Bota

Rusia pranë mobilizimit të përgjithshëm për të zëvendësuar humbjet e mëdha që ka pësuar

Nga Spiegel.de

Kiril Kreçetov e kujton ende shumë mirë momentin kur gjeti zarfin bardh e kuq në kutinë e tij postare. Brenda kishte një thirrje që i kërkonte të paraqitej të nesërmen në zyrën lokale të rekrutimit ushtarak. “Dreqin, tani më duhet të shkoj në Ukrainë!”- kujton ai duke mallkuar me vete.

Gjatë një bisede telefonike që zhvilluam bashkë, ai e pranon se e kaploi menjëherë frika.

Kreçetov, 35 vjeç, është një punëtor ndërtimi dhe baba i një vajze 2-vjeçare. Ai jeton në Nizhni Novgorod, qytet që ndodhet rreth 7 orë me makinë në lindje të Moskës.

Duke folur me nxitim, ai kërkon që emri i tij i vërtetë të mos përdoret për shkak të frikës për jetën. Dhjetë vjet më parë, Kreçetov përfundoi shërbimin e tij të detyrueshëm ushtarak me një njësi speciale që i përkiste agjencisë së inteligjencës ushtarake GRU. Tani ai është një ushtar në rezervë. Në fillim u kontaktua disa javë para se të mbërrinte fletëthirrja në kutinë e tij postare, në formën e një mesazhi të dërguar në aplikacionin “Viber”: Kiril Ivanoviç, ne po ju presim. Krasnodarski Krai, Brigada e 10-të e Forcave Speciale GRU. Kreçetov thotë se e fshiu menjëherë mesazhin. “Unë e di se sa nga djemtë tanë po vdesin në Ukrainë”, – thotë ai duke shtuar se e ka mësuar numrin real të viktimave nga rrjeti social “Telegram”, pasi “televizionet vetëm gënjejnë”.

Por letra dukej shumë më detyruese sesa mesazhi në “Viber”. Ndaj, Kreçetov shkoi në zyrën lokale të rekrutimit, ku e priti shefi i saj. “Ne kemi nevoje për ty!”- i tha ai. Ai i vuri përpara  një kontratë, sipas së cilës ai do të paguhej 300.000 rubla në muaj ose rreth 4.500 euro, një shumë 7 herë më e lartë sesa paga mesatare në rajon.

“Plotësojeni këtë. Mund të zgjidhni kontratën 3, 6 ose 12-mujore, dhe më pas të nënshkruani këtu”, – i tha shefi i zyrës. Kreçetov vetëm tundi kokën. Më pas pyeti: “Kush do të kujdeset për familjen time nëse kthehem në shtëpi në një arkivol?”

Prindërit e tij janë mbi 70 vjeç, dhe nëna e tij është e sëmurë. Kur komandanti e kuptoi se nuk do të ishte në gjendje ta bindte Kreçetovin, ai vuri para një fletë të bardhë dhe i tha rezervistit të shkruante arsyet pse refuzoi të luftonte për Rusinë. Vetëm atëherë u lejua të largohej.

Në fillim, Kreçetov mendoi se do të thirreshin nën armë vetëm ish-forcat speciale. Por tani e di se shumë burra nga Nizhni Novgorod kanë marrët të njëjtën thirrje përmes postës. “Ata po u shkruajnë të gjithëve atyre që kanë kryer shërbimin ushtarak”, – thotë Kiril.

Lexo më shumë  G7-a nuk arrin marrëveshje përfundimtare për përdorimin e aseteve ruse për Ukrainën

Historia e Kreçetov tregon se sa shumë ushtarë të rinj i duhen ushtrisë ruse. Lufta kundër Ukrainës, e cila në Rusi duhet të quhet patjetër “operacion i posaçëm ushtarak për mbrojtjen e Donbasit”, ka nisur prej gati 4 muajsh.

Trupat e presidentit rus Vladimir Putin kanë pësuar humbje të mëdha, ndaj ushtria ka shumë nevojë për luftëtarë të rinj. Ajo u detyrua të tërhiqej nga rajonet përreth Kievit dhe Kharkivit. Në Donbas, ushtria ruse po mbështetet te forca brutale për të arritur qëllimet e saj. Dhjetëra ushtarë nga të dyja palët po vriten çdo ditë në këtë betejë të përgjakshme.

Ushtarët e rinj nuk po rekrutohen vetëm nga Nizhni Novgorod në Rusinë Qendrore. Në mbarë vendin, nga Kaliningradi në Perëndim deri në rajonin lindor Amur, po thirren nën armë burrat në moshë për luftë. Të paktën 2 milionë rusë janë pjesë e forcave rezerviste, edhe pse numri i saktë është një sekret shtetëror.

Ushtria ruse po përdor të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të gjetur përforcime. Ajo po i josh rusët me oferta tërheqëse, duke i kërcënuar me pasoja, dhe madje duke simuluar një mobilizim të përgjithshëm duke dërguar një numër të madh fletëthirrjesh te rezervistët.

Por një thirrje zyrtare mund të bëhet vetëm pasi Putini të shpallë zyrtarisht mobilizimin e përgjithshëm.

Por ky akt do të ishte një pranim indirekt i dobësisë së ushtrisë së tij, një forcë ushtarake që përpara pushtimit ishte konsideruar shumë superiore ndaj ushtrisë së Ukrainës. Për më tepër, një mobilizim i përgjithshëm do të kishte një ndikim më të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të rusëve, gjë që Kremlini dëshiron ta shmangë me çdo kusht.

Ndaj po praktikohet një lloj mobilizimi i fshehtë. Pavarësisht 15 javëve të luftës, udhëheqësit e Rusisë do të dëshironin që jeta të vazhdonte sa më normalisht që të jetë e mundur për qytetarët rusë. Dhe deri tani, kjo përpjekje ka qenë kryesisht e suksesshme, pasi shumica e rusëve vazhdojnë ta mbështesin “operacionin ushtarak special”.

Shumë rusë nuk janë veçanërisht të interesuar të mësojnë se çfarë saktësisht po bën ushtria e tyre në Ukrainë. Po mohohen masakrat dhe shkatërrimet në vendin fqinj, ndërsa Rusia po i nderon si heronj viktimat e veta, duke u dhënë atyre medalje pas vdekjes, dhe madje duke u vënë rrugëve emrat e tyre.

Por pavarësisht gjithë kësaj, nuk ka ndonjë entuziazëm shumë të madh për luftën në Ukrainë. Dhe kjo është bërë problem për zyrat e rekrutimit. Për ta zgjidhur atë, parlamenti rus hoqi së fundmi kufirin e moshës për ushtarët me kontratë. Tani dokumentin mund ta nënshkruajnë burrat deri në moshën 65 vjeç, ndërsa më herët kufiri maksimal ishte deri në 40 vjeç.

Lexo më shumë  Huliganët serbë rrahin për vdekje vëllain e zv.presidentit të Qeverisë së Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës

Rekrutëve u ofrohet një pagë 2000-3000 euro ose më shumë. Për më tepër, Putini ka vendosur që familjet e ushtarëve të rënë do të marrin më shumë se 12 milionë rubla ose 190.000 euro. “Është një strategji që duket se ka sukses kryesisht në rajonet periferike”, – thotë Sergei Krivenko, kreu i grupit të të drejtave të njeriut Ligji i Ushtrisë Qytetare.

Frika në Burjatia është e përhapur. Të gjithë kanë dijeni mbi fushatën e rekrutimit, por pakkush guxon të flasë hapur për të, dhe sigurisht jo me gazetarët. Burrat nga Burjatia priren të shmangin ankesat dhe sigurisht që nuk e bëjnë këtë në publik. “Për shkak të edukimit të tyre, e konsiderojnë si të turpshme ankesën”, – thotë Andrei Rintshino, avokat në Fondacionin “Burjatia e Lirë”.

Kjo organizatë është kundër luftës dhe mbështet të drejtat e burjatëve etnikë. Republika është një nga zonat më të varfra në Rusi. Dhe si burjatët ashtu edhe rusët etnikë e shohin ushtrinë si një punëdhënës të besueshëm. “Kur burrat paraqiten në zyrat e rekrutimit, u premtohet një jetë e mrekullueshme dhe një mal me para, për t’i bindur t’i bashkohen luftës”, – thotë Rintshino.

Disa nga ata që regjistrohen, shton ai, e bëjnë këtë me shpresën e hakmarrjes së anëtarëve të familjes që janë vrarë tashmë në Ukrainë. Ata që kanë shërbyer tashmë si rekrut ose ushtarë me kontratë, dhe nuk janë të interesuar të shkojnë në Ukrainë përballen me imponimin.

Ushtria i kërcënon me vendosjen e vulave të kuqe me termin “tradhtar” në letërnjoftimet e tyre. Ose u thuhet se do të dalin përpara gjykatës ushtarake. Rintshino njeh rreth 250 burra që donin të largoheshin para kohe nga zona e luftës. Sipas rregullave, ata duhet t’ia paraqesin kërkesën komandantit së bashku me një shpjegim me shkrim.

Por në përgjithësi komandantët e kundërshtojnë kërkesën e tyre. Por dalëngadalë, thotë Rintshino, numri i lartë i viktimave po çon në një ndryshim të qëndrimeve. Shumë njerëz në këtë rajon po thonë se udhëheqja në Moskë po sakrifikon jetën e ushtarëve burjat në vijën e parë të frontit. Murgjit në disa manastire budiste kanë filluar t’u bëjnë thirrje familjeve të kësaj etnie t’i kthejnë në shtëpi djemtë e tyre. /Përkthyer nga CNA.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *