen e Festivalit “Hasi Jehon”: Vendtakim kulturor e artistik i shoqërive tona

Scholz, edhe në Maqedoninë e Veriut ka theksuar rëndësinë e Procesit të Berlinit, e për të cilin ka thënë se do të rimëkëmbet sivjet. Sipas tij, ky proces i nisur më 2014 ka treguar potencialet që ka bashkëpunimi i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kancelari gjerman ka thënë se me rëndësi të madhe është avancimi në Tregun e Përbashkët Rajonal, i miratuar dy vjet më parë në Sofje.

“Garantimi i katër lirive, qarkullimi i lirë, i mallrave, të udhëtarëve, kapitalit, shërbimeve, është me rëndësi jashtëzakonisht të madhe për tërë rajonin”, ka thënë ai, duke shtuar se shpreson në “intensifikimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve në favor të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe Gjermanisë”.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se është koha që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të veprojnë drejt pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

“Republika e Maqedonisë së Veriut ka pajtueshmëri më të madhe në kapituj të caktuar edhe nga vendet që kanë qenë duke negociuar për dhjetë vjet ose më shumë me BE-në. Që do të thotë se nëse është një sistem i bazuar në merita gjatë aderimit në BE, Maqedonia e Veriut 100 për qind e meriton konferencën e parë ndërqeveritare”.

Pas Maqedonisë, shefi i Kancelarisë gjermane ka udhëtuar drejt Sofjes. Kështu, ai përmbyll turneun e tij në Ballkan, të nisur të premten me vizitën në Kosovë, e nga e cila vazhdoi për në Serbi e Greqi.

Lexo më shumë  Kapen rreth 400 kg duhan kontrabandë në Gjilan

Gjatë qëndrimit të tij disaorësh në Prishtinë, ai bëri të qartë se nuk do të ketë anëtarësim në Bashkimin Evropian për Kosovën dhe Serbinë, pa e njohur njëra-tjetrën, e kërkoi qëndrim konstruktiv në bisedimet midis dy shteteve. “E qartë është se marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vendet të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”, ka thënë Scholz të premten, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kjo deklaratë nxiti reagime të shumta, e në mesin e të cilave edhe atë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin kancelari gjerman u takua pasditen e së premtes.

Vuçiqi u shpreh i befasuar me deklaratën e Olaf Scholzit, duke thënë se njohjen reciproke, përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk ia ka përmendur askush më parë nga Bashkimi Evropian.

“Askush në Evropë s’e ka kërkuar këtë, pos asaj që kemi dëgjuar sot në konferencën në Prishtinë. Kjo ‘njohja reciproke’ është befasi edhe për ne”, ka thënë të premten presidenti serb.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *