KryesoreOpinion/Aktualitet

Salmonela braziliane dhe pasaporta europiane

Shkruan Lutfi Dervishi

Mishin e servirim me salmonelë, mandarinat i spërkasim me pesticide dhe mbi 50 lloje helmesh të ndaluara në Bashkimin Evropian përdoren lirshëm në bujqësi, por ne vazhdojmë të ëndërrojmë BE-në. Jo si standard, por si pasaportë.

Ëndrra jonë europiane ka erë pesticide. Dhe nuk është ndonjë sekret. Institucione ndërkombëtare, organizata të shëndetit publik, raportimet e medias dhe të qytetarëve, të gjithë e kanë ngritur alarmin. Por çfarë bëjmë ne? Shtojmë dozën.

Sepse i fusim një mendje të lehtë: “Hë mo, s’na gjen gjë!”

Një mantrë kolektive, një justifikim i përbashkët për të helmuar tokën, trupin dhe fëmijët tanë.

Pis fermer që përdor helme për të shtuar prodhimin, pis shtet që nuk kontrollon asgjë, pis konsumator që i blen pa pyetur, pa refuzuar dhe pa reaguar. Pra, në fund të ditës: pis milet.

Lexo më shumë  Nga të dhënat te mbrojtja, ndikimi izraelit hyn në sektorët strategjikë të Shqipërisë

Po të ishte kjo thjesht çështje padije, do kishte zgjidhje. Por është çështje indiference dhe babëzie, e ushqyer me arrogancën e mosndëshkimit. Të mos harrojmë: në vendet ku janë ndaluar këto pesticide, janë ndaluar sepse vrasin. Dhe në ketu, jo vetëm që përdoren, por promovohen si “sekret suksesi”.

Fondet e IPARD që u dhanë për bujqit dhe blegtoret shqiptare mesa duket realisht kanë shkuar për fermerët braziliane. Fondet e BE për bujqesine janë ndërprerë sepse SPAK nuk ka këllqe të hetojë atë që është provuar nga hetimet në Bruksel. Ne vijojmë me helmin e sheqerosur të propagandës.

Lexo më shumë  Protesta nuk ndalet, do të ketë valë të dytë e të tretë. Ramën s’e duan as socialistët. S’bën dot luftë frontale me të gjithë popullin! Motoja e vetme, dorëheqja!

Në vend të ndalim helmin, kemi ndaluar logjikën. Në vend të zbatojmë rregulla, bëjmë statuse krenare për eksportin e produkteve “të freskëta shqiptare” që pastaj kthehen mbrapsht si mall i rrezikshëm për shëndetin publik.

Tani le të hapim krahët për BE-në. Le t’i tregojmë që jemi gati për integrim. Me mushkëri të skuqura, me veshka të lodhura dhe një sistem që nuk mbron as veten e vet.

Edhe 5 vjet dhe marrim pasaportën.

Por a do jemi gjallë për ta përdorur?

YouTube player