Rusia pajtohet me Vulinin se protestat e studentëve ishin përpjekje për “revolucion me ngjyrë”
Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Sergei Shoigu, është takuar me zëvendëskryeministrin në largim të Serbisë, Aleksandër Vulin, në Moskë dhe kanë diskutuar për protestat e studentëve kundër qeverisë në Serbi, sipas raportimit të së shtunës nga agjencitë e lajmeve të kontrolluara nga qeveria ruse, raportoi agjencia e lajmeve “Reuters”.
Të dy zyrtarët iu referuan protestave si përpjekje për “revolucion me ngjyrë”, një term i përdorur për të shpjeguar protestat pro-Perëndimore që rrëzuan qeveritë në Ukrainë, Gjeorgji dhe Kirgistan gjatë dekadave të fundit.
“Shërbimet perëndimore të inteligjencës janë mbrapa revolucionit me ngjyrë në Serbi dhe do të donin të vendosnin një qeveri tjetër në Serbi. Ne nuk do ta lejojmë këtë”, ka deklaruar Vulin, sipas agjencisë së lajmeve “TASS”.
Të premten, Vulini ka deklaruar se shërbimet ruse të spiunazhit kanë ndihmuar autoritetet e Beogradit për t’iu përgjigjur protestave.
Shoigu të premten ka deklaruar se vendet kanë mbajtur rregullisht dialog dhe kanë shkëmbyer “informata me qëllim që të kundërshtojmë revolucionet me ngjyrë”.
“Kjo ndihmon për të parandaluar destabilizimin e situatës në Serbinë vëllazërore në ndryshimin e mjedisit gjeopolitik”, ka deklaruar Shoigu.
Studentët të mbështetur nga mësuesit, fermerët dhe punëtorët, kanë protestuar në të gjithë Serbinë që nga nëntori i kaluar, kur 16 persona vdiqën pasi një strehë u shemb në një stacion treni në qytetin verior të Novi Sadit. Protestuesit kërkojnë përgjegjësi nga shteti për këtë rast.
Më herët gjatë javës, Parlamenti i Serbisë formalisht ka aprovuar dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç, i cili ofroi të dorëhiqet më 28 janar, duke aktivizuar afatin kohor prej 30 ditësh për të formuar qeverinë e re apo organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Rruga Press