Bota

Scholz dënon komplotin e të djathtëve ekstremë për deportim të imigrantëve nëse vijnë në pushtet

Kancelari gjerman Olaf Scholz të enjten ka dënuar ashpër planet e supozuar nga anëtarët e grupeve të ekstremit të djathtë, që ishte raportuar se ishin takuar kohët e fundit në një rezidencë jashtë Berlinit për të hartuar një plan për dëbimin e miliona imigrantëve, edhe atyre me shtetësi gjermane, në rast se ata do të vinin në pushtet, raporton agjencia “AP”.

Plani i supozuar, që u botua në një artikull të mërkurën nga grupi i gazetarëve investigativ “Correctiv”, ka çuar në reagime të ashpëra, sepse i bën jehonë ideologjisë së nazistëve për dëbimin e të gjithë njerëzve që nuk janë etnikisht gjermanë.

Lexo më shumë  Scholz bën thirrje për thellim të bashkëpunimit ushtarak në Evropë

Scholz tha se Gjermania nuk do të lejojë që asnjëri që jeton në vend të gjykohet nëse ka rrënjë të huaja apo jo.

“Ne i mbrojmë të gjithë – pavarësisht origjinës, ngjyrës së lëkurës apo sa i pakëndshëm është dikush për fanatikët me fantazi asimilimi”, ka shkruar kancelari gjerman në platformën “X”. “Kushdo që kundërshton rendin e lirë demokratik, është rast për zyrën e inteligjencës së brendshme të Gjermanisë dhe gjyqësorin”.

Ai ka thënë se nxjerrja e mësimeve nga historia e Gjermanisë, nuk duhet të ishte thjeshtë fjalë.

Sipas raportit të “Correctiv”, anëtarët e partisë së ekstremit të djathtë, “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) dhe Lëvizja Identitare ekstremiste morën pjesë në takimin e nëntorit.

Në takim, një anëtar i shquar i Lëvizjes Identitare, shtetasi austriak Martin Sellner, prezantoi vizionin e tij të “riemigrimit”, për deportimin e imigrantëve, konfirmoi ai për agjencinë gjermane “DPA”.

Pjesëmarrës tjetër ishte anëtar i AfD-së, si Roland Hartwig, këshilltar i udhëheqëses së partisë Alice Weidel, raporton “Correctiv”.

Rruga Press

YouTube player