Opinion/Aktualitet

Safet Gjici ankohet pse qytetarët që hodhën votën në plehra, nuk i hedhin plehrat në kazan

Sot Kryetari i Bashkisë së Kuksit Safet Gjici u shpreh rreth investimeve që ai ka bërë në Kukës. Është fjala për një fushatë për mjedis të pastër që finalizohet te sigurimi i disa koshave të plerave.

Ndërgjegjësimi qytetar për një mjedis më të pastër. Njeriu duhet të jetojë në mjedis të pastër, e jo të ndotur nga mbeturinat.

Çdo kush mund të ndihmojë. Eja dhe ti! Bashkoju nismës për një mjedis sa më të pastër. Të gjithë bashkë për Kukësin që duam” shprehet Gjici.

Ky investim që është bërë këtu, si është, sikur thonë edhe disa që vijnë nga Gjermania, edhe në Gjermani nuk e gjejnë këtë investim. Nuk dua të them që ne krahasohemi me Gjermaninë, se është krahasim shumë i madh” tha më tej ai.

Safet Gjici ka shumë të drejtë, këtë investim nuk mund ta gjejmë asesi në ndonjë bashki gjermane.

Së pari, sepse në një mjedis të pjekur politikisht infrastruktura e mbetjeve as që konsiderohet investim, por ai merret i mirëqenë. Një bashkie normale dhe një kryetari të zakonshëm gjerman do t’i vinte turp të promovonte “investimin” në kazanë plerash.

Lexo më shumë  "Kosova është demokraci funksionale", Doris Pack: Ndihem thellësisht e turpëruar nga qeveria e vendit tim, Gjermanisë

Së dyti, një votuesi të pjekur politikisht do t’i vinte turp jo vetëm të votonte për kryetar bashkie një të tillë si Safet Gjici, por do t’i vinte turp edhe sikur ai të ishte thjesht kandidat që do të merrte një grusht votash.

Nuk ka nevojë të bëhet ndonjë sondazh që ta kuptojmë se kultura për mbajtjen e mjedisit të pastër lidhet në mënyrë të pashmangshme me mendësinë politike të një vendi, në rastin tonë mendësi parapolitike.

Është krejt e kuptueshme që një shofer që hedh kanacet nga xhami i makinës futet te kontingjenti që potencialisht e voton Safet Gjicin për kryetar bashkie.

Kujdesi për mjedisin lidhet domosdoshmërisht me kujdesin për të përbashkëtën, deri edhe te politika. Mjedisi parapolitik, mjedisi me politikë të ndotur patjetër që shoqërohet me ambjent fizik të ndotur. Këto kanë të njëjtën origjinë, ndryshojnë vetëm mënyrat se si paraqitet në dukje kjo origjinë.

Lexo më shumë  Michael Roth nuk e përmban gjuhën pas dështimit të KiE me Kosovën: M*t! Evropa do të humbasë ndikim, situata po përkeqësohet

Qytetarët që Gjici i akuzon për mungesë kulture në mirëmbajtje janë po ata që votuan Gjicin kur ky i fundit u premtoi vende pune në administratën e tejmbushur, ata që i kërcënoi me hipotekat, si dhe ata të cilëve ua bleu votën.

Kutia e votimit në Shqipëri i ka ngjarë thuajse çdo herë kazanit të plehrave. Ditën e zgjedhjeve vota hidhet te kazani i plerave parapolitike që do udhëheqin për katër vite. Dhe katër vitet e ardhshme kryetari i zgjedhur nga vota parapolitike do shajë popullin e tij se nuk i hedh plehrat në kazanin e plehrave, pasi hodhi votën në kazanin e plehrave.

Këtë investim të mbrapsht nuk e bëjnë gjermanët dhe Gjermania.

Nëse shqiptarët nuk do e kishin zakon të hidhnin plerat në rrugë Safet Gjici as që do kishte qenë ndonjëherë kryetar bashkie.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *