Opinion/Aktualitet

Sallova: Në një shoqëri ku për 20 vite është degraduar çdo autoritet vleror, mosbesimi është tipari dominant

Shkruan Donik Sallova

– Meqë nuk gjetën një grenell tjetër për ta tundur si flamur të proamerikanizmit dhe i humbën shpresat që me ndihmën e Amerikës do ta rrëzojnë qeverinë për shkak të parimësisë së Kurtit në dialog me Serbinë dhe vendosmërisë për të shtrirë shtetin ligjor në Veri, tani i kanë mobilizuar në sulm e propagandë të gjitha segmentet e kapura të shtetit dhe shoqërisë që nga viti 1999 e deri kur ranë nga pushteti përfundimisht më 14 shkurt 2021.

– Prej kapjes së INA Petrolit në ’99-ën e deri tek Universiteti i Prishtinës, nuk ka institucion publik në të cilin nuk i kanë njerëzit e tyre, në pozita kyçe e të rëndomta, përmes të cilëve kanë kontrolluar dhe përdorur paranë publike për interesa private, familjare, klanore e partiake. Merrni dhe shihni emrat një nga një të krejt diplomatëve që ndodhen nëpër ambasada dhe konsullata të Kosovës nëpër botë dhe 90% prej tyre do t’ju dalin mbiemra familjarësh të figurave kryesore të kryesive të partive të ish pushteteve. E njejta gjë vlenë për institucione të tjera me renome, si Banka Qendrore, Posta e Telekomi etj., por edhe në të gjitha pozitat drejtuese e menaxhuese nëpër ministri janë njerëz familjesh e militantësh që tashmë konsiderohen “administratë publike” dhe “shërbyes të paprekshëm civilë” të rekrutuar mbi baza nepotiste, klenteliste e politike.

Lexo më shumë  Kosova dhe Ukraina në shënjestër të dezinformatave serbo-ruse gjatë javës që lamë pas

– Naivët pyesin pse po duan të ikin njerëzit edhe pse qeveria është ndryshuar prej 2 vitesh. Ndryshimi i qeverisë nuk nënkupton automatikisht ndryshimin e qeverisjes së një shteti i cila në masë të konsideruheshme vazhdon menaxhohet nga këta “shërbyes civilë” të cilët e dinë që po u realizuan reformat, shumë prej tyre o do të përfundojnë në rrugë o në burg, prandaj rezistojnë e sabotojnë. Paprekshmërinë e pozitave të pamerituara e kanë garantuar përmes ligjesh të padrejta. Njerëzit ikin sepse shumë prej tyre u deiluzionuan nga liria, e cila nuk u solli barazi, drejtësi e meritokraci.

– Në fillim i kapën bizneset në mënyrë që përmes tyre të kapin paranë dhe pasurinë publike përmes tenderësh, grantesh, subvencionesh e privatizimesh. Kur e kapën Universitetin e Prishtinës dhe universitetet e tjera publike që i hapën më vonë synuan që duke u bërë edhe “elitë kulturore” ta legjitimojnë shtresëzimin klasor që po ndërtonin në shoqëri. Punëtorë të SHIK-ut të partisë doktoruan e u bënë profesorë, dekanë e rektorë. Duke u bërë hierarkik e të pakonkurrueshëm, menaxhuan degradimin e arsimit, si instrument që t’i dekurajonin njerëzit nga rruga e dijes dhe rruga e ndershme e sakrificës dhe meritës. Prandaj ikin njerëzit, sepse shumë prej tyre vazhdojnë t’i shohin në pozita drejtuese në administratë publike këta “shërbyes civilë”. Kapën çdo institucion të pavarur, shumicën e OJQ-ve dhe mediave private. Për televizionin publik s’kemi çka diskutojmë, ilustrimi më i mirë është shkelja e syrit që kryetari i partisë në pushtet ia bënte live shërbëtorit-mediatik.

Lexo më shumë  Bislimi: Ne duhet të jemi gati për luftë

– Në një shoqëri ku për 20 vite është degraduar çdo autoritet vleror, mosbesimi është tipari dominant. Ky ka qenë qëllimi i regjimeve të shkuara: humbja e besimit në vlerën e sakrificës për liri e shtet, për barazi e drejtësi. 14 shkurti 2021 ua prishi planet, prandaj po e vazhdojnë luftën speciale e anti-kombëtare me një koalicion të gjerë propagandistësh të të gjitha kohërave, nga Bujku i ’90-ve, Epoka e Re e linçimeve të 2000-ave e deri tek tik-tok gazetaria e B.Budallenjëve.

– Si do t’i mposhtim? Me dije dhe forcim të shkollës kombëtare, me forcim të shtetit ligjor, me vetting për zyrtarët e lartë publikë dhe sistemin e drejtësisë, me meritokraci dhe rikthim të besimit tek idealet e atyre që ranë për liri e pavarësi.

Rruga Press

YouTube player