Bota

Rusia i fryn zjarrit në Ballkan për të kërcënuar BE-në dhe NATO-n

Edhe pse Rusia kërcënon të pushtojë Ukrainën, lojërat e saj vazhdojnë në Evropën Juglindore, ku ajo po luan një rol të madh në tronditjen e një paqeje tashmë të brishtë në vendet që përbëjnë ish-Jugosllavinë.

Rusia po e vërshon Serbinë me armë. Ajo po nxit urrejtjen etnike në Bosnje-Hercegovinë. Po kërcënon Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Po ndërhyn në Mal të Zi.

Mbështetja e Kremlinit për serbët etnikë ka ndihmuar në nxitjen e valës së fundit të nacionalizmit në rritje që kërcënon të zhbëjë paqen në Bosnje-Hercegovinë, të rindezë potencialisht konfliktin e armatosur mbi Kosovën dhe të nxisë telashe politike në Maqedoninë e Veriut dhe në anëtarin e NATO-s, Malin e Zi.

Në të gjithë Ballkanin, duke përfshirë shtete të NATO-s dhe BE-së si Bullgaria dhe Hungaria, Moska po blen ose po fiton kontrollin e aseteve strategjike në sektorë kyçë si media, siguria, komunikimi dhe financat.

“Ata kanë këtë doktrinë famëkeqe të kontrollit refleksiv për kontrollin e proceseve vendimmarrëse të armikut dhe ne mund të presim që Rusia të nxisë një gjë në Ukrainë, por ajo mund të shpërthejë edhe diku tjetër”, tha Ivana Stradner, nga Instituti Amerikan i Ndërmarrjeve, një institut kërkimor në Washington.

“Nuk do ta përjashtoja Ballkanin si një teatër tjetër për Rusinë për të sfiduar Bashkimin Evropian dhe NATO-n dhe për të treguar se të dyja janë tigra prej letre”, tha Stradner, e cila është autore e artikullit, “Rusia po luan me zjarrin në Ballkan”, botuar muajin e kaluar në revistën “Foreign Affairs”.

“Ata absolutisht duan të krijojnë kaos”.

Rusia e sheh Ballkanin si një rajon të rëndësishëm me lidhje të forta kulturore dhe historike. Ajo ka akuzuar vazhdimisht Perëndimin për destabilizimin dhe ndërhyrjen në politikën e saj, duke filluar me njohjen e shpejtë nga Gjermania të pavarësisë së Kroacisë nga Jugosllavia, e cila shkaktoi shpërbërjen përfundimtare të saj.

“Politika e Shteteve të Bashkuara dhe disa kombeve të tjera perëndimore në Ballkan, të cilët kërkojnë të pohojnë dominimin e tyre në rajon, ka qenë një faktor serioz destabilizues”, tha presidenti rus Vladimir Putin në një intervistë të vitit 2019 të cituar nga mediat serbe. “Kjo përfundimisht do të rrisë mosbesimin dhe tensionin në Evropë, në vend që të përmirësojë stabilitetin”.

Por Moska është akuzuar gjithashtu për ndezjen e tensioneve etnike nëpërmjet mbulimit nxitës në mediat e mbështetura nga shteti dhe mbjelljes së lajmeve të shtrembëruara në mediat e lidhura me të.

Në Serbi, Bosnjë dhe Mal të Zi, ajo ka shfrytëzuar lidhjet midis kishave ortodokse ruse dhe serbe për të lëkundur zgjedhjet dhe për të ndikuar opinionin publik.

Moska dhe Beogradi kohët e fundit nënshkruan një pakt për të kundërshtuar atë që ata e përshkruan si “revolucione kolore”, kryengritje këto popullore kundër sundimit autoritar të cilat nga Rusia dhe Serbia konsiderohen si skema perëndimore. “Sputnik”, media e përhapur e propagandës ruse, mban një qendër në Beograd.

“Sputnik Serbia” “vendos narrativa në të gjitha mediat kryesore në rajon që nuk kanë të bëjnë fare me realitetin, por forcojnë pikëpamjen ruse për pikat e trazirave ndërkombëtare”, tha Thomas Brey, një gazetar dhe studiues shumëvjeçar që ka mbuluar Ballkanin.

Përtej mjeteve të fuqisë së butë, Rusia i ka shitur Serbisë sisteme të mbrojtjes ajrore “Pantsir-S1M”, tanke luftarake, transportues të blinduar të personelit, helikopterë dhe “Kornet”, raketa të dirigjuara antitank.

Moska ka ngritur de facto një kamp për mbledhjen e inteligjencës pranë kampit “Bondsteel”, bazës së NATO-s në Kosovë. Një skandal shpërtheu pasi muajin e kaluar u zbulua se ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin kishte spiunuar disidentët rusë që u mblodhën në Beograd vitin e kaluar, duke i dorëzuar transkriptet një bashkëpunëtori të Putinit. Një nga ata disidentë është arrestuar nga autoritetet ruse. Vulini e ka mbajtur detyrën.

Lexo më shumë  Britania premton 3 miliardë funte në vit ndihmë për Ukrainën

Bosnje-Hercegovina, pika e nxehtë potencialisht më e rrezikshme në Evropën Juglindore, ka qenë një fokus kryesor i interesit nga Rusia dhe i aleatit të saj lokal Serbisë, e cila është përfaqësuesi kryesor i Kremlinit në Ballkan.

Udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik, i cili rikandidon për zgjedhjet e tetorit 2022, udhëton shpesh në Moskë për takime të shkurtra dhe fotografime me Putinin që ndihmojnë në rritjen e popullaritetit të tij.

Në fillim të dhjetorit, pas takimit me Putinin, ai e deklaroi mbështetjen e Rusisë në grindjet e serbëve me fraksionet e tjera etnike në Bosnje-Hercegovinë. Presidenti rus i ka premtuar entitetit serb të Bosnjës, Republikës Serbe, një tubacion të ri gazi, karburant dhe një termocentral diellor, tha Dodiku.

Pavarësisht akuzave për korrupsion, Dodiku pritet gjerësisht të mposhtë sfiduesit në votimin e ardhshëm, duke shtrirë një kontroll politik mbi Republikën Serbe që daton nga vitet 1990.

“Përpara çdo zgjedhjeje, Dodiku takohet me Putinin për disa minuta”, tha Sërgjan Puhalo, një analist politik në Banja Luka, kryeqyteti de facto i Republikës Serbe. “Kjo mjafton për serbët mesatarë të shohin se kush është miku i tyre”.

Ndërkohë, “kur rusët vijnë në Sarajevë, mesazhi i vetëm është: mos u bashkoni me NATO-n. Mos u anëtarësoni në Bashkimin Evropian”, tha Sead Tucalo, profesor dhe dekan i fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës.

Rusia ka bllokuar rezolutat e Kombeve të Bashkuara që shihen si të pafavorshme për serbët e Bosnjës dhe, së bashku me Kinën, kundërshtoi një emërim kyç në një organ që mbikëqyr zbatimin e marrëveshjeve të Dejtonit që i dhanë fund luftës civile të viteve 1990 në Bosnje.

Në Kosovë, Serbia ka kërcënuar me luftë kundër ish-republikës së shkëputur jugosllave, e cila shpalli pavarësinë edhe përkundër kundërshtimeve të Beogradit dhe Moskës 14 vjet më parë. Në një takim në Soçi vitin e kaluar, Putini e siguroi Vuçiqin për mbështetjen e Kremlinit. Mediat ruse vazhdojnë ta përshkruajnë Kosovën si një “krahinë autonome” të Serbisë.

Në Mal të Zi, pasi supozohet se mbështetën një tentim të dështuar për grusht shteti të vitit 2016, elementët pro-rusë të mbështetur nga Kisha Ortodokse Serbe luajtën një rol të madh në rrëzimin e sundimtarit prej kohësh të vendit dhe vendosjen e një qeverie më pro-Kremlinit e cila vetë u shpërnda disa javë më parë, duke nxitur shqetësimet për më shumë ndërhyrje ruse.

Në Maqedoninë e Veriut, anëtari më i ri i NATO-s, Rusia thuhet se vazhdon të ndikojë në politikën e brendshme dhe e ka kërcënuar vendin si një “objektiv legjitim” në rast të tensioneve midis Moskës dhe Perëndimit.

Rusia, me shumë gjasa, nuk dëshiron të shohë një rilindje të luftërave traumatike ballkanike që përfunduan vetëm me ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare, duke përfshirë fushatat e bombardimeve të NATO-s për të cilat Putini foli gjatë konferencës së tij të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman, Olaf Scholz këtë javë.

Por, nëse trazohet rajoni, energjia diplomatike nga Perëndimi shteret, duke shtuar dhimbjet e kokës për migrimin dhe paqëndrueshmërinë.

“Ata thjesht po rrisin tensionet, dhe po i ulin ato”, tha Tucalo.

Bullizmi dhe frikësimi e kanë ndihmuar gjithashtu Moskën të arrijë qëllimet e saj strategjike.

Lexo më shumë  Ahmeti: Ka sinjale që masat sanksionues ndaj Kosovës mund të largohen

“Rusia do të donte të krijonte një rrëmujë dhe të pozicionohej si ndërmjetëse në Ballkan dhe më pas të përdorte këtë fuqi për të rinegociuar kaosin e saj në Ukrainë me Perëndimin”, tha Stradner.

“Një nga qëllimet e Putinit është të rivendosë Rusinë si një fuqi të madhe, dhe një Rusi revanshiste është e gatshme të përdorë forcën në mënyrë të njëanshme në shekullin e 21-të, sepse në mendjen e Putinit kjo është pikërisht ajo që Perëndimi po bënte në shekullin e 20-të”.

Rusia nuk është i vetmi vend që ndërton ndikim politik në Ballkan. Pavarësisht akuzave nga disa se ata nuk përqendrohen sa duhet në rajon, SHBA-ja dhe Evropa kanë mbajtur prani të fuqishme diplomatike dhe kanë kontribuar në infrastrukturën dhe projektet e zhvillimit.

Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane e Investimeve kanë grumbulluar 3 miliardë funte për të mbështetur Ballkanin Perëndimor. USAID-i ka kontribuar me miliona për të ndihmuar në përkrahjen e gazetarëve në rajon. Mbretëria e Bashkuar në fund të vitit të kaluar emëroi Sir Stuart Peach si të dërguar special.

Nën Presidentin Recep Tayyip Erdogan, Turqia ka zgjeruar investimet tregtare dhe ka shpenzuar energjinë diplomatike duke kultivuar lojtarë të ndryshëm. Bankat e mëdha turke, veçanërisht “Ziraat” në pronësi shtetërore, shitës të mëdhenj me pakicë dhe ofrues të shërbimeve mjekësore, kanë hapur degë në qytetet e mëdha.

Por Turqia e balancon mbështetjen e saj për klientët e saj myslimanë boshnjakë me investime kyçe jo vetëm në Republikën Serbe, por në vetë Serbinë. Erdogani ka kultivuar lidhje miqësore me qeverinë në Sarajevë dhe shihet si hero nga disa myslimanë boshnjakë. Por Ankaraja ka gjithashtu marrëdhënie të forta me Aleksandar Vuçiqin si dhe me Dodikun, i cili duket se e sheh atë si një mentor.

“Turqia është shumë e kujdesshme”, tha Milosh Solaja, profesor i shkencave politike në Universitetin e Banja Lukës.

Për të qenë të sigurt, marrëveshjet e Dejtonit që i dhanë fund luftës në Ballkan ishin thellësisht me të meta, ndoshta fatalisht.

Serbët kurrë nuk e pranuan republikën e shkëputur të Kosovës dhe kanë qenë prej kohësh nervozë për statusin e vëllezërve të tyre etnikë që jetojnë si minoritete përgjatë një rajoni që e dominuan gjatë pjesës më të madhe të shekullit të 20-të.

Por të pyetur pse këto tensione kanë ardhur deri në këtë pikë vlimi, shumë analistë fajësuan Kremlinin.

“Dhjetë vjet më parë ju nuk kishit një Rusi kaq të sigurt”, tha Tucalo.

Rusia ka arritur gjithashtu të shfrytëzojë dështimin e BE-së për t’i tërhequr shtetet e ish-Jugosllavisë në gjirin e saj, siç bëri me Kroacinë dhe Slloveninë, edhe pse Perëndimi është një palë kryesore e interesuar në rajon.

Tucalo citoi sondazhe që sugjeronin se boshnjakët i shihnin turqit si investitorin kryesor në Bosnjë-Hercegovinë, ndërsa serbët e konsideronin Rusinë si investitorin kryesor. Në realitet, Evropa siguron pjesën më të madhe të investimeve, dhe është gjithashtu burimi kryesor i dërgesave nga njerëzit jashtë vendit.

Në Serbi, gjithashtu, një studim i fundit tregoi se shumica e serbëve i shihnin Rusinë dhe Kinën si investitorët më të mëdhenj në vend. Në realitet, investitorët më të mëdhenj janë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Ne dëshirojmë të jemi në Evropë dhe jo në Rusi”, tha Nihad Kresevlokoviq, historian në Sarajevë. “Ne ende besojmë në Evropë, edhe nëse nuk kemi arsye për të besuar në të, dhe edhe nëse është më shumë se sa meritojnë”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *