Lajme

Sako iu bind “bandës së inceneratorëve”, Rama e kandidon për kryebashkiake në Durrës

Nga Boldnews.al

Burime të brendshme nga Partia Socialiste bëjnë me dije se kryetari Edi Rama i ka dhënë mbështetjen Emirjana Sakos për të kandiduar në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 Marsit 2022 për postin e mbetur vakant në krye të Bashkisë së Durrësit.

Sako e drejton si e komanduar qytetin bregdetar prej më shumë se një viti, pasi largimit të dy paraardhësve të saj, të emëruar pas zgjedhjeve lokale të vitit 2019.

Emirjana Sako, si e komanduar, ka udhëhequr procesin e dorëzimit të mbeturinave të Durrësit në duart e “klanit të inceneratorëve” dhe kjo duket se ka shënuar avenirin e saj në sytë e kryeministrit dhe krye-rilindasit, Edi Rama.

Sako u caktua të drejtojnë Bashkinë e Durrësit pasi kryetarja e emëruar, Valbona Sako u detyrua të dorëhiqet, pasi kundërshtoi “planin e plehrave”, megjithëse justifikimi zyrtar ishte se ajo u vetë-largua për shkak të një gafe publike në ditët pas tërmetit të nëntorit 2019.

Pas largimit të Valbona Sakos, administrata lokale caktoi në postin e kryetarit Zhuljen Varfaj, i cili gjithashtu dha dorëheqjen për arsye shëndetësore.

Lexo më shumë  E konfirmon Hajrulla Çeku, punimet në “Fadil Vokrri” po shkojnë drejt fundit

E treta në radhë ishte Emirjana Sako, një bashkëpunëtore e ngushtë e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako.

Sako kishte një detyrë parësore-të krijonte të gjithë kushtet që biznesi qindra-miliarda lekë i depozitimit të mbeturinave të Durrësit të dorëzohej tek landfilli privat i Sharrës.

Vend-depozitimi i plehrave në Sharrë menaxhohet nga kompania “Integrated Energy BV”, e cila fitoi një koncension të dyshimtë me qeverinë “Rama”, në kohën kur biznesmeni kontrovers, Klodian Zoto, ishte zyrtarisht drejtues i saj.

Qeveria “Rama” ndoqi një skenar, i ngjashëm me strukturat kriminale, për të siguruar që plehrat e Durrësit të përfundonin në landfillin e Sharrës e bashkë me to disa dhjetra milionë euro.

Skenari “Rama” ndoqi disa etapa. Fillimisht, qeveria vendosi mbylljen e vend-depozitimit të mbetjeve në Porto-Romano, ku dërgoheshin tonelatat e plehrave të Durrësit, Shijakut e Kavajës.

Pas mbylljes së Porto Romanos, Durrësi u përfshi në emergjencë të thellë mjedisore, pasi qeveria nuk caktoi asnjë vend të ri për depozitimin e plehrave.

Në Prill 2021, Këshilli Bashkiak i qytetit bregdetar sugjeroi krijimin e tre landfilleve rajonale në territorin e Durrësit dhe për realizimin e projektit kërkoi ndihmën qeveritare.

Lexo më shumë  Qeveria në Shqipëri dështon të justifikojë me punime pagesat për inceneratorin e Tiranës

Rama, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Mbetjeve, të drejtuar në atë kohë nga Alqi Bllako, vendosi të refuzojë sugjerimet e Këshillit Bashkiak të Durrësit.

Qeveria diktoi një zgjidhje tjetër-Bashkia e Durrësit detyrohej të nënshkruante një kontratë aspak favorizuese me koncensionarin e Sharrës. Në këmbim të kësaj kontrate, qeveria do të subvenciononte për disa vite shpenzimet e bashkisë për pagesat kundrejt landfillit.

Pra, qeveria, nëpërmjet taksave kombëtare, do të shlyejë një pjesë të detyrimeve miliona euro të Bashkisë Durrësit për landfillin e Sharrës.

Propozimi i qeverisë u pranua nga kryetarja e bashkisë në detyrë, Emirjana Sako dhe tashmë ‘Integrated Energy BV” do të përfitojë 50 milionë euro për 10 vitet e ardhshme nga plehrat e Durrësit, krahas faturave të majme që merr prej vitesh nga administrata e Erion Veliajt në Tiranë.

Pas përfundimit të “operacionit” mbi plehrat e Durrësit, Emirjana Sako ka ngrohur shijet politike të kryerilindasit, i cili ka vendosur ta kandidojë për postin zyrtar të kryetarës së Bashkisë në zgjedhjet e pjesshme të fillim-marsit 2022.

Rruga Press

YouTube player