Sarajeva i bashkohet procedurës penale në Milano për “turistët snajperistë” të luftës
Këshilli i Qytetit të Sarajevës ka dhënë pëlqimin më 28 janar që Qyteti i Sarajevës t’i bashkohet zyrtarisht procedurës penale që po zhvillohet para organeve gjyqësore në Milano të Italisë, kundër personave të dyshuar se gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë kanë shtënë me snajper ndaj qytetarëve të Sarajevës.
Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, mediat italiane raportuan se Prokuroria e Milanos ka nisur hetime për të ashtuquajturit “turistë snajperistë”. Sipas kallëzimit penal të shkrimtarit dhe gazetarit italian Ezio Gavazzeni, këta persona paguanin shuma të mëdha parash për të shkuar në pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska rreth Sarajevës së rrethuar dhe, kryesisht “për argëtim”, qëllonin me snajper dhe vrisnin civilë.
Radio Evropa e Lirë ka bërë disa përpjekje për ta intervistuar Gavazzenin, por ai, përmes ndërmjetësve, ka bërë të ditur se nuk dëshiron të flasë për këtë çështje. Ndërkohë, ai mbajti një konferencë për shtyp në Milano, ku njoftoi se në muajin shkurt do të publikojë një libër kushtuar fenomenit të “turistëve snajperistë”.
Gavazzeni tha se pretendimet e para për ardhjen e të huajve në vijat e frontit rreth Sarajevës i kishte hasur që në vitin 1995, në një shkrim të botuar në gazetën Corriere della Sera. Pas kësaj, ai kishte nisur të shkruante një roman thriller mbi këtë temë, por shpejt kishte kuptuar se kishte shumë pak informacion dhe kishte hequr dorë nga projekti. Kjo, sipas tij, zgjati deri në vitin 2022, kur pa dokumentarin “Sarajevo Safari” të regjisorit slloven Miran Zhupaniq, i cili i riktheu vëmendjen kësaj çështjeje.
Prokuroria në Milano pritet ta informojë publikun për rezultatet e hetimeve në mars të vitit 2026. Në rast se ngrihet aktakuzë dhe nëse vërtetohet fajësia e të dyshuarve, ky do të ishte rasti i parë në Evropë ku individë do të përgjigjen para gjykatës për vrasjen e civilëve me snajper gjatë rrethimit të Sarajevës.
Ndërkohë, autoritetet e drejtësisë në Bosnjë e Hercegovinë kanë bërë të ditur se po i verifikojnë këto pretendime, por deri më tani asnjë snajperist nuk është ndjekur penalisht për vrasjen e civilëve në Sarajevë, përfshirë edhe vrasjet e fëmijëve.
Gjatë pothuajse gjithë kohëzgjatjes së luftës, nga viti 1992 deri në fund të vitit 1995, gazetarë dhe fotoreporterë të huaj herë pas here kishin mundësi të qëndronin në pozicionet e forcave serbe rreth Sarajevës. Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar disa prej tyre, por asnjëri nuk ka mundur të konfirmojë se kishte parë ndonjëherë të huaj që kishin paguar për të ardhur dhe për të qëlluar ndaj civilëve.
Sipas të dhënave të shoqatave të viktimave dhe aktgjykimeve të gjykatave ndërkombëtare, gjatë gati katër vjetëve të rrethimit të Sarajevës, çdo i dhjeti fëmijë i vrarë në qytet u qëllua nga një plumb snajperi, ndërsa më shumë se 14.000 fëmijë u plagosën.
Megjithatë, deri më sot, asnjë snajperist nuk ka dhënë llogari mbi bazën e përgjegjësisë personale – as para gjykatave vendore dhe as para atyre ndërkombëtare.
Tribunali Ndërkombëtar i Hagës, në aktgjykimet kundër zyrtarëve më të lartë të Republikës Sërpska, ka konstatuar se fushata e snajperistëve gjatë rrethimit të Sarajevës kishte një qëllim të qartë: “të terrorizonte civilët e Sarajevës”. /The Geo Post/
Rruga Press

